A është Mitrovica e ardhmja e Kosovës?

Mitrovica është bërë sinonim i një qyteti të ndarë, me shqiptarët dhe serbët në ngërç mbi lumin Ibër. Por më shumë se 20 vite pas lufte dhe nëpër vite zhvillimi, shtendosjeje dhe shpërthimesh të herëpashershme të tensioneve, Mitrovica po ndryshon në të dyja anët.

0
201

Nëse shkoni sot në Mitrovicë, aty ku dy pjesët e qytetit kundrojnë njëra-tjetrën mbi lumin Ibër, do të shihni se ura kryesore e kontestuar është një shteg për këmbësorë, me stola për t’u ulur dhe shijuar lumin dhe malet. Në anën veriore gjendet Lagja e Boshnjakëve, por edhe një vendkalim për këmbësorë që sapo është ndërtuar. Disa blloqe çimentoje të mbetura nga një protestë me bllokadë të improvizuar prej para disa vitesh dhe karabinierë të mërzitur që vazhdojnë të qëndrojnë tek hyrja.

Në anën jugore ndodhet një restorant italian dhe një zonë ku fëmijët mund të luajnë në breg të lumit. Qendra e re tregtare e Mitrovicës po ndërtohet gjithashtu në jug të Ibrit, me një degë të kompanisë së sapoardhur gjermane, Rossman. Në pjesën lindore, Qendra tregtare ETC dhe Lux Mall janë të ndërtuara afër Lagjes së Boshnjakëve.

Nora Prekazi Hoti është zyrtare për komunikim e festivalit vjetor të arteve dhe mjedisit, Green, i cili këtë vit u mbajt nga data 16 – 20 gusht në jug të Mitrovicës, në bashkëpunim me Muzeun e Mitrovicës dhe organizatën ‘7 Arte’.

Me origjinë nga Mitrovica, ajo u kthye në këtë qytet pasi kaloi një kohë në Prishtinë, Tiranë dhe jashtë vendit. Tani punon në Muzeun e Mitrovicës dhe shkruan poezi. “Unë besoj që Mitrovica është e ardhmja,” thotë Prekazi Hoti, “ne jemi qyteti më interesant në Kosovë.” Ajo flet për diversitetin kulturor, bukurinë e mjedisit dhe mundësinë për të jetuar me ajër më të pastër, lumenj dhe hapësira të hapura publike.

Herën e parë kur ‘7 Arte’, organizatë e artit dhe kulturës, shfaqi një film te ura mbi Ibër në anën jugore, dikush hodhi në audiencë një fishekzjarre nga ana veriore. Festivali Green filloi një vit më vonë, dhe tani është në vitin e tij të njëmbëdhjetë me pjesëmarrje të njerëzve nga të gjitha komunitetet.

Milica Andrić Rakić, drejtuese në Inciativa e Re Sociale (NSI), OJQ në Mitrovicën veriore, dhe korrespondente për Deutsche Welle në serbisht, pajtohet se gjërat kanë ndryshuar për të mirë në aspektin e komunikimit etnik, “dhe një gjë të cilës nuk i është dhënë mjaft meritë është marrëveshja [raundi i parë] e Brukselit, sepse të gjithë harruan se marrëveshja e Brukselit kishte të bënte me integrimin e Kosovës veriore, dhe në disa aspekte, përmirësimin e jetës, duke shtuar kontaktet mes komuniteteve.” Ajo thotë se punonjësit e sistemit gjyqësor, në veçanti, lëvizin sa këtu, sa atje, “kështu që kemi një nga ndërtesat e gjykatës në veri, një tjetër për kundërvajtje dhe të mitur në jug.”

Për Prekazi Hotin gjërat filluan të ndryshojnë për shkak të ekonomisë. “Njerëzit kishin nevojë të blejnë, të shesin,” thotë ajo, “dhe mund të them se kjo në fakt ka ndryshuar pozitivisht, por nuk mund të them se ka ndodhur për shkak të politikës, mendoj se ka ardhur nga nevoja për mbijetesë. Dhe ne jemi njerëz në fund të fundit, kur keni një ndërveprim kjo do të thotë më shumë mirëkuptim, më shumë diskutime.”

Por Mitrovica ende perceptohet si një qytet i rrezikshëm. Të dy bashkëbisedueset nuk pajtohen me këtë dhe ankohen se media i kushton vëmendje Mitrovicës vetëm nëse ndodh ndonjë incident dhe kjo po e krijon këtë perceptim tek njerëzit. Prekazi Hoti thotë, “nëse dikush hedh një gur, të gjitha mediat e mbulojnë atë. Askush nuk e mbulon skenën kulturore, dhe kjo është diçka shumë, shumë e keqe… kur reflektohen vetëm lajmet e këqija.”

Rikthimi i qytetit nënkupton edhe angazhimin përmes infrastrukturës. Të dy komunat e Mitrovicës pësuan rëndë në luftë dhe duhej të rindërtoheshin. Kjo do të thotë shumë më tepër sesa vetëm rrugët dhe ndërtesat.

Omar Siddique, kreu i UN-Habitat në Kosovë, thotë se sfida më e madhe nuk ishte ndërtimi i rrugëve, rregullimi i parkut apo shkrimi i një dokumenti. “Ajo që mori më së shumti kohë ishte besimi, besimi midis komuniteteve, besimi midis komuniteteve dhe qeverisë lokale, besimi midis qeverisë lokale dhe qeverisë qendrore, dhe sinqerisht besimi në bashkësinë ndërkombëtare”.

BE -ja mbështeti ndërtimin e zonës për këmbësorë dhe sallën e sporteve në Mitrovicën e jugut dhe zonën në qendër të qytetit në Mitrovicën e veriut. Por një projekt i ri në shkallë të gjerë i UN-Habitat-it sapo ka filluar që do të lidhë më tej komunat në veri të Kosovës.

Agjencia më e madhe globalisht e KB-së po punon në Programin e Zhvillimit Gjithëpërfshirës, një projekt i planifikimit urban dhe mjedisor, i financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim, komunat, CBM Mitrovica, qeveria qendrore dhe UN-Habitat-i.

Zanafilla e gjithë kësaj ishte marrëveshja e fundit e Brukselit, “ku fliste për integrimin e komunave të Veriut”, thotë Siddique. Projekti është një përpjekje afatgjatë që për qëllim ka përmirësimin e komunave për të gjithë banorët, përfshirë skemat e lëvizshmërisë, krijimin e turizmit ekologjik dhe kulturor. Inkurajimi i bashkëpunimit ndërkomunal është gjithashtu një objektiv kryesor i planit, i cili bashkon njerëz nga të gjitha komunitetet për të punuar së bashku dhe për të krijuar lidhje.

“Kur flas me njerëzit atje, ata thjesht duan të vazhdojnë me jetën e tyre,” thotë Siddique dhe shton “e gjithë drama gjeopolitike mënjanë, ata duan ujë të pastër, vende pune dhe objekte shkollore për fëmijët e tyre dhe gjëra si këto, kështu që kjo është me të vërtetë fokusi ynë … ndërtimi i këtyre komuniteteve ku mund të jetohet.”

Prekazi Hoti thotë se njerëzit në Mitrovicë kanë “zemra prej hekuri”, sepse ata janë fëmijë të luftës. “Unë kurrë nuk do të bëja diku tjetër këtë që bëj, por e bëj këtu për shkak të dashurisë ndaj qytetit dhe gjendjes këtu.”

SHARE