Vuçiq: Thaçi u pajtua që të bashkëpunojmë në hetimet për vrasjen e Ivanoviq

0
657

Presidenti Aleksandar Vuçiq ka thënë se homologu i tij nga Kosova, Hashim Thaçi është shprehur i gatshëm që të bashkëpunoj me Serbinë për zbardhjen e vrasjes së liderit serb të SDP-së, Oliver Ivanoviq.

Pas një bisede telefonike me Thaçin, të zhvilluar dje pasdite, Vuçiq ka kërkuar nga Thaçi përfshirjen e autoriteteve serbe për zbardhjen e vrasjes, ndërsa Thaçi i ka thënë se autoritetet kosovare janë të gatshme të bashkëpunojnë dhe ta pranojnë çdo ndihmë për zgjidhjen e këtij rasti, shkruan Periskopi.

Dy presidentët janë pajtuar po ashtu për vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beogradi, si dhe bashkëpunimin për stabilimin e situatës në Kosovë.

Këtë bisedë e ka konfirmuar edhe Presidenti Thaçi dje përmes Facebook-ut.

“Lidhur me këtë çështje Presidenti Thaçi ka siguruar Presidentin Vuçiç se organet përgjegjëse të prokurorisë dhe policisë janë duke bërë hetime intensive për zbulimin dhe sjelljen përpara drejtësisë të atyre që e kanë bërë këtë vrasje. Presidenti Thaçi gjithashtu theksoi se, organet kompetente të Republikës së Kosovës janë të gatshëm që në përputhje me legjislacionin në fuqi të bashkëpunojnë dhe të pranojnë çfarëdo ndihme, e cila mund të çojë drejt zbardhjes së kësaj vrasjeje”, u tha në njoftimin e Presidentit.

(periskopi.com, 18/01/2018)