Dialogu Kosovë-Serbi, përtej institucioneve

Viti 2017 do të jetë vit i vështirë për dialogun. I vështirë, meqë fokusi i Bashkimit Evropian ka qenë më shumë që t'i bëjë reklamë vetes, duke u mburrur me faktin që dy palët po bisedojnë, sesa arritja e qëllimit të dialogut që deklarativisht është përmirësimi i jetës së qytetarëve të Kosovës e Serbisë.

1
2292

Me të nisur së shkruari diçka për vitin 2016, për të përmbledhur ngjarjet e vitit dhe për t’u dhënë atyre njëfarë kuptimi, qoftë si studiues, qoftë si komentues i politikës, e kuptova se po futem në grackën e segmentimit kohor. Kjo grackë, e konsoliduar me shekuj, na bën ta perceptojmë realitetin social të copëtuar, të fragmentuar, duke na bërë kështu t’i shmangemi kuptimdhënies së plotë, atemporale. Andaj, në vend se të shkruaj diçka për vitin që shkoi, vendosa të shkruaj për këtë vit që e nisëm, gjithnjë në suaza të qëllimit për t’u dhënë kuptim ngjarjeve, jo atyre që shkuan por këtyre që pritet të ndodhin.

Kur vjen puna te dialogu Kosovë–Serbi, apo siç po quhet, politikisht korrekt, dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, ky vit është shumë më me rëndësi për t’u analizuar sesa ai që shkoi. Jo për shkak se marrëveshjet e arritura gjatë vitit të kaluar dhe moszbatimi i tyre janë më pak të rëndësishme si zhvillime, por për shkak se sivjet, më shumë se kurrë, do t’i kuptojmë problemet bazike të dialogut si proces e si politikë e jashtme e Bashkimit Evropian.

Në këtë aspekt, 2017-ta filloi mbrapsht, me tensione të dyanshme dhe me deklarata për luftë. Me vazhdimin e idiotësive simbolike si puna e trenit, apo deklaratave që pasuan në të dy kryeqytetet. Së këtejmi, është mirë që të shtrëngohemi mirë për atë që pritet të ndodhë në muajt në vijim.

Për ta kuptuar dialogun, natyrisht, nuk mjafton që të analizojmë procesin dhe zhvillimet në suaza të tij. Duhet, patjetër, që të shohim zhvillimet politike në Kosovë e Serbi, të kemi parasysh balancën e forcave politike, idetë që diskutohen si me prioritet në politikëbërje, dhe, sidomos, luftën politike për pushtet në të dy republikat.

Përkundër faktit që qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë konsiderohen si qeveri të forta, meqë kanë një përkrahje të gjerë të Kuvendeve, popullariteti i tyre në publik nuk përkon me këtë fuqi. Votuesit në Serbi gjatë kësaj qeverie ishin dëshmitarë të një kapjeje të shtetit – prej forcave të rendit dhe posteve publike, e deri te shukatja e mediave dhe lufta e hapur e kryeministrit ndaj mediave të lira – e cila do të mbahet në mend. Shoqëria kosovare, në anën tjetër, po vazhdon të qeveriset nga e njëjta kastë politike që shtetin e ka kapur moti, ndërsa përgjimet e botuara vitin që shkoi ishin pasqyra më e mirë se si fuqia politike nuk qëndron në institucione por në struktura partiake që janë mbi vetë institucionet.

