A po jetojmë më mirë pas Marrëveshjes së Brukselit?

Projekti ynë quhet “Efektet e investimeve në veri të Kosovës pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit – a po jetojmë më mirë?“. Do të vazhdojmë të hulumtojmë se a po jetojmë me të vërtetë më mirë sepse nuk jemi të sigurtë që Marrëveshja e Brukselit dhe investimet që kanë pasuar pas tij kanë ndryshuar atë ndjenjën subjektive të qytetarit të rëndomtë nga veriu i Kosovës.

0
534

Projekti ynë quhet “Efektet e investimeve në veri të Kosovës pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit – a po jetojmë më mirë?“. Do të vazhdojmë të hulumtojmë se a po jetojmë me të vërtetë më mirë sepse nuk jemi të sigurtë që Marrëveshja e Brukselit dhe investimet që kanë pasuar pas tij kanë ndryshuar atë ndjenjën subjektive të qytetarit të rëndomtë nga veriu i Kosovës.

Në veri të Kosovës që nga viti 2010 e deri më sot, përmes financimeve të projekteve, janë investuar më tepër se 75 milion euro, para së gjithash përmes fondeve të Bashkimit Evropian, kurse që nga viti 2013 edhe nga Fondi për zhvillim të veriut të Kosovës dhe nga Qeveria e Kosovës.

Këto të dhëna janë rezultat i hulumtimeve që u kryen nga Instituti për zhvillim ekonomik territorial (InTER) dhe Radio-televizioni Mir, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS).

Donatori më i madh në veri është Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e cila ka investuar më shumë se 54 milion euro për 124 projekte në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Edhepse bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme të të hollave, projektet ende nuk kanë përfunduar. Deri tani janë realizuar projekte në vlerë të përgjithshme prej 8,5 milion eurosh, 37,25 milion euro janë në proces të realizimit, derisa në projektet që kapin vlerën prej 8,74 milion eurosh punimet as që kanë filluar.

Shefi i seksionit për bashkëpunim pranë Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Christof Stock, pohon që projektet do të realizohen në vitin 2017. Ai, si i ftuar në emisionin Bota Bardh e Zi (Crno Beli Svet, CBS), theksoi se disa nga projektet më të mëdha kapitale megjithatë nuk do arrijë t’i hapë solemnisht para se të largohet nga Kosova. Njëri prej këtyre projekteve është edhe deponia regjionale në territorin e komunës së Zveçanit, projekt për të cilin është folur qysh në fillim të ardhjes së tij.

Pas formimit të organeve të reja lokale vetëqeverisëse më 2013 në veri të Kosovës, Bashkimi Evropian, në kuadër të dy skemave për grante, ka ndarë 9,5 milionë euro për 79 projekte. Përfitues ishin ndërmarrjet private, komunat dhe organizatat joqeveritare.

Z. Stock thotë se sektorët prioritar janë përcaktuar në komunikim me vetëqeverisjet lokale dhe se investimet kanë si synim një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët. Shembujt më të suksesshëm të projekteve janë në fushën e bujqësisë, siç është projekti i Kooperativës bujqësore, e po ashtu i suksesshëm, sipas mendimit të tij, u dëshmua edhe projekti për zhvillimin e turizmit në Zubin Potok “Outdoor In”.

Edhe përkundër shembujve pozitivë që janë të dukshëm në terren, e të cilat z. Stock i prezantoi gjatë emisonit, ende mund të vërejmë që shumë nga projektet e Bashkimit Evropian nuk po shihen sa duhet. A është kjo sepse nuk kanë arritur ndonjë efekt domethënës në zhvillimin socio-ekonomik apo arsyeja qëndron dikund tjetër, kjo është një pyetje për të cilën ende duhet të kërkojmë një përgjigje.

Në këtë pikë, unë do të citoja kolegun tim, korrespondentin e gazetës Koha Ditore në Bruksel. “Në Bruksel besojnë se veriu i Kosovës është rajoni më i pasur në Evropë, duke pasur parasysh se sa para vijnë këtu,” më tha Augustin Palokaj, kur ishte mysafir në emisionin tim. Unë nuk e di nëse me të vërtetë ashtu mendojnë në selinë e BE-së, por kjo sigurisht nuk është as për së afërmi e ngjashme me ndjenjën e atyre që jetojnë në veri të Kosovës apo vetëm e vizitojnë atë.

Edhepse qytetarët e zakonshëm nuk kanë qenë të njohur me shifrën e saktë të cilën BE-ja e ka investuar në katër komunat veriore, ekzistojnë investime që janë edhe më pak të njohura. Nëse vini në veri dhe bisedoni me këdo, vështirë se do të fitoni përshtypjen se Qeveria e Kosovës financon ndonjë projekt. Siç tregoi një anketë të cilën e kam kryer me kolegët nga InTER-i, Qeveria e Kosovës, gjatë vitit 2015, ka investuar 15,17 milionë euro për 146 projekte kapitale.

