Qasja kundërthënëse e Serbisë në raport me faktorin ndërkombëtar

Ndonëse çështja e Ukrainës në pamje të parë nuk ka ndërlidhje direkte me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ajo ka dëshmuar që dallimet mes palëve janë më substanciale se sa dukeshin në fillim dhe që, shikuar nga ky prizëm, mund të shndërrohen në parakushte për bllokim edhe, më keq, për delegjitimim të të gjithë procesit të dialogut.

0
226

Lufta mes Ukrainës dhe Rusisë ka shpalosur edhe një element të ri në raport me dialogun Kosovën-Serbi. Më konkretisht, përderisa shteti i Kosovës ka dënuar një akt të tillë në mënyrë të qartë dhe ka dalë haptazi në anën e Ukrainës, dhe rrjedhimisht të Perëndimit, shteti i Serbisë është karakterizuar nga një qasje e paqartë në këtë drejtim dhe deri diku edhe pro-ruse duke patur parasysh që ka kundërshtuar sanksionet e e vendosura kundër Rusisë. Në këtë mënyrë, përpjekje të tilla kanë një tendencë për të delegjitimuar një proces sikur ai i dialogut që synon arritje të një marrëveshjeje mes dy shteteve që do të duhej të kishin njërin nga prioritetet edhe rrugën e integrimit evropian.

Së pari, kur themi që shtetet kanë orientim evropian ose edhe perëndimor, kjo politikisht duhet parë si një tendencë e qartë e shteteve për të përqafuar demokracinë liberale si sistemin ndoshta më të qëndrueshëm politik deri më tani. Lidhur me këtë, linja e ndjekur në këtë konflikt nga shteti serb duket se nuk dëshmon një gatishmëri të qartë të tyre për të bërë një tërheqje jo vetëm nga historia e afërsisë me shtetin rus, por edhe duke dëshmuar se, për interesa pragmatike, Serbia është e gatshme të dalë kundër Evropës edhe kur Evropa dhe bota në përgjithësi në masë të madhe kanë qenë të unifikuar. Pra, gatishmëria serbe për të mbështetur agresionin e një shteti, e mbi të gjitha një shteti me tendenca autoritare, dëshmon që ende Serbia nuk ka përqafuar vlerat demokratike siç duhet, si parakusht bazë për të qenë pjesë e familjes evropiane.

Edhe pse në politikë dhe shkenca shoqërore përgjithësisht të vërtetat janë kontekstuale dhe varen nga shumë faktorë, mund të arrihet në një lloj përfundimi që shteti serb ka një prirje për të mos vepruar në linjë me pritjet e Bashkimit Evropian (dhe faktorin ndërkombëtar në përgjithësi) edhe kur në fakt një veprim i tilë është parakusht që një proces i tillë si dialogut të ecë përpara. Duhet theksuar që këto veprime, jo gjithmonë konstruktive në raport me Kosovën nga ana e Serbisë,  duket se në një vazhdimësi kanë tendencë të minojnë ose, më keq, të delegjitimojnë procesin e dialogut. 

Procesi i dialogut mes Serbisë dhe Kosovës është delegjitimuar nga shteti serb edhe për faktin se, me qasjen e mjegullt të Serbisë ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë, duket se barrierat mes dy shteteve janë edhe më të mëdha se sa janë pretenduar të jenë deri në këtë pikë. Më saktë, tanimë mund të themi që shtetet jo vetëm që kanë mospërputhjet që vijnë nga temat që kanë të bëjnë direkt me njëra-tjetrën por që tani barrierë është edhe fakti që shtetet duket se nuk janë aspak koherente në linjat që ndjekin në raport me faktorin ndërkombëtar. Përkushtim pro-perëndimor i Kosovës nuk ndiqet me vullnet të njejtë nga ana e shtetit serb dhe kështu vë në pikëpyetje se si dialogu si proces mund të jetë rruga drejt Evropës për të dy shtetet e përfshira. Bazuar mbi këtë, përderisa shtetet fillojnë t’i thellojnë dallimet, nuk mund të pretendohet për progres.

Përfundimisht, ndonëse çështja e Ukrainës në pamje të parë nuk ka ndërlidhje direkte me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ajo ka dëshmuar që dallimet mes palëve janë më substanciale se sa dukeshin në fillim dhe që, shikuar nga ky prizëm, mund të shndërrohen në parakushte për bllokim e, më keq, për delegjitimi të të gjithë procesit të dialogut.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.