Patriotizëm për kokë banori

Ata vetëm flasin me gjuhë të ndyshme, por e thonë të njëjtën gjë, duke e pasur parasysh vetëm dëshirën për marrjen e pushtetit politik dhe asgjë tjetër. Edhe të parët edhe të dytët i kanë dhënë popullit të vet edhe një dozë patriotizmi për kokë banori, tamam aq sa njërën palë ta mbajnë të frikësuar e tjetrën në gjendje ngërçi dhe dëshire për sendërtimin e ëndrrës shekullore, etj.

0
1043

Kaluan zgjedhjet, populli e tha të veten, subjektet politike po i fërkojnë duart dhe po shpresojnë në arritjen e qëllimeve të tyre përmes strukturave politike dhe institucioneve, nëse ato formohen fare pas më shumë se dy muaj vonese. Mirëpo, duhet të vërejmë se disa fantazma të së kaluarës, si asaj të afërtës ashtu edhe asaj më të largët, janë kthyer përsëri midis njerëzve dhe me vete kanë sjellur ndjenjën e shqetësimit dhe marrëdhënieve të tensionuara. Të gjitha këto do të ishin në shikim të parë të përballueshme nëse kjo ashtu edhe do të interpretohej, mirëpo, ashtu siç u dakorduam gati se të gjithë, tek ne pothuajse asgjë nuk është ashtu siç duket apo ashtu siç do të duhej të ishte. Kjo ndjenjë e cila u përhap në popull, në skenën ditore politike interpretohet si vërshim i patriotizmit dhe dëshirës për ruajtjen e prosperitetit të fituar me mund. Natyrisht është e tepërt të thuhet që në tërë këtë që u tha deri më tani ka më shumë ironi se sa realitet, e për këtë bile jemi të vetëdijshëm ne që po e përcjellim situatën e gjithmbarshme nga anash dhe në mënyrë të paanshme.   

Siç e thashë në fillim, zgjedhjet kaluan dhe tani populli pret një përmirësim në secilën sferë të jetës, edhepse diku në brendësi është i vetëdijshëm se këto janë vetëm edhe një palë zgjedhje në vargun e zgjedhjeve premtimet e të cilave do të harrohen shumë shpejt, nëse tashmë edhe nuk janë harruar, por kjo është bërë proverbiale, edhe të themi normale, kështu që edhe vetë populli është i gatshëm që të arsyetojë një sjellje të tillë dhe shumë lehtë të kalojë mbi to. Kjo nuk do të duhej të ishte ashtu, por jemi të vetëdijshëm se populli është i lodhur nga kërkimi i plotësimit të kërkesave të tij apo për plotësimin e asaj që është premtuar. Thjeshtë, populli nuk ka më fuqi për këtë, apo ndoshta edhe ka por e ka drejtuar atë kah mbijetesa dhe pritja e do zgjedhjeve të reja dhe disa premtimeve të reja.   

Po flas për të gjitha këto e gjatë kësaj nuk i ndava politikanët serbë nga ata shqiptarë në Kosovë, e këtë e bëra vetëm për një arsye. Ata vetëm flasin me gjuhë të ndyshme, por e thonë të njëjtën gjë, duke e pasur parasysh vetëm dëshirën për marrjen e pushtetit politik dhe asgjë tjetër. Edhe të parët edhe të dytët i kanë dhënë popullit të vet edhe një dozë patriotizmi për kokë banori, tamam aq sa njërën palë ta mbajnë të frikësuar e tjetrën në gjendje ngërçi dhe dëshire për sendërtimin e ëndrrës shekullore, etj. Dhe natyrisht, populli, sipas praktikës dhe shprehisë së ngulitur, atë dozë e ka pranuar me kënaqësi si ilaç të pajtimit dhe tolerancës, si ilaç kundër demokracisë dhe bashkëjetesës në një hapësirë shumë të ngushtë për një ngarkesë aq të madhe nacionale të dy popujve që i kundërvihen njëri-tjetrit. Pikërisht ai popull kaherë e ka kuptuar se nga ato premtime dhe nga ata politikanë nuk mund të presë thuajse asgjë, por për politikanët tanë, shkathtësia e të folurit është shumë më e rëndësishme se sa përmbajtja e po atij fjalimi. Sepse, do të pajtoheshit edhe ju, popullin duhet bindur brenda një afati sa më të shkurtër dhe në mënyrën më të mirë të mundshme e gjatë kësaj të mos leni hapësirë që dikush t’ju zë duke gënjyer apo të mbeteni pa thënë diçka. E hapësira ku jetojmë dhe rrethanat të cilat janë të tilla siç janë kanë diktuar se kjo më së miri mund të bëhet me një rrëfim të fortë patriotik përplot premtime të mëdha. 

Edhe serbët edhe shqiptarët gjatë fushatës zgjedhore kanë pranuar dozën e përmendur, të pavetëdijshëm se ai ilaç është në të vërtetë virus me një afat të caktuar të përdorimit, e ky është përafërsisht një mandat i qeverisjes, apo sipas nevojës edhe më pak, siç e pamë edhe në rastin e këtyre zgjedhjeve të parakohshme. A e vërejti dikush që të dy popujt kanë ardhur në vete dhe kanë kuptuar që i mundojnë të njëjtat brenga kështu që vendosi ta rrisë dozën apo edhe ndoshta ta ndryshojë atë ilaç, kjo veç kalon në sferën e hamendësimit, por është evidente që për politikanët një ide e tillë është gjithmonë e suksesshme. Këtë histori e kanë treguar shumë vetë dhe shumë të tjerë do ta përsërisin për të miliontën herë, por ajo edhe më tutje do të mbetet një reflektim i zbehtë mbi sipërfaqen e një moçali të vogël mbushur me krokodila të mëdhenj. Prej tërë kësaj imponohet përfundimi se nuk janë fajtorë politikanët, unë personalisht po filloj të mendoj se problemi qëndron tek vetë populli. Por le të jemi të kënaqur, e kemi marr dozën adekuate të ilaçit të fuqishëm, i cili ishte edhe falas, apo ndoshta do ta paguajmë me këste përafësisht 4 vite…