Kafazi i artë

Nëse dikush sikur Oliver Ivanović-i kalon nëpër një gjyq të tillë maratonik dhe që nga fillimi të mbushur plot me paqartësi e pothuajse situata qesharake, çfarë të presë një qytetar i zakonshëm, i cili në ndonjë situatë eventuale do të vinte në kontakt me një gjyqësi të tillë.

0
2187

Oliver Ivanović u transferua në burg shtëpiak, ky ishte lajmi i cili kah fundi i muajit shkurt jehoi nëpër media. Mirëpo, nëse situata shikohet pak më me kujdes, nuk është se kanë ndryshuar shumë gjëra. Natyrisht ana pozitive e tërë kësaj është ajo se tani ai mund të jetë me familjen e tij, por burgu është prapëseprapë burg. Krejt kjo bëhet edhe më e rëndësishme nëse merret parasysh edhe fakti se të gjitha vizitat duhet të lajmërohen tek organet kompetente. Tërë këtë e vërtetoi edhe lajmi se madje as mjeku e as prifti nuk mund ta vizitojnë atë pa miratimin e panelit gjyqësor. Disa qëllimkëqinj do të thoshin se kjo e vë familjen e tij në një pozitë të vështirë sepse edhe atyre në mënyrë indirekte u janë kufizuar vizitat e miqve. Por kjo mund të kuptohet si një interpretim i keq apo demagogjik i ligjit nga ç’gjë në këtë moment askush nuk do të kishte dobi. 


Për atë se drejtësia në Kosovës në një mënyrë të veçantë është selektive është e tepërt të flitet sepse për këtë është bërë fjalë edhe në disa nga blogjet e mia të mëparshme, por e tërë kjo rreth rastit të Ivanović-it është vetëm tregues që në njëfarë mënyre kam pasur të drejtë. E dimë sa ka pasur raste të tilla por edhe sa raste të tilla do të ketë këtë sipas të gjitha gjasave askush nuk e di. Është bërë kaherë e njohur që raste të këtilla të zbatimit të drejtësisë nuk janë të rralla në Kosovë, dhe sikur prej shprehisë gjithmonë shndërrohen në gjyqe maratonike që në vete paraqesin një lloj dënimi sepse edhe vetë gjykimi i i Ivanović-it po zgjat qe 3 vite. Dhe papritmas, për një arsye të panjohur, gjykimi u kthye në fillim, u anulua aktgjykimi i mëparshëm, po përgatiten dëshmitarë të rinj dhe mbrojtje të reja, sigurisht do të ndryshohet edhe këshilli gjyqësor, vetëm Oliveri do të mbetet ai i njëjti si më parë. Nuk do të dëshiroja të kuptohem ironikisht, por krijohet përshtypja që disa individë, të panjohur për ne, nuk kanë qenë të kënaqur me gjykimin e mëparshëm dhe me aktgjykimin e tani po përgatisin dëshmitarë të rinj dhe gjykatës të rinj të cilët do të gjykojnë ‘pa i mbajtur pajën asnjërës anë’.

Nëse dikush sikur Oliver Ivanović-i kalon nëpër një gjyq të tillë maratonik dhe që nga fillimi të mbushur plot me paqartësi e pothuajse situata qesharake, çfarë të presë një qytetar i zakonshëm, i cili në ndonjë situatë eventuale do të vinte në kontakt me një gjyqësi të tillë. A duhet të rikujtojmë se ishte pikërisht Oliver Ivanović-i ai i cili menjëherë pas përfundimit të ngjarjeve të luftës në Kosovë filloi veprimtarinë politike në kushtet e sapokrijuara, punoi në pajtimin e palëve të konfrontuara dhe në ndërtimin e shoqërisë tolerante në Kosovë, dhe duhet të pranoni se kjo punë i shkonte mjaft mirë. Apo është ky gjykim një mënyrë që ai për një kohë të largohet nga jeta politike në Kosovë sepse ndoshta do të ishte bashkëbisedues i papërshtatshëm. Të gjitha këto janë opsione të mundshme por shumë reale që të mbesin vetëm opsione. Deklarata e tij dhënë mediave se edhe shqiptarët edhe serbët e dinë që ai nuk është fajtor por se për këtë duhet ta bindë këshillin gjyqësor tregon që ai është i vetëdijshëm që ka miq si te njëra ashtu edhe te pala tjetër dhe që ky gjykim është diçka e inicuar dhe po zbatohet nga paneli gjyqësor i cili qartazi po i harron apo po i injoron të gjitha këto. Natyrisht procesi që po zhvillohet ka të bëjë me akuza tejet të rënda por të gjitha deri tani nuk kanë treguar se ka të vërtetë në to. Është e qartë se ai dëshmitari i vetëm që konfirmoi se Oliveri ka qenë në atë pjesë të qytetit ku janë kryer krimet ka qenë më i zëshmi dhe më i besueshmi derisa dëshmitarët tjerë duket se paskan folur me një gjuhë të cilën paneli gjyqësor nuk e ka kuptuar kështu që dëshmitë e tyre janë marrë si të pamjaftueshme apo të panevojshme. Një fjalë e urtë latine thotë DURA LEX SED LEX, d.m.th. LIGJI ËSHTË I ASHPËR POR ËSHTË LIGJ – për ashpërsinë jemi bindur kaherë por sa i përket ligjint ende askush nuk më ka bindur.