Aktakuza ka të bëjë me krime

Njoftimi mbi aktakuzën kundër Presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve nuk ka krijuar një situatë të perspektivave historike alternative. Ajo nuk ka të bëjë me madhështinë e UÇK-së dhe luftën për pavarësi. Ajo ka të bëjë me disa individë që janë akuzuar për krime të tmerrshme, krime që duhet të nxirren para gjyqit. Krime për të cilat nuk ka mosndëshkueshmëri. 

0
155

Të mërkurën, Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë njoftoi ekzistimin e një aktakuze kundër Presidentit, Hashim Thaçi, dhe disa ish-pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ky njoftim ishte tronditës për shumë vetë. Shumë vetë gjithashtu e kishin parashikuar atë edhe pse jo në këtë mënyrë.

Njoftimi mbi aktakuzën nuk ka krijuar një situatë të perspektivave historike alternative. Ajo nuk ka të bëjë me madhështinë e UÇK-së dhe luftën për pavarësi. Ajo ka të bëjë me disa individë që janë akuzuar për krime të tmerrshme, krime që duhet të nxirren para gjyqit. Krime për të cilat nuk ka mosndëshkueshmëri.

Kuptohet, reagimi i parë instinktiv nga shumë individë ishte pyetja se pse pala e Kosovës i është nënshtruar kësaj gjykate, pala e cila ishte fitimtare në konfliktin e vitit 1998/99, një konflikt në të cilin u kryen krime të panumërta të luftës nga forcat e palës serbe, krime për të cilat ka pasur një përgjigje të pakënaqshme gjyqësore.

Përveç dënimeve njëshifrore kundër kriminelëve serbë të luftës të rangut më të lartë në Tribunalin Ndërkombëtare për krime lufte në ish-Jugosllavi (TPNJ), shumë pak kriminelë të dyshuar të luftës janë sjellë para drejtësisë për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë. Në Serbi nuk ësht krijuar një strukturë gjyqësore efektive për të trajtuar mijëra raste. Prokurorët serbë të krimeve të luftës vazhdojnë të lëshojnë një numër të vogël aktakuzash dhe asnjë prej tyre nuk akuzon të dyshuar të rangut të lartë. Kriminelët serb të luftës që kthehen nga Haga trajtohen si heronj. Në Serbi duket se nuk ka pendim për këto krime.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi (HLC), raportoi në shkurt të këtij viti se sipas të dhënave të Prokurorisë së Krimeve të Luftës nga nëntori 2019, 2557 raste ishin në fazën e hetimit paraprak, por vetëm 15 raste ishin në një fazë aktive të hetimit – një punë me intensitet të tillë do të zgjidhte një përqindje të papërfillshme të rasteve të krimeve të luftës në periudhën e ardhshme.

HLC gjithashtu deklaroi se, midis fillimit të vitit 2013 dhe fundit të vitit 2019, kishte parashtruar nëntë ankesa penale për krimet e kryera në Kosovë. Prokuroria nuk kishte filluar hetime për asnjë nga këto raste.

BE në Raportin e saj për Serbinë, të vitit 2019, qortoi ashpër Serbinë për trajtimin e saj të rasteve të krimeve të luftës, duke thënë se edhe bashkëpunimi juridik i ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte jashtëzakonisht i kufizuar në çështjet e krimeve të luftës.

Ajo po ashtu kritikoi dështimin e Serbisë për të paditur të dyshuar të rangut të lartë dhe për mbështetjen e kriminelëve të dënuar të luftës: ka pasur disa raste në të cilat autoritetet shtetërore kanë ofruar hapësirë ​​publike dhe kanë marrë pjesë në promovimin e veprimtarive të kriminelëve të luftës të dënuar nga TPNJ. Kjo nuk po krijon një mjedis të favorshëm për gjykim të paanshëm dhe efektiv të rasteve të krimeve të luftës.

Së dyti, gjykata në fjalë po merret me raste të veçanta. Raste që burojnë nga gjetjet e Raportit të Dick Marty-t të vitit 2011 dhe që në mënyrë specifike kanë të bëjnë me krime që dyshohet se janë kryer nga kosovarët gjatë dhe pas konfliktit 1998-1999. Kosova nuk i kishte trajtuar vetë këto krime, që janë edhe ndëretnike edhe të bazuara në motive politike, dhe për këtë arsye kjo gjykatë e Kosovës u krijua nën legjislacionin e Kosovës në Hagë. Ky organ gjyqësor po i trajton krimet të cilat janë të ndëshkueshme dhe askush nuk është i pandëshkueshëm.

Në një takim në Këshillin e Sigurimit më 17 dhjetor 2018, vetë Presidenti Hashim Thaçi tha se nuk e mohonte se ndonjë luftëtar kishte devijuar nga fisnikëria e luftës për liri. Ai gjithashtu e quajti themelimin e gjykatës si një padrejtësi historike, por një detyrim për shkak të partneritetit të Kosovës me SHBA, BE dhe NATO.

Sipas ligjit, edhe vendor edhe ndërkombëtar, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit ose krimet e brendshme janë krime, pavarësisht se kush i ka kryer ato. BE dhe SHBA duhet të jenë shumë më efikas për të shtyrë qeverinë serbe të kuptojë se është me rëndësi që këto krime duhet të përpunohen në mënyrë korrekte në gjykata. Kjo është në interesin e rajonit dhe një faktor i padiskutueshëm në drejtësinë tranzicionale që mungon aq shumë

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.