Sfidë apo provokim?

Midis popullatës serbe dhe asaj shqiptare ekziston një barrierë dhe është e qartë vija se deri ku guxohet të shkohet e që gjatë kësaj të mos e lëndoni palën tjetër. Mirëpo, të gjithë ata që janë të gatshëm për sfida të tilla apo të ngjashme duhet të pranojnë pasojat eventuale, derisa të mos bëhemi shoqëri që do të ulë mosdurimin dhe të rris tolerancën. Kjo qartazi nuk do të ndodhë së shpejti, e ndoshta nuk do të ndodhë kurrë nëse vazhdojnë të na udhëheqin këta që kanë interes që të destabilizojnë situatën, e të gjitha këto për shkak të interesit personal!

0
1275

Po e lexoj lajmin se një djalosh i nacionalitetit shqiptar është lënduar në pjesën veriore të Mitrovicës, më saktë në sheshin Shumadija apo tek përmendorja e princit Llazar. Një lajm i zakonshëm për Mitrovicën, por jo edhe për vendin ku ka ndodhur. Më duket se ky vend është bërë i popullarizuar për djelmoshat shqiptarë që janë të gatshëm për sfida, që përplot trimëri vijnë të bëjnë ca fotografi që të mburren nëpër rrjetet sociale. Ky nuk është rasti i vetëm, në fakt, në periudhën e kaluar disa herë është përsëritur eksponimi në këtë mënyrë kështu që duket se fotografimi para kësaj përmendoreje është bërë trend, sfidë.   

Ky incident ndodhi të dielën, më dy prill; një djalosh përfundoi në spital në Mitrovicën jugore, derisa i dyti në staconin policor kështu që guximi i tyre u kushtoi shtrenjtë. Incidente të tilla ka pasur edhe më parë, kështu që heroizmi nganjëherë kalonte pa u vërejtur, e në situata të tilla incidente kanë ndodhur mjaft shpesh. E gjitha për shkak të disa fotografive me të cilat do të eksponoheshin apo ndoshta qëllimi ka qenë diku tjetër, që të provokohet një pjesë e popullatës serbe në këtë qytet. Serbët e shohin këtë gjithsesi si provokim dhe ata që janë të pranishëm assesi nuk duan që t’u mbeten borxh „aventurierëve“ nga pjesa jugore e Ibrit prandaj incidentet për shkak të kësaj janë të pashmangshme. Shqiptarët nga Mitrovica jugore e dinë se si do të reagojnë serbët që ndodhen në afërsi të përmendores, kështu që nuk e kam të qartë përse kjo nevojë që të provokohet pala kundërshtare? Në të vërtetë pse të vësh në rrezik veten dhe të tjerët? Pse të vësh veten në një pozitë të tillë vetëm që t’i mahnitësh të tjerët?

Midis popullatës serbe dhe asaj shqiptare ekziston një barrierë dhe është e qartë vija se deri ku guxohet të shkohet e që gjatë kësaj të mos e lëndoni palën tjetër. Mirëpo, të gjithë ata që janë të gatshëm për sfida të tilla apo të ngjashme duhet të pranojnë pasojat eventuale, derisa të mos bëhemi shoqëri që do të ulë mosdurimin dhe të rris tolerancën. Kjo qartazi nuk do të ndodhë së shpejti, e ndoshta nuk do të ndodhë kurrë nëse vazhdojnë të na udhëheqin këta që kanë interes që të destabilizojnë situatën, e të gjitha këto për shkak të interesit personal! Problemet që i mban ky qytet, e të cilat fshihen pas përkatësisë kombëtare, datojnë qysh nga lufta, kështu që siguria e banorëve ende nuk mund të krahasohet me mjediset tjera në Kosovë. Vetëm shpresoj që nuk do të kulmojë me ndonjë ngjarje tragjike. 

Në qoftë se vazhdon ky trend, e gjatë kësaj nuk shtohen patrullat e policisë apo nuk gjendet ndonjë zgjidhje tjetër, banorët e kësaj pjese të qytetit do të duhet të harrojnë paqen. Më heret incidentet ndodhnin në afërsi të urës tashmë shumë të njohur, e tani në zemër të pjesës veriore të qytetit. Duket sikur po vërtetohet që të gjitha pengesat në urë kanë qenë bedenë të ruajtjes së paqes. A do të bartet tensioni në sheshin Shumadija me hapjen e urës dhe heqjen e  „Parkut të paqes“ apo janë këto vetëm ekscese të rastësishme mbetet të shohim në periudhën e ardhshme.