Shënimi i muajit

0
38

Prilli u mbyll me njoftimin se Ekipi Menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe zhvilloi takimin e parë me, siç u tha, ekspertë ligjor të vetqeverisjes lokale. Koordinatorja e ekipit, Vinka Radosavljević, citohet se ka thënë që “Ekipi menaxhues do ta bazojë punën e tij vetëm mbi bazën e marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut në Bruksel, ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, duke respektuar Kartën evropiane për vetëqeverisjen lokale dhe principet dhe vlerat tjera demokratike evropiane të kësaj fushe.”

Ekipi, i cili u kompletua në shtator të 2016-s, u riaktivizua në fillim të muajit nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe presidenti Hashim Thaçi.  Në njoftimin mbi krijimin e  ‘strukturave të reja gjithëpërfshirëse për Asociacionin e Komunave serbe’, thuhet se ky ekip do të bëjë hartimin e statutit për Asociacionin dhe se procesi “do të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës”. Përveç tre mekanizmave punues (Ekipi menaxhues, Komiteti zbatues si dhe Grupi nacional konsultativ, për të cilët thuhet se “do të garantojnë përfshirje të gjithë spektrit politik, shoqërisë civile dhe mekanizmave të tjerë relevant të shoqërisë”), në proces do të përfshihen edhe mekanizma ndërkombëtarë. Sipas kryeministrisë, drafti final i statutit, në fund të procesit, bashkë me direktivën, do të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese për t’u siguruar se është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

reagimin e parë të Beogradit, zyra për Kosovë e Serbisë, shprehu dyshimet e saj “në sinqeritetin me të cilin Prishtina me vonesë shumëvjeçare hyn në këtë proces,” duke shtuar se druajnë se “është fjala për manovër politike që ka për qëllim uljen e presionit ndërkombëtar, e jo respektimin e mirëfilltë të detyrimeve të marra në dialogun e Brukselit.”

Në kohën kur u bë publik njoftimi për riaktivizimin e Ekipit menaxhues, në Prishtinë po qëndronte Angelina Eichhorst, e  Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS). Ajo e përshëndeti “fillimin e hartimit të Statutit” dhe tha se BE do t’i ftojë kryenegociatorët nga Beogradi dhe Prishtina, ekipet e tyre, si dhe Ekipin Menaxhues dhe ekspertët teknikë për diskutime në Bruksel “që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim në procesin e hartimit”. Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijančić, nga ana e saj, e cilësoi këtë si hap të pritur gjatë që mundëson “fillimin e implementimit të marrëveshjes mbi Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe,” obligim të cilin Kosova e ka marrë përsipër në Dialogun e lehtësuar nga BE. Sipas saj, procesi i hartimit të statutit do të zhvillohet brenda një kornize katërmujore. Afati katërmujor duket se është marrë nga marrëveshja e gushtit 2015. Qeveria e Kosovës tha se synon ta përmbyll këtë proces brenda afatit të dhënë.


Kjo sa i përket hartimit të statutit, ndërkaq për themelimin e vetë Asociacionit, parashikimet janë të tjera. Zyrtarë kosovarë e lidhin këtë me marrëveshjen përfundimtare dhe ulësen në OKB për Kosovën. Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj tha se themelimi i Asociacionit duhet të ndodhë paralelisht me anëtarësimin e Kosovës në OKB ndërsa këshilltari i presidentit, Blerim Shala thotë se Asociacioni nuk do të bëhet pa u nënshkruar marrëveshja finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në kuadër të përgatitjeve për fazën finale, gjatë prillit, qeveria e Kosovës miratoi një platformë me të cilën zyrtarizohet roli udhëheqës i presidentit të vendit në dialogun me Serbinë, dhe po ashtu obligohet që rregullisht ta njoftojë Kuvendin për bisedimet që zhvillohen në Bruksel. Platforma i dërgohet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim. Në reagimet nga Beogradi thuhej se për këtë duhet të prononcohet vetë Bashkimi Evropian. Vetëm dy ditë më herët, Komisioni Evropian doli me raportet vjetore për shtetet individuale të rajonit. Raporti për Kosovën dhe ai për Serbinë përmbajnë nga një pjesë që flet për normalizimin e marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve. Në vështrimin e saj, Joanna Hanson e New Perspektivës përfundon se raportet “nuk e lehtësojnë të kuptuarit e procesit të normalizimit”. Hanson thotë se “Komisioni Evropian duhet të jetë më i drejtëpërdrejtë në vlerësimin e dialogut që po e lehtëson dhe në adresimin e çështjeve që kanë ndikim në jetën e njerëzve. Ky dështim për të qenë më të qartë në komunikim vetëm sa e nxit dyshimin për BE-në dhe për këtë proces të rëndësishëm.”

comments

SHARE