Pyetje, jo arsyetime

Kanë kaluar më shumë se tre muaj nga teksti i famshëm i presidentit serb Aleksandar Vučić, në lidhje me hapjen e dialogut mbi Kosovën. Nëse asgjë tjetër, ky tekst hapi dialogun midis autorëve në New Perspektiva dhe atë të autorëve nga komuniteti serb dhe ai shqiptar. Përveç se presidenti Vučić paralajmëroi se çka na pret, na dha edhe shansin që të tregojmë se çfarë mendojmë për planet e tij. Bile doli diçka e dobishme dhe mbi të gjitha tejet e rëndësishme.

0
1205

Ndërsa pluhuri që u ngrit me adresimin e tij përmes shtypit tashmë kishte rënë, e pritëm një fjalim të ri me po të njëjtën tematikë. Këtë herë përmes televizionit. Presidenti Vučić, duke iu drejtuar opinionit publik nga Presidenca e Serbisë, foli për qeverinë e sapoformuar në Kosovë. Duke theksuar që kjo nuk ka fare të bëjë me mbështetjen e Ramush Haradinajt, ai tha edhe se ky është opsioni më i mirë për serbët sepse, siç thotë ai, “serbët u lehtësuan”.

Në artikullin e tij “Nevoja për qartësi e përpjekje”, Jetlir Buja thotë se nuk sheh asgjë hipokrite në letrën e presidentit Vučić, sepse, siç thotë ai, Vučići, si çdo lider demokratik, e shfrytëzon letrën e tij për qëllim të transparencës. Me të vërtetë respektoj mendimin e secilit, dhe kjo është në rregull. Vetëm se nuk pajtohem me të. Para se të merremi me fjalimin e fundit të Vučićit, le t’i rikujtojmë vetëm tubimet e mëdha të Partisë Progresiste Serbe (dhe para tyre ato të Partisë Radikale Serbe), në të cilat Vučići të gjithë ata që hynin në dialog me Prishtinën i quante tradhtarë, e Kosova atëherë për të ishte ekskluzivisht Serbi. Kur disa vite pas deklaratave të tilla thoni se duhet pranuar realitetin, e ne të gjithë jemi të vetëdijshëm që kjo do të thotë pranimin e pavarësisë së Kosovës, unë këtë gjë e quaj hipokrizi. Në fund të fundit, në kërkim të një justifikimi, mund, e madje, do të themi se njerëzit dhe politika ndryshojnë, kështu që kjo është diçka normale.

Le t’i kthehemi fjalimit të fundit sa i përket Kosovës. Sipas Presidentit Vučić, ai nuk ka asnjë ndikim në mbështetjen e Listës Serbe për Haradinajn. Kur veq po flasim për mënyrën se si funksionon politika, a nuk tingëllon kjo deklaratë tepër e palogjikshme? Sepse sikur që jemi të vetëdijshëm se thotë që Kosova është zemra e Serbisë për të ruajtur popullaritetin e tij, ne po ashtu jemi të vetëdijshëm se si është krijuar Lista Serbe dhe kush ka çdo ndikim të mundshëm në të. Mund edhe të themi edhe se ky është Marko Đurić. Por jemi të vetëdijshëm se Marko Đurić-i i përgjigjet dikujt. Dhe natyrisht këtu nuk është fundi. “Serbët u lehtësuan”, thotë Presidenti Vučić. Ku ka logjikë se serbët u lehtësuan sepse kryeministër është dikush të cilin Serbia e konsideron kriminel lufte? Si u bë ashtu që Haradinaj është opsioni më i mirë, pas ngritjes së një paniku të tillë mediatik kur Haradinaj u lirua nga burgu në Francë? Nëse asgjë tjetër, deklaratat “Serbët u lehtësuan” dhe “Ramushi është krimineli i akuzuar i luftës” nuk shkojnë së bashku. Dhe ato nuk janë gjë tjetër veçse hipokrite dhe deklarata që nuk janë të drejta.

Shtrohet pyetja si do të ishte që serbët nga Kosova ta pranonin realitetin, që ata vetë, në vend të presidentit Vučić, ta kuptojnë se ku jetojnë. Këtu edhe qëndron problemi. Serbët e kanë kuptuar dhe kaherë janë të vetëdijshëm për këtë. Për këtë arsye edhe nuk është e drejtë që tani, pas gjithë procesit të integrimit nëpër të cilin po kalojnë, dikush të thotë se ata duhet ta pranojnë realitetin. Ata po e jetojnë këtë realitet dhe janë kaherë të vetëdijshëm për të. Dhe pikërisht për këtë arsye nuk është e drejtë kur po atyre serbëve u thuhet se janë zemra e Serbisë. Se ata nuk do të jenë kurrë pjesë e ndonjë shteti tjetër, derisa pikërisht ata serbë po bëhen çdo ditë gjithnjë e më shumë pjesë e institucioneve që nuk janë serbe. Mund të kërkojmë një milion e një justifikime për Vučić-in, ta quajmë atë politikë, por një gjë është e sigurt: kjo nuk është e drejtë. Nuk është e drejtë që serbëve që tashmë janë në rrugën e integrimit absolut t’u dërgohet një tren në të cilin shkruan se “Kosova është Serbi”. Nuk është e drejtë me provokime të tilla t’ua prishësh paqen të cilën e kanë humbur prej kohësh dhe që mezi e kanë rikthyer përkohësisht. Nuk është e drejtë t’u japësh atyre shpresë në diçka që është bërë e pamundur!

Në fund, Buja po ashtu thotë se duhet mirëkuptuar vullnetin për pushtet, kjo është diçka normale në politikë. Problemi im me këtë pohim është se unë nuk e pranoj një politikë të tillë. Politikanët duhet t’i shërbejnë popullit që i ka zgjedhur, e jo anasjelltas. Kjo është arsyeja pse unë nuk mund të pranoj atë që politikanët po bëjnë me ne. Loja me fatin dhe jetën e njerëzve  sigurisht nuk është në përshkrimin e vendit të tyre të punës. Vullneti për pushtet nuk mund dhe nuk guxon të jetë justifikim për kurrfarë veprimi. E të thuhet se Kosova është Serbi vetëm për hir të ruajtjes së pushtetit është në vetvete hipokrizi. Pikërisht për shkak të populizmit në të cilin po jetojmë në baza ditore, është e udhës që të shmangim justifikimet dhe të bëjmë pyetje. Të bëjmë pyetje dhe mos të lejojmë që dikush të na shfrytëzojë si lodra për ca poena politikë.