Kalimi i udhëkryqit – Rekomandimet e ECMI për Asociacionin e komunave me shumicë serbe

Shoqëria civile ia ka dalë t’i përgjigjet nevojës imediate që dikush të hartojë sugjerime dhe rekomandime për këtë organ kyç në procesin e normalizimit.

0
1261

Shoqëria civile ia ka dalë t’i përgjigjet nevojës imediate që dikush të hartojë sugjerime dhe rekomandime për këtë organ kyç në procesin e normalizimit.

Qendra Europiane për Integrimin e Minoriteteve në Kosovë, ECMI, ka hartuar një dokument me rekomandime të titulluar Kalimi i udhëkryqit. Udhëkryqi ka të bëjë me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Shoqëria civile ia ka dalë t’i përgjigjet nevojës imediate që dikush të hartojë sugjerime dhe rekomandime për këtë organ kyç në procesin e normalizimit. Gjatë tri viteve të fundit, zhvillimi i këtij institucionit nuk ka shkuar më tej sesa dy dokumente që përcaktojnë parimet e tij; dokumenti i dytë është shpallur pjesërisht jokushtetues. Çdo debat lidhur me të ka qenë kryesisht politik dhe jothelbësor. Ky raport dëshmon se shoqëria civile në Kosovë është edhe aktive edhe konstruktive.

Raporti është realizuar me mbështetjen e organizatës holandeze për ndërtimin e paqes, PAX.

Dokumenti është një kornizë për diskutim dhe debat. Ai është publikuar në Prishtinë më 2 qershor dhe më pas u prezantua në Bruksel më 10 qershor në Përfaqësinë holandeze në Komisionin Europian. Mediet kanë reaguar fare pak ndaj tij.

Propozimi të cilin e parashtrojnë ECMI dhe PAX dallon nga mënyra e të menduarit rreth kësaj çështje deri më sot, edhe pse është brenda parimeve të miratuara në Bruksel dhe vazhdimisht i referohet nevojës për të qëndruar brenda ligjit të Kosovës. Po ashtu, propozimi vazhdimisht thekson që lidhjet financiare, teknike dhe ato të dakorduara me Serbinë do të mbahen përfshirë fondet nga Beogradi. Propozimi me vendosmëri pajtohet që nevojat e komunitetit serb duhet të adresohen dhe se sistemi ligjor i Kosovës e ofron këtë në mënyrë adekuate.

Qëllimi i ECMI-së është të krijojë një ushtrim të bashkëpunimit ndërkomunal dhe jo vetëqeverisje; jo autonomi institucionale, territoriale apo kulturore. Ajo e sheh këtë bashkëpunimi si funksional, pra të jetë në gjendje të iniciojë ndryshme dhe të sigurojë respektimin e të drejtave të komuniteteve të tjera.

ECMI beson se një rrugëdalje nga ky udhëkryq do të ishte krijimi i dy niveleve të institucioneve: asociacioni që do të ishte kooperativ si dhe institucione të përbashkëta publike që do të ishin funksionale.
Të gjitha hollësitë mund të gjinden në raportin e ECMI-së, i cili gjendet në uebsajtin e New Perspektiva-s në të dy gjuhët: shqip dhe serbisht. Sektorët e kompetencave për institucionet e përbashkëta do të ishin kujdesi shëndetësor dhe ai social, arsimi dhe kultura. Po ashtu, rekomandime specifike janë bërë edhe për zhvillimin lokal ekonomik si dhe për planifikimin rural dhe urban.

Propozimi e përshkruan asociacionin e rekomanduar si “i drejtuar poshtë” që nënkupton për qytetarët e Kosovës në nivel komunal dhe më poshtë. Ky është një shembull se si të krijohet bashkëpunim më i madh komunal, rrjedhimisht mbështetje më e madhe për serbët dhe komunitetet tjera.

