Aktakuza e Speciales nuk e ndal dialogun

0
374

Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ndalet me gjithë rrethanat e krijuara pas publikimit të aktakuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi, i cili kishte marrë rolin prijës në këtë proces. Derisa zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se në korrik planifikojnë t’i thërrasin palët në takim, Shtetet e Bashkuara nuk kanë caktuar ndonjë datë, megjithëse nuk do t’i ndalin përpjekjet.

Zëdhënësi për Çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë të Bashkimit Evropian, Peter Stano, i ka thënë KOHËS se presin që dialogu të rifillojë këtë muaj. Sa i përket përfaqësimit në dialog, Stano shton se janë autoritetet e Kosovës ato që duhet të vendosin se si interesat e tyre prezantohen më së miri.

“Ne presim që dialogu të rifillojë këtë muaj, ashtu siç është njoftuar më herët. Data e saktë do të komunikohet në kohën e duhur. Nuk i takon Bashkimit Evropian që t’i zgjedhë bashkëbiseduesit e saj, por që Kosova dhe autoritetet e saj të vendosin se si interesat e tyre prezantohen dhe përfaqësohen më së miri”, ka thënë Stano.

Veprime intensive në funksion të rinisjes së dialogut ka ndërmarrë Brukseli muajin e kaluar, pas përpjekjeve që procesi të zhvendoset në ShBA. BE-ja vazhdon të jetë e mandatuara e vetme për ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi, sipas një rezolute të miratuar nga OKB-ja në vitin 2011. Për këtë qëllim, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, ditë më parë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin për t’i njoftuar udhëheqësit dhe liderët e partive me afatet, planin dhe modalitetet e dialogut. Diplomati sllovak do të mbështetet edhe nga shtetet e fuqishme brenda BE-së në formën e organizimit të samiteve. Një i tillë është paralajmëruar të mbahet gjatë korrikut në Paris, ku nikoqir do të jetë presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

(koha.net, 02/07/2020)