Edhepse afati për realizimin e buxhetit, sipas ligjeve të Kosovës, ka qenë dhjetori i vitit të kaluar, rreth gjysma e projekteve ende nuk kanë përfunduar. Një arsye për këtë, sipas mendimit të përfaqësuesve të komunave në veri, është vonesa në nënshkrimin e Memorandumeve të Mirëkuptimit në mes të tetë Ministrive dhe Kryetarëve të katër komunave. Autoritetet lokale shpresojnë që me rishikimin e buxhetit, të lejohet vazhdimi i përdorimit të parave edhe në vitin e ardhshëm.

“E vërteta në lidhje me realizimin e keq të projekteve është e dukshme në terren; kurrfarë rishikimesh buxhetore nuk mund t’i përmirësojnë gabimet që janë bërë gjatë vitit 2015. Projektet që janë filluar, dhe për disa prej tyre madje janë shpenzuar edhe paratë, ose do të realizohen në një të ardhme të largët, ose nuk do të realizohen kurrë,” tha për BIRN Nenad Radosavljević, deputet në KK të Leposaviqit, komunë e cila ka realizimin më të keq të buxhetit.

Megjithkëtë, kryetari i kësaj komune, Dragan Jablanović pret që projektet që financohen nga Qeveria por edhe nga fonde tjera, do të përfundohen gjatë këtij viti.

“Çdo ditë po punohet në implementimin e projekteve; planifikojmë që deri në fund të vitit t’i përfundojmë të gjitha. Nuk janë këto vetëm projektet e Qeverisë së Kosovës por edhe të fondeve tjera,” pohon Jablanović.

Shefja e Zyrës Administrative në Mitrovicën e Veriut, Adrijana Hodžić, po ashtu shprehet optimiste sa i përket përfundimit të projekteve të filluara.

“Në qoftë se do të ketë rishikim të buxhetit, projektet do të përfundojnë deri në fund të vitit”, tha Hodžić për BIRN.

E vetmja komunë që i ka realizuar të gjitha që i ka planifikuar është komuna e Zubin Potokut e cila, vitin e kaluar, me mjetet e tetë Ministrive të Qeverisë së Kosovës ka përfunduar 37 projekte.

Komuna e Zveçanit ka realizuar 48.6% të gjithsej 37 projekteve të planifikuara, ndërsa Komuna e Mitrovicës së Veriut, nga 23 projekte, ka realizuar 48.6 për qind të asaj që është planifikuar.

Komuna e Leposaviqit ka përqindjen më të ulët të realizimit, edhepse kishte numrin më të madh të projekteve të planifikuara, gjithsej 49. Gjatë kohës sa ishte duke u kryer hulumtimi janë realizuar vetëm 21.3% të investimeve kapitale të planifikuara.

Gjatë hulumtimit për këtë fond nuk ishte e lehtë të arrihej deri tek informatat. Listën e projekteve të planifikuara arritëm ta marrim nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal kurse të dhënat për mjetet e realizuara, me një përpjekje pak më të madhe, arritëm t’i marrim nga vetëqeverisjet lokale.

Përpjekja për të marrë të gjitha informatat në një vend, në Ministrinë e Financave të Kosovës nuk pati sukses. Pas e-mailave, thirrjeve telefonike dhe takimeve, madje edhe pas kërkesës së dërguar në bazë të Ligjit për Qasje në Dokumente Zyrtare, ne nuk morëm informacion nga kjo Ministri. Në vend të kësaj, na u tha se për investimet e Qeverisë së Kosovës ne duhet t’i drejtohemi përfaqësuesit të Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar. Shtrohet pyetja se cili është atëherë roli i kësaj Ministrie dhe prej nga kjo që përfaqësuesit e BE-së i udhëheqin edhe aktivitetet e Qeverisë dhe resorëve të ministrive.

Temë hulumtimi e InTER-it dhe RTV Mir ishte edhe Fondi për zhvillimin e veriut të Kosovës. Në kuadër të këtij fondi, komunave në veri të Kosovës u janë miratuar 18 projekte me një vlerë të përgjithshme prej rreth 6.4 milionë euro. Për komunën e Mitrovicës veriore u aprovuan pesë projekte, gjashtë për atë të Zveçanit, tri për Zubin Potokun dhe katër projekte për komunën e Leposaviqit.

Mjetet për Fondin për veriun e Kosovës sigurohen nga të hyrat doganore të mbledhura në vendkalimet në Jarinjë dhe Bërnjak, kurse qëllimi i krijimit të tij është të mbështes zhvillimin socio-ekonomik të komunave në veri të Kosovës. Deri më tani janë mbledhur 9.4 milionë euro dhe komunat në çdo kohë mund të paraqesin projekt propozime që do të financohen nga ky fond.

Projekti ynë quhet “Efektet e investimeve në veri të Kosovës pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit – a po jetojmë më mirë?“. Do të vazhdojmë të hulumtojmë se a po jetojmë me të vërtetë më mirë sepse nuk jemi të sigurtë që Marrëveshja e Brukselit dhe investimet që kanë pasuar pas tij kanë ndryshuar atë ndjenjën subjektive të qytetarit të rëndomtë nga veriu i Kosovës.

SHARE