Shqiptarët dhe dy historitë e ndryshme komuniste

0
230

Më 12 shtator, New Perspektiva dhe D4D (Democracy for Development) e organizuan një debat lidhur me atë që mund të mësonin shqiptarët nga dy historitë e ndryshme gjatë periudhës së komunizmit. I ftuar ishte edhe publicisti shqiptar Fatos Lubonja i cili e problematizoi gjerësisht, siç ka bërë edhe në shkrimet e tij të mëparshme, çështjen e identitetit të përbashkët. Njerëzit mund të jenë ata që duan të jenë – ishte pak a shumë ideja e tij. Brenda identitetit të përbashkët – tha ai – ka edhe identitete të fshehura, që lidhen konkretisht me rrethanat politike: shembull, identiteti i përftuar në sistemin hoxhist, identiteti i përftuar në atë titist, në idenë e jugosllavizmit etj.

Megjithatë, është e qartë se ka një vijimësi në identifikimin e shqiptarëve të Kosovës si shqiptarë. Madje, edhe në një dimension politik – siç bëhet e ditur nga thuajse të gjitha partitë politike në Kosovë, në veçanti me Lëvizjen Vetëvendosje që në programin e saj e ka bashkimin me Shqipërinë. Të marrim si të mirëqenë këtë identitet në mënyrë që të problematizojmë çështjen e ‘historive të ndryshme komuniste’ dhe relacionit të saj me narrativën e mëpastajme që e ravijëzon të ardhmen tonë.

Për fat të mirë, Kosova pas Luftës së II-të botërore mbeti pjesë e ish-Jugosllavisë dhe nuk u bashkua me Shqipërinë ashtu siç kërkonte Konferenca e Bujanit. Kësisoj, shqiptarët e Kosovës nuk e pësuan dhunën e papërmbajtshme shtetërore që e kreu Enver Hoxha. Nuk ishin pjesë e shtetit më të izoluar e më të varfër në Evropë. Gëzuan arsimim më të mirë, të drejta të barabarta me kombësitë e tjera (të paktën deri në kohën kur pushteti u mor nga Millosheviqi), të drejta mbi pronën e tyre, më vonë edhe autonomi (prej 1974 deri në suprimimin e saj më 1989) dhe u zhvilluan më hovshëm ekonomikisht – siç nuk do të ndodhte nëse do të ishin pjesë e sistemit hoxhist.

Pra, shqiptarët (e Kosovës dhe Shqipërisë) i kanë dy histori të ndryshme komuniste. Dy pasqyra nga të cilat mund të shohin veten, nëse ia parakuptojnë e paramendojnë një identitet të përbashkët kombëtar a etnik a çkadoqoftë që ka pikëprekje me realitetin politik. Sidoqoftë, shkaku i ndikimeve që kishin narrativat për historinë, kjo nuk e ndalon një shqiptar nga Kosova që edhe sot të thotë “Shkitë janë kriminelë!” Është evidente se një shoqëri e dhunuar ka nevojë për një fajtor të dukshëm në mënyrë që të derdhë urrejtjen e saj. Kjo bëhet që urrejtja të kanalizohet, që të ketë adresën e saj konkrete. Përdorimi i urrejtjes është bërë gjithnjë përgjatë historisë. Por, a është ky fajtorizim, njëmend fajtorizim? Aspak. Madje, krejt e kundërta. Të bësh një përgjithësim të tillë nënkupton jo thjesht të bëhesh racist, por edhe të përjashtosh nga fajësia fajtorët e vërtetë: individët ose ligjërimet urrejtjendjellëse. Poashtu, ky përgjithësim e dëfton mosmarrjen parasysh të faktit që ata që i fusim në identitetin tonë, pra shqiptarët e Shqipërisë, e kishin një të kaluar edhe më represive e shtypëse.

