Skenarët e “Finales së Madhe” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Studimi Skenarët e “Finales së Madhe” përqendrohet në tre skenarë kryesorë të mundshëm: a) vazhdimi i status quo-së; b) normalizimi i plotë përmes një traktati/marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme; dhe c) aranzhime të reja territoriale në parimin e reciprocitetit dhe proporcionalitetit të plotë (veriu i Kosovës për Luginën e Preshevës). Udhëheqës institucional e kanë përjashtuar skenarin e parë dhe të tretë, derisa i dyti konsiderohet si më i pëlqyeshmi për t’i dhënë zgjidhje problemit Kosovë-Serbi

0
69

Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA), dhe Grupi për Hulumtim të Politikave në Ballkan (BPRG) kanë publikuar studimin me titull, Skenarët e “Finales së Madhe” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast është mbajtur edhe një tryezë ku pjesëmarrës ishin udhëheqës të institucioneve, përfaqësues të partive, shoqërisë civile si dhe diplomatë të huaj.

Ky studim përmban një analizë të detajuar të skenarëve kryesorë të mundshëm për një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe një listë rekomandimesh konkrete për politikbërësit para fillimit të fazës përfundimtare të dialogut. Studimi përqendrohet në tre skenarë: a) vazhdimi i status quo-së; b) normalizimi i plotë përmes një traktati/marrëveshje ligjërisht të detyrueshme; dhe c) aranzhime të reja territoriale në parimin e reciprocitetit dhe proporcionalitetit të plotë (veriu i Kosovës për Luginën e Preshevës).

Sipas skenarit të parë, që, sipas autorëve, deri diku është një skenar jo mirë i menduar, nuk do të ketë dialog, ku të dyja palët do të qëndronin në pozicione diametralisht të kundërta në çështjet kyçe që kanë të bëjnë me statusin e Kosovës dhe ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë. “Me siguri, një skenar i tillë do të çimentonte ndarjen aktuale etnike si dhe mbivendosjen e institucioneve Kosovare dhe Serbe në Kosovë, dhe për më keq mund të rrezikonte nivelin e stabilitetit (relativ) dhe komunikimin politik ndëretnik në Kosovë”, thuhet në studim. Po ashtu frika është se tërheqja nga dialogu do të kthente gjendjen e mëparshme: “gjërat mund të kthehen aty ku ishin në pikën fillestare dhe të gjitha arritjet e Kosovës mund të zhbëheshin, dhe mund të ktheheshim në një situatë ku nuk do te kishim qasje në atë pjesë [veriu i Kosovës]”.

Skenari i dytë përfshinë nënshkrimin e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë që do të hapte rrugën për normalizimin e vërtetë të marrëdhënieve. Një skenar i tillë përfshin të paktën dy modalitete të ndryshme: II (a) Normalizimin e plotë përmes njohjes reciproke që konfirmon shtetësinë e Kosovës brenda dhe jashtë, në këmbim të mbrojtjes dhe shtimit të të drejtave politike, kulturore dhe fetare për Serbët e Kosovës (në përputhje me Kushtetutën e Kosovës) si dhe përshpejtimin e integrimit të Serbisë në BE. II (b) Kosova dhe Serbia nënshkruajnë një marrëveshje ligjore të obligueshme, me të cilën Serbia njeh sistemin politik dhe ligjor të Kosovës (duke përfshirë mundësinë për të fituar një ulëse në OKB), por pa njohje formale, në këmbim të të drejtave të zgjeruara politike, kulturore dhe fetare dhe mbrojtje për serbët e Kosovës (në përputhje me Kushtetutën e Kosovës),si dhe integrim të përshpejtuar në BE për Serbinë. Shumica absolute e të intervistuarve duket se kanë një pikëpamje pozitive për një zgjidhje të tillë.

