Nevoja për rikthim te prioritetet e Dialogut

Kosova dhe Serbia e kanë të qartë se cilat janë synimet mbi të cilat është ndërtuar procesi i dialogut. Megjithatë, sjellja e tyre vazhdon të dëshmojë një devijim evident nga ato që mund të quhen prioritete të një procesi që duhet të kulmojë me arritjen e marrëveshjes dhe njohjes reciproke.

0
250

Procesi i dialogut jo vetëm që është karakterizuar nga një progres i ngadaltë, por mund të konkludojmë që ekziston një nevojë e qartë për rikthim te prioritetet e një procesi të tillë. Më konkretisht, shtetet jo vetëm që kanë vazhduar ta perceptojnë procesin me një lloj egocentrizmi të vazhdueshëm, duke theksuar vazhdimisht perspektivën dhe interesat e tyre, por që tashmë edhe në një formë kanë humbur fokusin nga ajo për të cilën ky proces është krijuar në radhë të parë: arritja e një marrëveshjeje finale dhe arritja e njohjes reciproke. Kështu, çdo devijim nga këto prioritete në një forme delegjitimon procesin e dialogut dhe minon rëndësinë e tij si instrument për të arritur zgjidhje të natyrës politike mes dy shteteve.

Së pari është argumentuar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë po shndërrohet në një proces teknik. Pra, çështje të tilla si ajo e targave, ndonëse parimisht tregojnë tendencat e shteteve për reciprocitet, kanë një prirje të devijojnë nga synimet primare të dialogut dhe konkludimi i një procesi të tillë. Së fundmi për këtë është shprehur edhe lideri i Lidhjes Demokratikë të Kosovës, Lumir Abdixhiku duke deklaruar se “përderisa Kosova dhe Serbia mbeten në çështje teknike, sidomos Kosova, atëherë do të zgjatet në pafundësi dialogu dhe s’do të ketë fare rezultate sepse çështjet teknike nuk janë problemet bazike të dy vendeve.” Një deklaratë e tillë, ndonëse me tone opozitare, përmban një element të vërtetësisë kur dihet që çështjet teknike nuk i kontribuojnë procesit që kulmon me marrëveshjen dhe njohjen reciproke.

Po ashtu, procesi i dialogut do të vonohet pafundësisht nëse të dy shtetet, Kosova dhe Serbia, nuk përmbushin pritjet e faktorit ndërkombëtar për të qenë më konstruktivë në raport me kërkesat e tyre. Vlen të theksohet se ndonëse shteti i Kosovës ka ndjekur një linjë më të qartë pro-perëndimore, e njëjta nuk mund të thuhet për shtetin serb që së fundmi ka bërë një devijim të qartë nga perëndimi përmes kundërshtimit për të vënë sanksione ndaj Rusisë për veprimet e kësaj të fundit në Ukrainë. Lidhur me këtë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se “Republika e Kosovës ka dhënë maksimumin si një palë konstruktive në dialog që të arrihet një marrëveshje ashtu siç ka kërkuar edhe BE-ja por ne nuk mund të marrim përgjegjësi për bllokadën që po shkakton pala serbe”. Pra, pa patur një lloj bashkërendimi të veprimeve nga ana e të dy palëve, vështirë është të pretendohet për sukses në këtë proces.

Ndoshta argumenti më i rëndësishëm mbi nevojën për rikthim te prioritetet e dialogut për të dy  shtetet është se qasja e deritanishme nuk ka qenë produktive shikuar edhe nga interesat specifikë të palëve. As Kosova e as Serbia nuk është se kanë bërë ndonjë progres evident në “rrugën e tyre të premtuar” për integrim evropian dhe qasja e deritanishme vetëm sa do të pengojë një gjë të tillë. Në këtë kontekst, ndonëse shtetet respektive mund të kenë qenë efektivë në minimin e palës tjetër, nuk mund të thuhet që i kanë kontribuar perspektivës së tyre evropiane. Andaj, krahas arritjes së marrëveshjes, perspektiva evropiane për Kosovën dhe Serbinë mbetet një prioritet i pamohueshëm që duhet të derivojë nga një proces i tillë. 

Në teori, Kosova dhe Serbia e kanë të qartë se cilat janë synimet mbi të cilat është ndërtuar procesi i dialogut. Megjithatë, sjellja e tyre vazhdon të dëshmojë një devijim evident nga ato që mund të quhen prioritete të një procesi që duhet të kulmojë me arritjen e marrëveshjes dhe njohjes reciproke. Kështu, theksi te elementet teknike të procesit, mungesa e konstruktivitetit dhe një qasje përgjithësisht egocentrike përbëjnë një zhvendosje të qartë nga ajo që pritet në proces dhe një gjë e tillë fatkeqësisht nuk i kontribuon arritjes së ndonjë zgjidhjeje afatgjate.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.