A mundet BE-ja multi-nacionale t’i mendojë qytetarët e Kosovës dhe Serbisë përtej etnisë?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe u rikthye sërish në temën më të rëndësishme të dialogut Kosovë-Serbi duke e zëvendësuar “shkëmbimin e territoreve”. Pyetja që duhet ta shtrojmë është si vijon: a mundet BE-ja multi-nacionale t’i mendojë qytetarët e Kosovës dhe Serbisë përtej etnisë?

0
607

Bashkimi Evropian nuk e ka kundërshtuar idenë e “shkëmbimit të territoreve në vija etnike” dhe e ka shtyrë përpara idenë e “Asociacionit me baza etnike”. Mirëpo, Bashkimi Evropian e ka krijuar projektin e shtetit të Kosovës, një shtet multi-etnik e liberal. Çka ndodhi ndërkohë?

Më herët, çështja ishte: a duhet pranuar “asociacioni” si kompromis përfundimtar që të arrihej njohja nga Serbia? Por, pasi Serbia ia doli t’i rraste hundët mirë e mirë në politikën e brendshme të Kosovës dhe ta fitonte 95% të elektoratit serb (përmes Listës Serbe) tashmë çështja është modifikuar në “a duhet të pranohet ‘asociacioni’ në mënyrë që të bëhet një hap i rëndësishëm për arritjen e njohjes nga Serbia?”

Në parim, nuk ka asgjë të keqe në asociacionet e komunave. Por, ky lloj asociacioni bën bashkë vetëm komunat “me shumicë serbe”. Është ekskluzivisht etnik sepse e ka në thelb të përfaqësimit pikërisht etninë.

Ndonjë diplomat evropian mund të thoshte që serbët e Kosovës ndoshta do të integroheshin më shumë e më mirë në institucionet e Kosovës përmes këtij projekti, se përfshin komuna që “janë të shpërndara territorialisht”, se themeli i “multi-etnicitetit” është një “themel” në thonjëza sepse në realitet ndarjet etnike veçse ekzistojnë. Me fjalë të tjera, se Kosova nuk është shtet multi-etnik, dhe se të tillë nuk e duan as shqiptarët.

Kjo është pjesërisht e vërtetë. Një e vërtetë e kufizuar në kohë. E vërtetë deri diku sot, por krejtësisht e pavërtetë në fillim të viteve 2010 kur serbët e Kosovës ishin larg më të integruar dhe më lojalë ndaj shtetit të Kosovës, e kur shqiptarët ishin më pranues po ashtu. Një vërtetësi e pjesshme që mund ta bëjmë të pavërtetë të plotë. 

Por, kush i ndjelli pasionet etnike në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë? Përgjigja ime në këtë rast është “lehtësimi qorr”.

BE-ja e nisi një dialog politik mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2011 dhe e mori rolin e “lehtësueses”. Liderët kosovarë e serbë në fakt, nuk ishin më shumë se do “ultra-nacionalistë” të mbuluar që kur shkonin në Bruksel s’mund t’i shihnin qytetarët e tyre të pandarë nga etnia. Kjo bëri që “lehtësuesi” të lehtësonte “ultra-nacionalizmin” e palëve, dhe me kalimin e kohës pavërejtshëm të përvetësonte pikëshikimet e tyre. As BE-ja e sotme nuk ka një qasje tjetër për dialogun Kosovë-Serbi, dhe vazhdon të lehtësojë “ultra-nacionalizmin” dhe t’i shohë qytetarët serbë e shqiptarë në Kosovë thjesht si serbë e shqiptarë. E nacionalizmi nuk kërkon lehtësim e ledhatim por dëbim e përçmim. Administrata Trump ofroi një qasje rrugëdalëse për këtë çështje me marrëveshjen e 4 shtatorit.

Asociacioni në çdo variant është i rrezikshëm. Edhe nëse formalisht nuk merr të drejta ekzekutive dhe bëhet sipas vërejtjeve të Gjykatës Kushtetuese, prapë rrjedha e ngjarjeve mund të çajë përpara si gjithnjë dhe “asociacionuesit” ta shpallin flamurin, himnin, e bile edhe autonominë e tyre.

Mirëpo, nëse në vend të “Asociacionit të komunave me shumicë serbe” do të propozohej ta zëmë një “Asociacion i komunave që kanë mbi 2 mijë banorë serbë” e ku do të përfshiheshin shumë komuna me “shumicë shqiptare” atëherë gjërat do të ndryshonin.

Është e qartë se Serbia nuk mund ta njohë një Kosovë multi-etnike që i trajton barazisht qytetarët pavarësisht etnisë së tyre. Por, nuk është e thënë që të bëhemi shtet fashist si Serbia – që bën ndarje etnike mes qytetarëve – vetëm që ta marrim atë njohje.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës