A kam nevojë t’a kaloj urën?

Nuk e mbaj mend kur e kam kaluar se fundi urën kryesore mbi lumin Ibër, e cila që nga 99-ta u bë skenë e protestave të dhunshme ndëretnike, duke lënë pas vetës disa të vrarë e dhjetëra të plagosur.

0
650

Nuk e mbaj mend kur e kam kaluar se fundi urën kryesore mbi lumin Ibër, e cila që nga 99-ta u bë skenë e protestave të dhunshme ndëretnike, duke lënë pas vetës disa të vrarë e dhjetëra të plagosur. Por më kujtohet shumë mirë përpjekja e parë e familjes sime për të kaluar urën pas luftës në qershor të vitit 1999. U penguam nga një grup serbësh që po protestonin në mënyrë agresive kundër kthimit të shqiptarëve në veri. E paqëruajtësit francezë të NATO-s, të stacionuar mbi urën që ndante shqiptarët e serbët, na sugjeronin që të mos lëvizim në veri pasi për ne nuk kishte siguri. Megjithatë ne u kthyem në banesën tonë një ditë më vonë, për të përjetuar në kohë të “paqës”, në vitin 2000, zhvendosjen e dhunshme para syve të NATO-s dhe Misionit të Kombeve të Bashkuara. Rikthimi në veri na u mundësua pasi lagjja ku ne banonim, e njohur si “Tre rrokaqiejt”, u shndërrua në një zonë të rrethuar me tela gjemborë e me shumë ushtarë e tanke, që i ngjante një kampi të vërtetë ushtarak.

Për vite me radhë jetuam në veri por nuk e kaluam urën kryesore mbi Ibër, e cila edhe sot vazhdon të jetë simbol i ndarjes etnike. Shfrytëzuam rrugë alternative për të dalur në jug, ku furnizoheshim me ushqime, shkonim në shkollë apo punë, shfrytëzonin shërbimet shëndetësore e të tjera. Jetonim në ankth nga të shtënat e armëve që dëgjoheshin herë pas here, përderisa në jug të qytetit e në pjesët tjera të Kosovës bëhej një jetë krejtësisht tjetër. A ishte kjo paqja që e kishim pritur me vite?!

Si banore e Mitrovicës, më pëlqente të mendoja se gjërat do të ndryshonin për të mirë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008, por përsëri u zhgënjeva, sidomos pasi ndarja e qytetit u legalizua me formimin e komunës së re në Mitrovicën Veriore, e cila gëzon një shkallë të lartë autonomie. Në krye të komunës u zgjodh një lider i mbështetur nga Beogradi zyrtar. Kompromiset që i bëri Prishtina për të fituar mbështetje ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës bënë që në Mitrovicë të blihet një qetësi e brishtë, që rrezikon të prishet në çdo kohë. Mitrovica vazhdon të jetë konflikt i ngrirë.

As ajo që u quajt marrëveshje historike mes Kosovës e Serbisë në prill të vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve nuk prodhoi ndonjë rezultat konkret në përmirësimin e jetesës së mitrovicasve. Strukturat parelele serbe vazhdojnë të veprojnë si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe në gjyqësor, shëndetësi, arsim. Zgjedhjet lokale të Kosovës në të cilat për herë të parë morën pjesë edhe serbët lokalë, nxorrën fitues kandidatët e Listës Serbe të mbështetur nga Beogradi. E kryetari i ri i Mitrovicës Veriore e shndërroi urën mbi Ibër në të ashtuquajtur “Park të Paqës”, duke zëvendësuar dheun e gurët me të cilën ishte barrikaduar ura, me pemë e vazo betoni. Ta quash “Park të Paqës” një park të improvizuar mbi urë është fyerje e intelegjencës. E përveç disa reagimeve verbale, autoritetet në Prishtinë nuk ndërmorën asnjë veprim për të hequr barrikadën e re. Qeveria, Presidenca, Parlamenti, Policia, KFOR-i, EULEX-i…, që të gjithë po heshtin për Mitrovicën. Ata bëzajnë vetëm kur diçka shpërthen përtej urës. Duket se të gjithë janë pajtuar në heshtje që veriu i Kosovës është i humbur për Prishtinën.

E jo vetëm shqiptarët janë të pashpresë për të ardhmën e Mitrovicës. Një i ri serb në Mitrovicë para pak ditësh po më thoshte që nuk po lodhej nëse do t’i vazhdohej kontrata e punës me një organizatë ndërkombëtare. “Më me dëshirë do të punoja kamarier në Beograd sesa këtu ku jam,” më tha, i mllefosur me gjendjen në veri.

Unë nuk banoj në veri qe gadi dhjetë vjet, por ka shumë gjëra që më lidhin me atë pjesë. Do të doja të kthehesha shpesh atje, të takohesha me miq e familjarë, të shëtisja rrugëve ku u rrita e u shkollova…Por nëse për një të ri serb gjendja është e pashpresë në veri, nëse Prishtina zyrtare nuk shqetësohet që Beogradi vazhdon të (keq)qeverisë me 17 përqind të territorit të Kosovës, a duhet t’a kaloj unë urën?

SHARE