A po e mbështetë BE racizmin dhe urrejtjen ndëretnike?

Ndeshja e shumëpritur mes Serbisë dhe Shqipërisë u braktis kur një dron (fluturake) që mbante flamurin e Shqipërisë provokoi një përleshje midis lojtarëve dhe tifozëve të cilët e pushtuan fushën.

0
1135

Ndeshja e shumëpritur mes Serbisë dhe Shqipërisë u braktis kur një dron (fluturake) që mbante flamurin e Shqipërisë provokoi një përleshje midis lojtarëve dhe tifozëve të cilët e pushtuan fushën.

UEFA ka filluar procedurë disciplinore ndaj të dyja vendeve. E pyetur nga gazetarët për komentin e saj rreth ndeshjes, Maja Kocijančič, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë për Punë të Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, i lavdëroi autoritet në Serbi për “profesionalizëm“. Teksti në vazhdim është një letër e hapur të cilën ia kam dërguar Znj. Kocijančič e të cilës ende nuk m’i është përgjigjur.

E nderuara Zonja Kocijančič,
Më 15 Tetor 2014, pas ndërprerjes së ndeshjes midis Serbisë dhe Shqipërisë, duke folur në emër të Bashkimit Europian në Bruksel, ju keni deklaruar “Ne besojmë se autoritetet serbe kanë treguar profesionalizëm në menaxhimin e kësaj situate”. Po ju shkruaj për të kërkuar nga ju që të tërhiqni këtë deklaratë meqë unë besoj se ajo inkurajon racizmin në sport dher urrejtjen ndëretnike në Ballkanin Perëndimor, dy gjëra të cilat BE-ja i kundërshton fuqishëm.
Unë nuk jam tifoz i madh i futbollit dhe, për dallim nga ju, unë nuk komentoj rreth futbollit. Megjithatë, ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë e kam parë dhe nuk nevojitet shumë dije apo ekspertizë për të konstatuar se nuk kishte asgjë profesionale nga situata që u krijua. Do t’i përmend vetëm disa fakte të pamohueshme.

Ndeshja ishte caktuar të fillonte në orën 20:45. Himni Kombëtar i Shqipërisë i cili u intonua para ndeshjes nuk mund të dëgjohej (https://www.youtube.com/watch?v=OVKQbcaGWTs) pasi rreth 30 000 shikues në stadium po bërtisnin “vritni, masakroni, që shqiptar të mos ekzistojë”. Autoritetet ndoshta nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për këtë (edhepse rritja e zërit të altoparlantëve do të kishte ndihmuar). Në stadium, aty ku janë të vendosur flamujt e ekipeve që luajnë, flamuri shqiptar ishte i prerë përgjysmë. Ndoshta autoritetet ishin shumë të zënë me çështje tjera saqë kishin harruar flamurin e musafirëve. Një flamuri tjetër të Shqipërisë në Nato – dmth një flamur i kombinuar i Shqipërisë dhe NATO-s – iu vu zjarri sapo filloi ndeshja. Le të supozojmë se autoritetet nuk kishin mundësi ta ndalnin as këtë. Meqë ra fjala, këta ishin dy flamujt e vetëm në stadium, pasi të qenit shqiptar ishte bërë praktikisht e jashtëligjshme atë ditë në Beograd, nga autoritetet e njëjta që ju i keni lavdëruar, të cilët paralajmëruan se çdo shqiptar që do të tentonte të hynte në stadium do të arrestohej dhe do të ndiqej penalisht (http://www.theguardian.com/football/2014/oct/14/albania-serbia-kosovo-euro-2016-qualifiers).

Kur u ndërpre ndeshja për shkak të një fishekzjarri që u hodh në fushë nga shikuesit që brohorisnin, filluan edhe telashet. Në ato momente, autoritetet serbe në këtë ndeshje nuk treguan profesionalizëm siç e thatë ju. Përkundrazi, çdo gjë që kishte të bënte me autoritetet ishte joprofesionale (https://www.youtube.com/watch?v=cBXvl__F_nk).