Skenari i tretë është i bazuar në parimin “quid pro quo” (diçka për diçka): komunat e dominuara nga serbët në veri të Kosovës, të cilat mbesin kryesisht nën kontrollin e strukturave të Serbisë, do t’i bashkoheshin Serbisë, ndërsa Lugina e Preshevës do t’i bashkohej Kosovës. Sipas studimit, ky është skenari më pak i mundshëm, më kompleks dhe potencialisht një skenar i rrezikshëm, por ende mbetet një skenar i mundshëm. Në fakt, ky skenar është i bazuar në deklarimet e të intervistuarve dhe përfitimet eventuale reciproke që mund t’i kenë Kosova dhe Serbia. Së pari, në parim do të mbyllte mosmarrëveshjen shekullore territoriale mbi Kosovën; 2) Do të mundësonte njohjen e Kosovës nga Serbia si dhe sovranitetin dhe subjektivitetin e plotë ndërkombëtar; 3) Do të zgjeronte sovranitetin e brendshëm, legjitimitetin shtetëror dhe do të mundësonte një integrim më të shpejtë dhe më kuptimplotë për serbët në sistemin kosovar, si qytetarë të barabartë.

Në studim është këshilluar që institucionet e Kosovës të shmangin skenarin e parë dhe të tretë, me preferencë për variantin e parë. Po ashtu aty thuhet se duhet “të ndërtohet një konsensus i gjerë politik dhe shoqëror dhe mbikëqyrje e vazhdueshme parlamentare; Liderët e Kosovës të insistojnë që faza përfundimtare e dialogut të ketë një afat të qartë kohor dhe të rezultojë me një marrëveshje përfundimtare, si dhe; Çdo marrëveshje përfundimtare të diskutohet në publik dhe e njëjta të miratohet nga Kuvendi i Kosovës me shumicë prej 2/3 të votave”.

Udhëheqësit përjashtojnë “status quo-në” dhe ndarjen

Duke folur për skenarët e “Finales së Madhe”, presidenti Hashim Thaçi tha se nuk mund të ketë njëlloj gjendjeje të ngrirë në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, nuk mund të ketë më “status quo” dhe se ka ardhur koha për marrëveshjen e madhe historike mes Kosovës dhe Serbisë. Presidenti tha se arritja e një marrëveshje ligjërisht obligative është interes nacional i të gjithëve dhe për këtë duhet unifikim. “Kur flasim për dialogun e pakryer të Kosovës dhe Serbisë, është gjithashtu e vërtetë që ka gjithnjë e më pak durim për të zhvilluar tutje bisedimet në Bruksel, pa një afat të qartë kohor për rrumbullakimin e tyre, pa një synim të qartë se çfarë përmbajtje duhet të ketë marrëveshja në mes të dy shteteve, pa mekanizmat e qartë ndërkombëtarë që do të garantojnë zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Thaçi. Ai shtoi se BE-ja dhe SHBA-ja së bashku, do të duhej të jenë garantues, jo vetëm në arritjen e kësaj marrëveshjeje të madhe, por edhe të zbatimit të saj, me afate shumë konkrete kohore dhe me mekanizma ndërkombëtarë të verifikimit të implementimit të saj.

Por kryeministri Ramush Haradinaj është shfaqur skeptik për rolin e BE-ë në këtë proces, derisa e ka kritikuar atë për mungesë vullneti në zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë. “Nëse Brukseli zyrtar nuk ka kapacitet për ta mbyllur këtë temë le të kërkojë ndihmë, ose nëse nuk dëshiron ndihmë, të na tregojë se çka të bëjmë ne dhe ne shkojmë në drejtimin tonë ashtu sikur kemi ditur ta bëjmë në të kaluarën”, tha kryeministri. Ai nuk e përjashtoi edhe mundësinë e mobilizimit të shqiptarëve në Ballkan nëse Brukseli nuk tregon vullnet për t’i dhënë zgjidhje problemeve. “Finalja është një, është njohja reciproke e cila duhet të ndodhë. Kush e ka guximin, fuqinë apo ndonjë instrument le të ndihmojë. Kush nuk e ka, duhet t’i thotë Kosovës shko rrugës tënde. Kur e thotë këtë, atëherë shqiptarët në Ballkan duhet ta pyesin vetën se a mund të ecim kështu si jemi apo çfarë duhet të bëjmë”, është shprehur kryeministri Haradinaj.

