A mund të ketë zgjedhje në veri?

Teknikisht, këto janë “zgjedhje të jashtëzakonshme”. Janë ‘zgjedhje’ sepse zgjedhen kryetarët e komunave. Dhe janë ‘të jashtëzakonshme’, sepse mbahen para afatit të paraparë. Por, këto zgjedhje nuk janë as zgjedhje e as të jashtëzakonshme. Pse?

0
94

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të Kosovës pritet të mbahen më 19 maj. Lajm përbënte mosçertifikimi i kandidatëve të subjektit kryesor për t’i fituar zgjedhjet, Listës Serbe (LS) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) – shkaku i abstenimit të anëtarëve të Vetëvendosjes në këtë institucion. Por, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e mori parasysh ankesën e Listës Serbe dhe ky subjekt u çertifikua. Natyrisht, në mes është politika – përllogaritja politike.

Lëvizja Vetëvendosje si shkak të abstenimit e pati deklaratën e kandidatëve të tashëm të ‘Srpska’-s, që Kosovës iu kishin referuar si “Kosovo i Metohija” në aktin e tyre të dorëheqjes.

Kjo është e drejtë nga ana e Vetëvendosjes – ani që vjen nga një subjekt politik shqiptar që po ashtu bën shkeljen e Kushtetës së Kosovës përmes kërkesës për Bashkim Kombëtar.

Sidoqoftë, PZAP-ja bëri çertifikimin e tyre – dhe cënuesit e Kushtetës vazhdojnë të mbeten pjesë e rëndësishme e jetës politike të vendit. Por, përllogaritja politike dhe jo teknikaliteti është një vjegë me të cilat mbahet pushteti e stabiliteti, e raste të tilla ka me bollëk. Për shembull, në Spanjë ku pritet të mbahen zgjedhjet së shpejti, e ku pjesëmarrëse do të jenë edhe partitë separatiste katalane.

Sidoqoftë, pa Listën Serbe, zgjedhjet në Veri do të mund të konsideroheshin të dështuara. Kjo sepse ky subjekt politik gëzon përkrahjen më të madhe në këto komuna, dhe qeveriste me to paraprakisht. Pjesëmarrja në zgjedhje mund të ishte tepër e ulët.

Teknikisht, këto janë “zgjedhje të jashtëzakonshme”. Janë ‘zgjedhje’ sepse zgjedhen kryetarët e komunave. Dhe janë ‘të jashtëzakonshme’, sepse mbahen para afatit të paraparë.

Por, këto zgjedhje nuk janë as zgjedhje e as të jashtëzakonshme. Pse?

Nuk janë zgjedhje sepse dihet fituesi. Republika e Serbisë, e cila edhe e ka në dorë Listën Serbe, ka injektuar në politikën e serbëve të Kosovës frikë dhe nënshtrueshmëri. Mjafton të përmendim politikanin e vrarë, Oliver Ivanović. Pastaj, sulmin fizik ndaj Slobodan Petrović-it. Ndalesat e marrjet në pyetje në Serbi të politikanëve serbë liberalë e të pabindur në muajt e fundit. Deklaratat kundër Rada Trajković-it e të tjerëve nga zyrtarët më të lartë të këtij shteti që herë besohet se vepron me një vizion të qartë politik e herë thjesht me mbindjeshmëri nacionaliste. Shto kësaj edhe bandat kriminale në këto komuna, që siç raportohet kanë ndikim të madh në jetën sociale, ekonomike e politike. Pra, atmosfera është tepër e helmuar. Dhe ‘të zgjedhësh’ është e drejtë e shkelur.

Nuk janë të jashtëzakonshme përtej termit teknik sepse qeverisshmëria institucionale në veri ka ndikim tepër të vogël në jetën e serbëve. Nuk iu ofron as elementet më thelbësore të mirëqenies: siguri ose punë e prosperitet.

Kësisoj, në komunat veriore më 19 maj do të kemi veç një shëmbëllim të shfytyruar të demokracisë, që të vetmin funksion do ta ketë legjitimimin e diskursit ekstrem të Republikës së Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.

Serbëve të Kosovës iu është hequr e drejta për t’u përfaqësuar politikisht në institucionet e Republikës së Kosovës. Politikanët e nënshtruar ndaj regjimit të Vučić-it mund të futen nëpër komuna, të shijojnë privilegjet e pushtetit institucional, por nuk do të mund të bëjnë asnjë ndryshim përmbajtësor.

Politikanët shqiptarë ndërkohë mbeten pa kurrfarë vizioni për ta integruar këtë pjesë të vendit.

SHARE