Ajo që na pret sivjet është edhe më shqetësuese. Zgjedhjet presidenciale në Serbi po e çojnë vendin në një lloj krize të butë, ku pritjet janë eklektike ndërsa rrugëdalja e panjohur. Veç raportet e çoroditura mes kryeministrit dhe presidentit aktual bënë që diskursi politik t’i kthehet nacionalizmit, miteve dhe patetizmave parahistorik. Treni, fundja, nuk ishte aq shumë bllof i Serbisë për të matur pulsin e administratës së re amerikane siç po e shohin shumica, sa ishte një parafushatë zgjedhore për postin e presidentit, parafushatë kjo që e ktheu edhe një herë në skenë debatin se kush është më serb se tjetri. Kosova, në anën tjetër, nuk është hiç më mirë në këtë drejtim, meqë vetë dialogu dhe politikat që dalin prej tij krijuan hendek enorm mes pushtetit dhe opozitës, hendek ky që krijoi një diskurs të çuditshëm politik, gjithnjë me bazë në nacionalizëm, mite e patetizma historik. Gara më nuk është politike në kuptimin e politikave publike, por mitike në kuptimin e kush është më shqiptar se tjetri. Zgjedhjet komunale që pritet të mbahen në vjeshtë pritet të shërbejnë si matje e pulsit publik dhe fuqisë politike të partive, që do të thotë se nuk do të jenë aspak lokale, pra, në agjendë të diskutimeve do të jenë partitë dhe jo politikat e tyre komunale. Megjithatë, duke e ditur mungesën e mbështetjes publike për qeverinë aktuale dhe fuqizimin e opozitës përmes agjendës nacionaliste, vendi fare lehtë mund të shkojë në zgjedhje të përgjithshme që do të mund të mbaheshin bashkë me ato lokale.

Këto dy situata politike në vendet që po negociojnë të normalizojnë marrëdhëniet mes tyre patjetër se do të kenë ndikim në vazhdën e vetë dialogut. Veç paramendojeni se si do të ashpërsohen diskurset politike, se si nacionalizmi do të jetë në krye të agjendës dhe se si fjalori i urrejtjes do të kthehet sërish në përdorim, sikur të mos kishe ikur kurrë. Dorën në zemër, në Serbi edhe nuk ka ikur ndonjëherë, meqë atë e kanë mbajtur gjallë jo veç forcat radikale politike por pikë së pari ato të moderuara në qeveri të cilat asnjëherë nuk kanë bërë ndarje mes të kaluarës koloniale dhe të ardhmës evropiane të vendit. Në Kosovë, qe humbur për një kohë por vetëm për t’u kthyer fuqishëm nga opozita gjithnjë e më nacionaliste, jo aq shumë si pasojë e drejtpërdrëjtë e tyre sa si pasojë e injorancës së pushtetit dhe mosgatishmërisë për të krijuar një cikël funksional të politikëbërjes.

Thënë troç, viti 2017 do të jetë vit i vështirë për dialogun. I vështirë, meqë fokusi i Bashkimit Evropian ka qenë më shumë që t’i bëjë reklamë vetes, duke u mburrur me faktin që dy palët po bisedojnë, sesa arritja e qëllimit të dialogut që deklarativisht është përmirësimi i jetës së qytetarëve të Kosovës e Serbisë. Varësia e plotë e dialogut mes Kosovës e Serbisë në institucione politike, të cilat institucione nuk janë pa probleme në të dy anët e kufirit, nuk është veç gabim strategjik por edhe fatkeqësi e madhe.

Dialogu për normalizim nuk do arrijë askund përderisa të konceptohet ekskluzivisht si dialog mes dy qeverive. Merrni shembull serbët e Kosovës, nga të cilët varet implementimi i shumicës së marrëveshjeve e të cilët vazhdojnë të mbesin të papërfaqësuar. Dialogu mund të ketë shërbyer për të normalizuar jetën politike, por në dëm të përfaqësimit të serbëve, meqë Lista Serbe nuk i përfaqëson ata. Kjo listë përfaqëson qeverinë në Beograd, të cilës qeveri, siç e kemi parë deri tash, nuk është se i intereson shumë për serbët e Kosovës.

Argumenti përfundimtar është se dialogu nuk duhet parë si dialog ekskluzivisht institucional. Nëse mbetet i tillë, atëherë mbetet i varur nga zhvillimet politike, herë në njërin vend e herë ne tjetrin, duke u shndërruar kështu në një proces qëllimi i të cilit është vetë zgjatja e procesit.