Opozita i quan të rrezikshme pretendimet e Serbisë

Ndërkaq drejtues të partive opozitare kërkuan kujdes në këtë proces, pasi sipas tyre pretendimet e Serbisë e minojnë shtetin e Kosovës.

“Që dialogu të jetë i suksesshëm duhet ta kuptojmë se çka synon Serbia. Para se ta kritikojmë BE-n duhet t’a kundërshtojmë Beogradin i cili qartazi e synon Bosnjëzimin e Kosovës”, tha kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ai përsëriti se për Kosovën duhet të jetë prioritet bashkimi i Mitrovicës e jo ulësja në OKB. Por e qartësoi se nuk është kundër anëtarësimit në këtë organizatë. Lideri i VV-s është pajtuar me disa prej rekomandimeve të dhëna në studim. Sipas Kurtit, është shumë i vlefshëm rekomandimi që i bënë thirrje qeverisë për rishikim të marrëveshjeve ekzistuese, si dhe ai që bënë thirrje për konsensus të gjerë dhe mbikëqyrje parlamentare të dialogut. Për të është shumë i rëndësishëm edhe rekomandimi që qeveria t’a intensifikojë dialogun e brendshëm me serbët. 

Ndërkaq nënkryetari i LDK-s, Lutfi Haziri, tha se “dialogu duhet ta ketë mandatin e kuvendit të Republikës së Kosovës, me koordinim të gjerë”. Ai po ashtu kërkoi të largohet dyshimi i agjendave të fshehura në proces. “Publiku vazhdon të vuan nga ajo se Bashkësia Ndërkombëtare ka agjendë të fshehur për Kosovën, veçmas Bashkimi Evropian. Eliminimi i frikës, vendosja e një konsensusi politik dhe një kontroll i fuqishëm parlamentar do të bënte që ky proces të shkojë drejt mbylljes”, tha Haziri.

Rashiq: Duhet të ketë diskutime gjithëpërfshirëse

Për domosdomshmërinë e një transparence më të madhe dhe dialogun me serbët e Kosovës ka folur edhe politikani nga radhët e këtij komuniteti, Nenad Rašić. Ai ka thënë se duhet të ketë diskutime gjithëpërfshirëse, duke angazhuar vëzhgues apo pjesëmarrës jopolitikë në bisedimet e Brukselit. “Kjo do të bëhej me qëllimin që neve t’na informojnë për ato që kanë ndodhur, në mënyrë që të mos keqinformohemi. Deri tani nuk kemi pasur as dialog të brendshëm as të jashtëm me serbët, edhe pse ata janë motivi për inicimin e procesit. Ne më shumë jemi vëzhgues për vendimet që merren për fatin tonë”, tha ish-ministri Rašić.

Në tryezën e diskutimit ideja e shkëmbimit të territoreve është kundërshtuar edhe nga përfaqësues të Luginës së Preshevës. Shaip Kamberi, kryetar i komunës se Bujanocit, ka thënë se askush në Luginë nuk mund të ketë ambicie që e rrezikojmë shtetësinë e Kosovës.

Megjithëse ishte ftuar, në tryezë nuk ka marrë pjesë shefja e BE-s për Kosovë, Natalya Apostolova, as zyrtarë tjerë të Brukselit. Por, pjesëmarrës ka qenë ambasadori amerikan, Greg Delawie, i cili ka përmendur disa të arritura në dialog sikurse integrimi i drejtësisë, policisë si dhe mbledhja e të hyrave doganore në veri. Ai ka përgëzuar udhëheqësit për veprimet e ndërmarra në themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe.

Drejtori i Grupit për Hulumtim të Politikave në Ballkan, Naim Rashiti ka thënë se kjo formë e diskutimeve do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Studimi i publikuar është mbështetur nga Ambasada Norvegjeze në Prishtinë.

comments

SHARE