Le të mos fshihemi pas futbollit

0
1075

Jasmina Lazović

Në kohën kur Fadil Vokrri luante për Partizanin, ky klub beogradas ka pasur tifozë në tërë Jugosllavinë e atëhershme. Kanë qenë ato kohë kur golave në stadiumin e APJ-së i gëzoheshin edhe në Podujevë, Prishtinë, Prokuple, Prilep, Proboj, Poreç, Portorozh, Prijedor, Podgoricë. Kështu thonë ata që me nostalgji e kujtojnë futbollin në ish-Jugosllavi.

Më 1989, kur ekipi bardh-e-zi i Vokrrit fitoi kupën e Jugosllavisë, unë, si pesëvjeçare, vetëm sa kisha filluar të kuptojë domethënien e fjalës “të bëj tifozllëk” dhe “klubi i preferuar”. I mësova rregullat dhe përpiqesha të mësojë thelbin e futbollit si lojë. Nuk kaloi as një vit nga trazirat e famshme në Maksimir (kur në kokat e shumë njerëzve filloi shpërbërja e Jugosllavisë), pas të cilave prindërit nuk i dërgonin më fëmijët e tyre në ndeshje. Futbolli pushoi të jetë lojë dhe u shëndrrua në arenë politike.

Unë nuk jam person që beson në atë se sporti i bashkon njerëzit. Disi më logjike më duket që animi për një ekip të caktuar na fut në një grup dhe na bën për një nuancë më të ndryshëm se të tjerët. Ajo nuancë mund të jetë shkak i sajimit të barcoletave të shumta në llogari të ekipit kundërshtar. Mirëpo, kur sporti përzihet me ndjenjën e përkatësisë nacionale, e nga ana tjetër gjendet “armiku i popullit tonë”, atëherë futbolli shndërrohet në rrezik serioz për sigurinë.

Kur dëgjova se në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian më 2016 në fushë do të dalin përfaqësueset e Serbisë dhe Shqipërisë, mendoja se sa e rëndësishme do të jetë ajo ditë, politikisht. Ndeshja me Portugalinë më intereson më pak, por të jesh i pranishëm në tribuna gjatë ndeshjes me Shqipërinë është një qëndrim politik. Besoja që atë ndeshje do ta shikoja me miqtë shqiptarë. Ndoshta do të qeshim me nacionalizmin e tifozëve të të dyja ekipeve, me disa mbishkrime që do të jenë në tribuna. Ndoshta dikush do të bëjë shaka në llogari të faktit të dhimbshëm që ekipi i Kosovës nuk mund të marrë pjesë në gara të këtilla.

Mandej filloi rrëfimi për ndeshjen e rrezikut të lartë. U ndalua prania e tifozëve të ekipit kundërshtar. Në media u plasuan informata për tri unaza të sigurisë dhe verifikimit të hollësishëm të secilit që dëshiron të hyjë në stadium. U krijua një atmosferë e tillë në të cilën unë nuk desha të marrë pjesë.

Megjithatë, kureshtja më shtyu që dy orë para fillimit të ndeshjes të shëtitem rrugëve të Beogradit dhe të dëgjoj për çka po flasin njerëzit që drejtohen kah stadiumi i Partizanit. Mediat tashmë më përgatitën mirë për skenarin që do ta hasja në rrugë. Shumë urrejtje, shumë thirrje për vrasje. Paralelisht me këtë, një mik nga Presheva më ftoi që t’i bashkëngjitesha për kafe para se të shkonte në ndeshje me disa shokë të tij. Një mik tjetër nga Prishtina lajmërohet se është drejtuar kah stadiumi dhe që ndeshjen do ta shikoi nga tribuna jugore.

Jam paksa e frikësuar. Nuk ndihem mirë kur i dëgjoj djelmoshat që nuk e njohin gjuhën shqipe, por me vetëbesim ua shajnë nënën shqiptarëve. Lumenj njerëzish kërcejnë në të njëjtin ritëm duke bërtitur kundër shqiptarëve. Miqtë e mi kryesisht kuptojnë serbisht, kështu që më vjen turp. Ata më pëshpërisin që kjo është në rregull: “Tifozët janë të njëjtë gjithkund!” Derisa e thonë këtë nga fytyra nuk iu hiqet ngërçi. Ngërç i shkaktuar nga frika. Heqin dorë nga shkuarja në ndeshje. Unë i inkurajoj që megjithatë të shkojnë, pasi që kanë kaluar një rrugë aq të gjatë. Të shkojnë për inat. Njëri më shpjegon që inati e ka sjellë atë në Beograd, por ai inat nuk ishte aq i fuqishëm sa të vazhdojë të hapërojë kah stadiumi.