Të ndalemi në këtë pikë. Nuk është e mundur t’i sajosh vetes një imazh krejt human pa i mbyllur sytë ose pa e hequr nga mendja faktin e lartpërmendur që vetë shqiptarët në një shtet shqiptar e organizuan një skemë dhune e shtypjeje me qëllim instalimin e një ideologjie komuniste. Komunizmi shqiptar ishte aq i rreptë dhe ngulmues në versionin e tij të komunizmit sa vrau e persekutoi secilin që thjesht mendonte ndryshe. Shqipëria nuk e kishte asnjë disident, ndërsa Jugosllavia i kishte qindra të tillë. Po ashtu, Shqipëria komuniste njihej si një vend fund e krye totalitar, që bënte gjithçka për të çrrënjosur dhunshëm sferat e painstitucionalizuara të pushtetit: moralin shoqëror, kanunin, pak më vonë edhe fenë (sado që kjo ruan një lidhje nënshtrimi me shtetin) etj.

Pra, edhe shqiptarët mund të vrasin dhe të kryejnë krime. Edhe shqiptarët mund të shtypin, dhe të jenë të padrejtë ndaj njëri-tjetrit dhe tjetrit po të kenë mundësi. Ose, ndoshta është e rrugës t’i heqim fare nga përdorimi ‘shqiptarët’ dhe ‘serbët’. Sepse, kjo nuk ka lidhje me asnjërin prej të dyve. Kjo ka lidhje me të qenët populist, urrejtjendjellës e i dhunshëm. Ky është mësimi që mund të marrim menjëherë sapo të shqyrtojmë këto dy histori të dhimbshme dhune dhe emancipimi. Dhe rrethana të tilla ka prodhuar edhe shoqëria shqiptare, ashtu si ajo serbe. Por, jo duke qenë shqiptare, e as ajo serbe duke qenë thjesht serbe.

Padyshim, serbët kanë pjesën e tyre të fajit për ligjërimet e tyre mbi historinë dhe paragjykimet që i bëjnë ndaj nesh. Duke na bërë të gjithëve kolektivisht të fajshëm për krimet që i kryen disa individë e disa ligjërime brenda nesh. Por, po të njëjtin faj e kemi edhe ne. Dhe këtu, sasia e krimit nuk duhet matur si kilogramët në peshore. Do të ishte një budallallëk i mosvetshëm.

Komunizmi ka provuar t’i lidhë njerëzit me vargonjtë e ideve dhe bindjeve të tyre, dhe kësisoj ka ndërhyrë ashpër në mënyrën sesi mendonin e ndjenin. Komunizmi shqiptar ushtronte kontroll të plotë madje edhe mbi kinematografinë dhe letërsinë e prodhuar. Dhe në një masë më të vogël, këtë e bënte edhe komunizmi jugosllav. Sidomos në mostolerimin e bindjeve nacionaliste mes të dyja shoqërive. Njësimi i rrethanave politike, ligjërimeve e individëve nga narrativat historike bëhet për arsye politike. Me shembjen e Jugosllavisë ligjërimet nacionaliste në të gjitha shtetet përbërëse të saj u forcuan. U paraqitën si alternativa çliruese. Kështu u paraqit edhe Millosheviqi i cili më 1989 iu premtoi serbëve në Kosovë se asnjë shqiptar nuk do t’i rrihte më. Dhe kështu bëri UÇK-ja, që si mësymje parësore e kishte pikërisht çlirimin. Çlirimin nga kush? Jo nga një sistem i padrejtë shtypës, por konkretisht nga ‘serbët e këqinj’.

Është më e zorshme të mendohet historia pa konceptet religjioze të ‘së mirës’ dhe ‘së keqes’. Dhe sidomos nëse këto nuk ia atribuojmë tjetrit si një subjekt nga i cili buron njëra ose tjetra. Por, një shkëputje nga një kuptim i tillë i historisë është i domosdoshëm në mënyrë që të mos mbillet më shumë urrejtje e potencë për dhunë.

Zeri 17-Oct-2017 12-35-03

comments

SHARE