A po bëhen përpjekje për ndarje të reja?

Derisa po bëhet revitalizimi i urës që shpresohet ta bashkojë prapë qytetin, dikush me këmbëngulje po përpiqet të shkaktojë ndarje të reja, tani përgjatë vijave fetare, me simbole si kryqi. Një kryq i lartë 6 metra, që peshon rreth 300 kilogram, i vendosur në një kodër në Zveqan, afër një tempulli të hershëm të krishterë.

0
1453

Buzë shtratit të lumit Ibër në anën veriore, deri në vitin 1998, kishte qenë kafeteria më e famshme e qytetit, ‘Te Llapa’, e nga shumë thuhet se ishte më në emër në gjithë Kosovën. Pronari ishte shqiptar i Kosovës, por muzika e tij dhe e bendit ku bënte pjesë, thuhet se i bashkonte shqiptarët e serbët shpeshherë.

Grupi TNT bënte muzikë përditë në Mitrovicë e Kosovë. Ndër shumë këngë, disa dhjetëra, bënte pjesë edhe kënga për lumin Ibër i cili kishte ndarë qytetin pas luftës. Kjo këngë dallonte nga ato të paraluftës. Kjo fliste për ndarje.

“A është lumi ai që na ndau, apo ura që u bë mur”, pyeste në këngë vokalisti i TNT-së, Ferki Shala. Të gjithë pajtoheshin se ura po bëhej simbol i ndarjes etnike të qytetit të Mitrovicës.

Ura duket se u pranua si pika ndarëse, dhe u punua pikërisht aty për të sanuar atë dëm. U punua, dhe po punohet edhe në këto momente, për rivitalizimin e urës së Ibrit që është projekt i BE-së.

Dhe derisa po behet revitalizimi i urës që shpresohet ta bashkojë prapë qytetin, dikush me këmbëngulje po përpiqet të shkaktojë ndarje të reja, tani përgjatë vijave fetare, me simbole si kryqi. Një kryq i lartë 6 metra, që peshon rreth 300 kilogram, i vendosur në një kodër në Zveqan, afër një tempulli të hershëm të krishterë. Ai u shugurua me një ceremoni ortodokse, në mënyrë solemne e në prani të kreut të Kishës ortodokse serbe e qytetarëve të Mitrovicës, Zveqanit e rrethinës. Peshkopi Teodosije citohet që ka thënë se “Kryqi i shenjtë është arma jonë e pamposhtur. Me kryqin e shenjtë mbrohemi nga armiqtë e dukshëm e të padukshëm…”

A do të jetë ky simbol fetar që tani do të lëshojë britma ndarjeje e thirrje për shtim të urrejtjes, përveç etnike, edhe fetare?

Ngjashëm ka ndodhur edhe në Maqedoni, ku një kryq disa metërsh është vendosur në të hyrë të Shkupit. Për shqiptarët, ky kryq tentonte të jepte mesazh edhe politik dhe konsiderohej si përvetësim i një besimi për qëllime të dallimit mes maqedonëve dhe shqiptarëve përmes ortodoksizmit.

Së këndejmi, kur ky simbol fetar e ka fuqinë të nxjerrë këso mesazhe – kjo është arsyeja pse është vendosur – dhe kur nga kjo mundet që Mitrovica ta ketë edhe një burim me potencial të madh për probleme, duhet të reagojë vetë shteti.

Në këtë rast, reagimi do të duhej të cilësohej si shpëtim i kryqit dhe jo luftim i tij. Kjo pasi, duke u përdorur si mesazh kundër shqiptarëve, kryqi ortodoks po synohet të privatizohet nga njëra palë, e cila gjë do të shkaktonte edhe një përplasje identitesh. Kjo për arsye se shqiptarët numërojnë numër të konsiderueshëm të besimit ortodoks, madje deri vonë ka qenë besimi i dytë sa i përket numrit të besimtarëve.

Për urën u kuptua se ndan dhe u punua në të, njëlloj siç duhet të pajtohemi për kryqin e vendosur në Zveçan dhe të punohet për ta larguar nga aty.

Është e dhimbshme, por mitrovicasit e këtej dhe andej urës në vazhdimësi po kërcënohen me çimentim të ndarjes. E largët ishte dita kur shqiptarët dhe serbët këndonin së bashku para luftës, e më e largët po duket të jetë ajo ditë kur do të këndojnë, të paktën, jo për ndarje.

SHARE