Shënimi i muajit

0
1565

Në shtator, tre muaj pas zgjedhjeve, u votua qeveria e re e Kosovës, me ç’rast kryeministri i sapozgjedhur, Ramush Haradinaj, e theksoi që në fjalimin e tij të parë në parlament se “dialogun me Serbinë e kemi pa alternativë edhe pse kemi një histori tragjike.” Haradinaj foli edhe për hapjen e një dialogu të brendshëm për të kuptuar, siç tha, “ndjenjën e qytetarëve, të popullit në tërësi, për këtë dialog.” Dialog të brendshëm kishte paralajmëruar para tij, në qershor, edhe Aleksandar  Vučić, me rastin e inaugurimit në postin e presidentit të Serbisë. Për këtë fokusim të udhëheqësve të vendeve respektive në dialogun e brendshëm mund të lexoni një përmbledhje të qëndrimeve të tyre në New Perspektiva.

Formimi i qeverisë me kryeministër Haradinajn u bë i mundur me hyrjen e Listës serbe (LS) në të. Kryetari i saj, Goran Rakić, u arsyetua duke thënë se me këtë hap të tyre “shumë shpejt do të formohet Bashkësia e komunave serbe,” që, sipas tij, ishte një nga kushtet e këtij subjekti politik për të qenë pjesë e qeverisë së re. Haradinaj nga ana e tij tha se nuk e di se me çfarë kushtesh më ka votuar Lista Serbe, nuk kam parë ndonjë kusht”.

Ishte çështja e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave serbe dhe një deklaratë e përfaqësueses së BE-së në Prishtinë, Natalya Apostolova, që nxiti reagime të Listës serbe disa ditë më vonë. Në një intervistë për Zërin, Apostolova theksoi se BE ka “inkurajuar formimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë serbe në përputhje me ligjet e Kosovës dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”. Lista serbe e dënoi në mënyrën më të ashpër këtë deklaratë të saj dhe tha se “LS dhe populli serb kurrë nuk do të pranojnë formimin e Bashkësisë jashtë asaj çfarë ka nënshkruar ekipi negociator i Beogradit”.  LS më tej u shpreh e zhgënjyer “nëse deklarata e zonjës Apostolova është qëndrim i BE-së, sepse kjo nënkupton se BE-ja nuk respekton as ato marrëveshje garantues të të cilave janë vetë ata”. Të rikujtojmë se para zonjës Apostolova, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, në fjalimin e saj në parlamentin e Kosovës në maj të vitit të kaluar pati thënë se Asociacioni/Bashkësia “do të themelohet brenda kornizës ligjore dhe qeverisëse të Kosovës. Ajo do të ndjekë vendimin e kohëve të fundit  të Gjykatës Kushtetuese, që ofron udhëzim për të siguruar se Statuti i Asociacionit/Bashkësisë do të reflektojë ligjet e Kosovës kur të hartohet.” Po këtë e ritheksoi edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie. Në një intervistë dhënë Kohës Ditore, ai tha: “për mua, Asociacioni ka të bëjë me forcimin e sovranitetit të Kosovës mbi të gjithë territorin e saj, eliminimin e strukturave paralale që drejtohen nga një shtet i huaj dhe vendosjen e të gjitha aspekteve të qeverive komunave (sic) vendosmërisht përbrenda sferës së dispozitave kushtetuese të Kosovës”.

Sidoqoftë, në reagimin e saj me rastin e formimit të qeverisë së re, Zyra e BE-së në Kosovë (në emër të Përfaqësueses së Posaçme të BE-së, EULEX-it dhe shefave të Misioneve të BE-së) e ritheksoi se marrëveshjet e arritura në dialog duhet të zbatohen plotësisht. Po ashtu, pak ditë më vonë, në vizitën e saj në Prishtinë, zyrtarja e shërbimit diplomatik të BE-së (EEAS), Angelina Eichhorst, porositi liderët kosovarë që të përkushtohen “me zemër e me mendje ndaj Dialogut me Beogradin” për të cilin tha se “do t’i mundësojë Kosovës të zgjidhë çështjet e hapura me Serbinë.” Në të njëjtën kohë në Beograd qëndroi komisari për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, me porosinë se Brukseli nuk dëshiron që ta importojë problemin e Kosovës nga dera e pasme dhe se “normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën është çështje që ka ndikim direkt në përparimin e mëtejmë të Serbisë në integrimet evropiane”.

Sa i përket përparimit konkret në terren – zbatimit të marrëveshjeve – për provën e radhës nuk do të duhet të presim më shumë se deri më 17 tetor për kur është thënë se “do të implementohet në tërësi” marrëveshja e Drejtësisë.