Në fund nisemi kah banesa ime. Djaloshi nga Prishtina më thotë se vetëm atëherë filloi të marrë frymë normalisht. I frikohej çdo shikimi në rrugë. “Dikush do të më njoh që jam shqiptar”.

Ngrenim dolli derisa në transmetimin e ndeshjes luheshin himnet. “Sa më nervozojnë kur i fishkëllejnë himnit shqiptar!”, thotë shoqja dhe merr përgjigjen: “Paj, ashtu do të jetë edhe në Elbasan”.

Hajt, me gjasë duhet të jetë ashtu. Tanët e fishkëlluan edhe Marsejezën. Do të fishkëllohet edhe himni serb në Elbasan, siç fishkëllohet në Kroaci, ashtu siç do t’i fishkëllonin tifozët serbë himnit boshnjak. Do të ketë incidente në tribuna, përreth stadiumit, ndoshta disa tifozë do të hyjnë edhe në fushë. Dikush do të shpik diçka të re dhe më origjinale se droni. Por, për çka krejt kjo? Dhe kur do të marrë fund kjo?

Këto nuk janë incidente të zakonshme të huliganëve të mbledhur rreth rivalëve të përhershëm. Në këtë ndeshje më së paku ka pasur njerëz që kanë ardhur të bëjnë tifo zllëk dhe të mbështesin ekipin e tyre. Kjo është politikë. Kjo është pasojë e ekzistencës së konceptit të shteteve të mëdha nacionale në Ballkan. Pasojë e qeverive të papërgjegjshme në rajon, politikanëve të dobët të cilët, të udhëhequr nga interesa partiakë dhe personal, nuk i kuptojnë pasojat që politikat e tyre kanë në gjeneratat që vijnë. Ngjarje të këtilla janë reaksion ndaj deklaratave të përfaqësuesve të institucioneve dhe raportimit të mediave në Serbi dhe Shqipëri që kanë ndikim në gjithçka përveç në uljen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve. Kjo është pasojë e mosballafaqimit me të kaluarën, sistemit të dobët arsimor dhe futjes nën rrogoz të ngjarjeve të rënda të së kaluarës. Me një fjalë – ky është nacionalizëm.

Pothuajse jam e bindur që gjatë lojës së fundit në të cilën dikush nga Serbia është takuar në fushën e futbollit me përfaqësues të Shqipërisë (në vitin e largët 1967) në Kosovë nuk është bërë tifo për Jugosllavinë e atëhershme. Nuk është bërë tifo për ekipin kombëtar sepse deri para një viti në Kosovë kishte sunduar çizmja e Aleksandar Rankoviqit. Ndryshimi i klimës politike dhe përkushtimi serioz i dikujt në luftimin e nacionalizmit solli deri tek ajo që në vitin 1979 Sanije Hyseni t’ia dorëzojë stafetën Titos në stadiumin e mbushur plot të APJ-së, duke folur në gjuhën shqipe. Atëherë askush nuk fishkëlloi.

Askush nuk fishkëlloi as kur Iniciativa e të rinjve për të drejtat e njeriut në Serbi gjatë kampionatit të fundit botëror organizoi fushatën “Bëj tifozllëk për fqinjët”. Me dhjetëra të rinj kanë qëndruar në këmbë gjatë intonimit të himneve të Kroacisë dhe Bosnje Hercegovinës, flamujt e këtyre vendeve ishin në mur pranë atij serb, njerëzit nuk ndaheshin në “tanët” dhe “të tyre”. Ishte kjo zonë e çliruar nga nacionalizmi.

Vendet e Ballkanit Perëndimor i pret një punë e mundimshme në mënyrë që spektri politik nga e djathta të kalojë në të majtë, ashtu që sistematikisht dhe në mënyrë të përhershme t’i ndalet rruga nacionalizmit, që problemet politike të fillojnë të zgjidhen përmes kanaleve politike e futbolli t’u kthehet sportistëve. Ka shembuj të shumtë që tregojnë se një gjë e tillë është e mundur.

(Ky tekst në origjinal është shkruar në gjuhën serbe)