Sidoqoftë, dokumenti argumenton se marrëveshjet e Brukselit nuk e kanë marrë parasysh karakterin e ngulitur multietnik të Republikës së Kosovës dhe prandaj këto marrëveshje nuk përputhen plotësisht me natyrën thelbësore dhe kushtetuese të shtetit të Kosovës. Autori argumenton se këto institucione të ardhshme duhet të ofrojnë më shumë hapësirë për interesat e komuniteteve të tjera, të cilat janë njëjtë të pranishme në këto 10 komuna specifike. Andaj rekomandohet që emri të jetë neutral dhe që nënkryetarët e komuniteteve të secilës komunë pjesëmarrëse ta kenë një ulëse në Këshillin e Asociacionit.

Për ta nisur procesin e themelimit të një asociacioni, ECMI rekomandon të miratohen akte nënligjore relevante dhe një udhëzim administrativ që pas një procesi të gjerë konsultativ, do të paraqiteshin për miratim para Dialogut të Nivelit të Lartë në Bruksel. Dhjetë komunat me shumicë serbe do të hartonin një projektstatut apo statute për asociacionin. Draftet publikisht do të konsultoheshin dhe shqyrtoheshin nga kuvendet komunale, nga një kuvend konstitutiv i përbërë nga komunat pjesëmarrëse dhe nga Ministria e Qeverisjes dhe Administrimit Lokal. Institucionet e përbashkëta publike mund të themelohen nga komunat me shumicë serbe.

Siç është deklaruar shpesh, krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është parë si një institucion i paprecedent në Evropë. Edhe ECMI e ka pasur të vështirë ta gjejë një institucion të karahsueshëm për bashkëpunim ndërkomunal por ka paraqitur shembullin e Këshillit të Përbashkët Komunal në Kroaci. Ky ka qenë një organ i themeluar për komunitetin serb në Kroaci pas konflikteve të viteve 1990.

Isha veçanërisht e kënaqur kur e lexova që ECMI në dokument ka ngritur shqetësime për natyrën e demokracisë ne veri dhe veçanërisht faktin që Beogradi vazhdon të ketë kontrollin atje. Autori i raportit shkruan për shqetësimet lidhur me atë se kush do të ulet në Asociacion. Serbët e Kosovës që u intervistuan gjatë periudhës së hulumtimit raportohet të jenë të shqetësuar se Asociacioni do të udhëhiqet nga “politikanët lokalë që janë të kontrolluar nga Beogradi, e jo për të përfaqësuar komunitetin lokal serb”.

Shqetësim i njëjtë është vërejtur edhe në raportin e shkëlqyeshëm të shkruar nga Branislav Nesovic i OJQ-së Aktiv, “Shuma e të gjitha frikëve”. Në këtë raport sugjerohet që Asociacioni duhet disi të adaptojë mekanizma për të parandaluar “dominimin/kontrollin e bazuar në anshmëri”. Raporti argumenton që sikur një mekanizëm i tillë të mund të krijohej, ai do të duhej të ofronte një bazë për barazinë e zërave të serbëve anëkënd Kosovës. Asociacioni siç shpjegohet në dokumentin e ECMI-së do të ndihmonte për mundësimin e kësaj.

Kjo qasje dy nivelëshe për zgjidhjen e çështjes së Asociacionit mund ta ketë edhe një efekt tjetër të rëndësishëm. Do të ofronte numër më të madh të vendeve të reja të punës se sa do të ofronte Asociacioni vetë. Gabimisht besohet se themelimi i asociacionit do të ofrojë vende të reja pune për njerëz që punojnë në sistemin paralel në veri, siç citohet të jenë 5000 të tillë. Siç e kemi thënë edhe më herët, kjo duket të jetë më shumë dëshirë se sa e vërtetë. Krijimi i institucioneve publike bashkë me një asociacion me siguri do të krijonte një numër më të madh të vendeve të punës, mbase punësim edhe më interesant e më sfidues sesa puna në zyre në Asociacion.

Ky është një plan, një propozim. Ka aspekte të cilat mund t’i duken lexuesit si zbrapsje nga marrëveshjet e mëhershme. Kjo është një përpjekje për të provuar jo vetëm për t’i dhënë çfarëdo asociacioni rolin e tij korrekt sistemik në mjedisin e Kosovës, por gjithashtu për ta kapërcyer armiqësinë që është krijuar midis dy palëve. Ky plan kërkon shqyrtim, kërkon debat, kërkon përgjigje.

14 qershor 2016