Shënimi i muajit

0
533

Ndonëse i shkurtër, muaji këtë herë ishte i ngjeshur me zhvillime në fushën e Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë – më shumë se muajt e tjerë për tashmë një kohë të gjatë. Më në fund, pas më shumë se një viti, në Bruksel u takuan dy delegacionet për bisedime teknike që fillimisht ishin caktuar për në mes të janarit por që nuk ndodhën për shkak të vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanović, në Mitrovicën e veriut. Në takimin dyditor (26 e 27 shkurt), delegacioni serb dhe ai kosovar, i cili ishte me përbërje dhe kryesues të ri, biseduan mbi zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani. Palët nuk bënë deklarata pas takimit meqë ishin pajtuar që “komentet t’i bëj zyra për informim e BE-së”. Kështu, zëdhënësja, Maja Kocijančič, i vlerësoi diskutimet si konstruktive dhe tha se “delegacionet kanë biseduar për shumë çështje dhe hapa, për të cilat tash do të punojnë, në kuptimin që të arrihet deri te zbatimi i tyre dhe për normalizimin e ardhshëm të marrëdhënieve. Në këtë kontekst, ata do t’i vazhdojnë bisedimet muajin e ardhshëm dhe do të punojnë për zbatimin e marrëveshjeve për lirinë e lëvizjes, IBM-së, Asociacionit apo Bashkësisë, për urën në Mitrovicë dhe për energjetikën.” Sipas Kocijančič-it, “gjatë muajit mars në kuadër të dialogut në Bruksel, pritet të mbahet edhe takimi i nivelit politik, ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vučić”.

Vazhdimin e dialogut teknik pas gjithë kësaj kohe, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, e quajti hap shumë inkurajues. Në një takim në Prishtinë me studentë, sipërmarrës të rinj, gazetarë dhe, siç u cilësuan, pjesëtarë të lidershipit të ri politik të Kosovës, Mogherini iu përgjigj disa pyetjeve që kishin të bënin me mungesën e transparencës në Dialog, gjë që po e dëmtonte edhe kredibilitetin e tij, mungesën e mbështetjes popullore për të, mungesën e mekanizmave të implementimit dhe mospërfaqësimin e serbëve të Kosovës në të. Ajo tha se implementimi i marrëveshjeve të arritura nuk ishte i kënaqshëm për te dhe se palët duhej të fokusoheshin në implementimin e marrëveshjeve përndryshe “dobësohet kredibiliteti i procesit”. Sipas saj, shpjegimi i rezultateve të dialogut ishte përgjegjësi kolektive dhe për këtë duhej bërë përpjekje kolektive. “Ju merrni vendim, pajtoheni për një marrëveshje, merrni përgjegjësinë, ua shpjegoni qytetarëve tuaj përse është e mirë për ta, përndryshe nuk e merrni atë vendim. Po ashtu është edhe përgjegjësi për ta realizuar sepse nëse nuk e implementoni marrëveshjen për të cilën keni besuar se ishte e mirë për qytetarët tuaj atëherë nuk vijnë rezultatet e mira për qytetarët tuaj, e pastaj është lehtë të fajësohet Dialogu,” tha Mogherini, e cila ndodhej në Prishtinë bashkë me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe Komisionerin e Zgjerimit, Johanes Hahn, në kuadër të turneut ballkanik pas miratimit të Strategjisë së BE-së për “një perspektivë të besueshme të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor dhe angazhimin e shtuar të BE-së me Ballkanin Perëndimor.”

Strategjia e BE-së thotë se “pa normalizim efikas dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës përmes Dialogut të lehtësuar nga BE nuk mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm në rajon. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse e detyrueshme ligjore është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Serbia dhe Kosova të mund të përparojnë në rrugët e tyre respektive evropiane.” Ajo u bë publike në fillim të muajit dhe gjatë gjithë shkurtit u spekulua se çfarë nënkuptonte një “marrëveshje e detyrueshme ligjore” dhe deri kur duhej arritur ajo mes palëve.  Johanes Hahn konsideron se “është shumë herët të thuhet se si do të materializohet normalizimi i marrëdhënieve.” Ambasadori britanik në Beograd, Denis Keefe thotë se “arritja e marrëveshjes së detyrueshme ligjore mbi normalizimin e marrëdhënieve është detyrë e vështirë për të dyja palët, askush ende nuk e di se çfarë nënkupton saktësisht plotësimi i saj, por ajo do të duhet plotësuar në mënyrë që Serbisë t’i mundësohet pranimi në BE.” Këshilltari i presidentit të Kosovës, Blerim Shala, ofron disa të dhëna se çfarë duhet të përmbajë ajo. Sipas tij “çështja e normalizimit, finalja e saj do të nënkuptojë njohjen e Kosovës nga Serbia… nuk ka marrëveshje obligative e cila nuk supozon se Kosova nuk do të jetë shtet anëtar i OKB-së.” Ndërsa ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, në një intervistë për New Perspektivën, thotë se marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë duhet të plotësojë kërkesat e Strategjisë e re të BE-së “e cila kërkon nga shtetet të mbyllin çështjet e hapura dy palëshe, të kenë të definuar territorin e tyre me marrëveshjet bilaterale të demarkacionit, si dhe që asnjë shtet i ri që pranohet në BE nuk mund ta bllokojë pranimin e shteteve tjera.”

Sa i përket afatit të arritjes së kësaj marrëveshjeje, vetë Mogherini shprehet optimiste se ajo do të arrihet brenda mandatit të saj, deri në fund të vitit 2019, ndërkaq presidenti i Kosovës është i bindur se “marrëveshja përfundimtare historike” do të arrihet sivjet! “Nëse nuk ndodh sivjet, do ta humbasim edhe një dekadë. Derisa Kosova dhe Serbia nuk rregullojnë këto çështje të hapura mes tyre, do të jemi peng i njëri-tjetrit në të ardhmen europiane,” thotë ai.