Kishte dy lloj autoritetesh atë mbrëmje në stadium: policë dhe kujdestarë. Para së gjithash, kishte shumë tifozë që ‘ia dolën’ të depërtojnë radhët e policisë dhe të hyjnë në fushë për të qëlluar me disa grushta lojtarët shqiptarë. Ekzistojnë video në internet, sikur kjo këtu, ku shihet qartë se policia thjeshtë i lë të hyjnë në fushë (https://www.youtube.com/watch?v=AylMtIumN8c ). Njëri prej këtyre tifozëve është mjaft i njohur: Ivan Bogdanov, të cilit i është ndaluar hyrja në stadiume për tërë jetën pas dënimit me burg mbas ndeshjes famëkeqe midis Italisë dhe Serbisë, megjithatë, ai ishte aty dhe arriti të hyjë deri në fushë (https://www.youtube.com/watch?v=l49ZqLsyM4I). Së dyti, kujdestarët, të cilët janë autoritetet dytësore në ndeshje përsa i përket sigurisë, ishin edhe më joprofesional. Në vend se të qetësonin situatën dhe të mbanin tifozët jashtë fushës, ata iu bashkangjitën tifozëve dhe qëlluan me grushta lojtarët shqiptarë (https://www.youtube.com/watch?v=cBXvl__F_nk). Ka shumë video që e tregojnë këtë, por një fotografi që është postuar në adresën tuaj në twitter nga më shumë se 100 veta është prova më e mirë.

Tashti, a u provokuan tifozët serbë? Them se po. Edhe shqiptarët ishin të befasuar nga fluturakja që bartte flamurin. Por a ishin autoritetet profesionale? Jo. Aspak. Përveq nëse BE-ja, me deklaratën tuaj, është duke caktuar standarde të reja të profesionalizmit në minimum për të mbajtur nën kontroll një ndeshje për 45 minuta, me kufizime maksimale për musafirët, cilësimi juaj nuk përkon me asgjë në realitet.

Në rast se po i referoheshit autoriteteve politike në Serbi me atë deklaratë, ndonëse me siguri nuk u jeni drejtuar atyre pasi ata nuk ishin drejtpërdrejt përgjegjës për ndeshjen, dua të theksoj një joprofesionalizëm të qartë edhe nga ana e tyre. Siç është paraqitur në hollësi nga Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, autoritetet serbe po i trajtonin lojtarët shqiptarë sikur të ishin terroristë (http://www.punetejashtme.gov.al/en/press-office/press-releases/statement-of-the-albanian-minister-of-foreign-affairs-mr-ditmir-bushati-concerning-the-events-in-belgrade-stadium ). Çantat e tyre u kontrolluan dhe simbolet e tyre u konfiskuan. Pas zbritjes gazetarët shqiptarë u mbajtën me orë të tëra në aeroport ashtu si edhe ambasadori i Shqipërisë në Serbi pasi shkoi të shihte se çfarë po ndodhte. Z. Bushati theksoi qartë se tentimet e tij për të kontaktuar me homologët e tij në Beograd ranë në vesh të shurdhër. Në vend të kësaj, autoritetet serbe tentuan t’i vënë fajin vëllait të kryeministrit të Shqipërisë Rama, i cili ishte duke ndjekur lojën në stadium. Pra, thënë thjeshtë, as autoritetet politike, as ato që kishin përgjegjësinë direkte për të organizuar ndeshjen, atë ditë nuk ishin profesional.

Siç e thashë më lart, unë nuk jam tifoz i futbollit. Por jam tifoz i BE-së dhe studioj politikat e BE-së. Si një përkrahës i Bashkimit Evropian, unë jam thellësisht i zhgënjyer me deklaratën tuaj. Jam i tmerruar nga ajo, sepse ajo është në kundërshtim me çdo gjëje që përfaqëson BE-ja. I ofron përkrahje të pakushtëzuar autoriteteve që toleruan racizmin, të cilët (mbase qëllimisht) dështuan të sigurojnë fushën nga tifozët e tyre racistë, dhe të cilët edhe vetë qëlluan futbollistët me grushta. Ajo i dërgon sinjalin më të keq Serbisë se është në rregull të veprojë njëjtë në të ardhmen dhe i dërgon sinjal të gabuar Komisionit të UEFA-s, i cili ende nuk ka gjykuar rastin, se BE-ja e përkrahë vetëm Serbinë në këtë incident e jo Shqipërinë.

Si shqiptar, edhepse jo me origjinë nga Shqipëria, unë jam i tërbuar me fjalët tuaja pasi jo vetëm që tingllojnë të njëanshme dhe joprofesionale, por ato vazhdojnë të shërbejnë si arsyetim për ndjenjën anti-shqiptare që dominon në Serbi, duke nxitur kështu urrejtje ndëretnike në Ballkanin Perendimor.

Unë e kuptoj që ju ndoshta i keni përdorur këto fjalë thjeshtë në përpjekje për të qetësuar situatën, ose për të nxitur vullnetin e mirë mes shqiptarëve dhe serbëve para vizitës së Kryeministrit të Shqipërisë në Beograd. Megjithatë, efekti i tyre është krejtësisht i kundërt. Së këndejmi, më së paku që mund të bëni, Znj. Kocijančič është të tërhiqni deklaratën tuaj sa më parë.

Sinqerisht i juaji,
Krenar Gashi