Akuzat kundër Thaçit dhe rrjedhojat për Dialogun

SHBA shpenzoi një kapital të konsiderueshëm politik për të shtyrë përpara inciativën e saj aq sa e shtyri, duke inxhinieruar rrëzimin e një qeverie të zgjedhur dhe duke e detyruar Kosovën të zmbrapsej sa i përket çështjes së tarifave. Duke marrë parasysh gjendjen politike në eutanazi të Donald Trump-it, administratës së tij nuk i ka mbetur më kapital për të shpenzuar. Si rrjedhojë, inciativa për negociata është kthyer në duart e BE-së. Por BE ka problemet e saj…

0
55

(Ky artikull është shkruar nergut për botim në New Perspektiva. Autori, Dr Eric Gordy, është profesor në London University College.) 

Planet për samitin Kosovë-Serbi në Uashington u ndërprenë papritur me publikimin e njoftimit se Zyra e Prokurorit e Dhomave të Specializuara të Kosovës kishte paraqitur një padi kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, dhe disa të tjerëve. Veç asaj që është njoftuar në deklaratën për shtyp, nuk ka shumë informacione në dispozicion për thelbin e akuzave. Koha kur u dha njoftimi duket po ashtu a çuditshme, pasi që akuzat janë dorëzuar më 24 prill, (ende) nuk janë konfirmuar nga një gjykatës, dhe u bënë publike kur Thaçi ishte nisur  për në Uashington për takimin e tij me Aleksandar Vučićin dhe zyrtarët amerikanë.

Nuk është krejtësisht e qartë se çfarë do të ndodhë me akuzat: një gjykatës i procedurës paraprake do të duhet të marrë vendim nëse ka gjasa të arsyeshme për dënim. Edhe pse zakonisht gjyqtarët bëjnë atë që kërkojnë prokurorët, kjo nuk është e garantuar në këtë rast. Gjyqtarët e Dhomave të Specializuara do të jenë të vetëdijshëm për trashëgiminë e paqartë të lënë nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), ku aktakuza të përgatitura dobët kundër udhëheqësve të UÇK-së çuan në ndjekje penale të dështuara dhe diskredituese. Prandaj do të ishte e arsyeshme të pritet që gjyqtarët do të jenë tejet të kujdesshëm që të mos përsërisin atë përvojë. Në të njëjtën kohë, megjithatë, do të ishte poaq e arsyeshme të pritet që prokurorët nuk do të bënin një njoftim publik sikur mos të ishin më të sigurt sesa kishin qenë prokurorët e TPNJ-së në një situatë të ngjashme.

Nëse kjo rrjedhojë ishte e qëllimshme apo jo, takimi i planifikuar në Uashington mes Thaçit dhe Vučićit nuk do të zhvillohet. Pasi i dërguari i SHBA-së, Richard Grenell, kaloi javën e kaluar duke u përpjekur t’i ulë pritjet për takimin, kjo mbase e konfirmon se nuk kishte në horizont ndonjë marrëveshje dhe se inciativa amerikane për t’i detyruar palët për një zgjidhje mori fund. SHBA shpenzoi një kapital të konsiderueshëm politik për të shtyrë përpara inciativën e saj aq sa e shtyri, duke inxhinieruar rrëzimin e një qeverie të zgjedhur dhe duke e detyruar Kosovën të zmbrapsej sa i përket çështjes së tarifave. Duke marrë parasysh gjendjen politike në eutanazi të Donald Trump-it, administratës së tij nuk i ka mbetur më kapital për të shpenzuar.

Si rrjedhojë, inciativa për negociata është kthyer në duart e BE-së. Por BE ka problemet e saj, duke përfshirë edhe mungesën e konsensusit rreth njohjes. Pasi Federica Mogherini bëri përpjekje që të bëjë një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës si suksesin e saj kulmor dhe dështoi, ka shumë pak gatishmëri tek kushdo që të marrë rolin udhëheqës për këtë çështje. Kur të merren të gjitha parasysh, BE ka më shumë gjasa të angazhohet në konsultime të gjëra dhe të negociojë një marrëveshje të qëndrueshme sesa që ka pasur Trump-i ndonjëherë, por kjo do të ndodhë ngadalë. Në minimum, kjo nënkupton se presioni që i ishte vënë Vučićit në momentin kur fuqia e tij e brendshme politike u bë plotësisht e pakontestueshme më nuk është. Por po ashtu nënkupton se Vučići ka humbur, të paktën përkohësisht, mundësinë që t’i vë në lojë objektivat amerikane dhe evropiane kundër njëri-tjetrit.

Nëse akuzat kundër Thaçit konfirmohen dhe ngritet padi kundër tij, ai me siguri do të ndjekë shembullin e Ramush Haradinajt dhe do të tërhiqet nga posti. Siç ka thënë tashmë se në fund të mandatit të tij do të heqë dorë nga jeta publike, kjo do të shënonte fundit e karrierës së tij politike. Duke supozuar se parlamenti nuk është në gjendje të zgjedhë një president të ri pas tri raundeve të votimit, do të duhej të mbaheshin zgjedhje të reja brenda 45 ditëve (shih Nenin 86. Por po ashtu shih edhe Nenin 90, kryetari i Kuvendit mund të marrë postin për një periudhë maksimale prej 6 muajsh). Këto zgjedhje do të rezultonin pothuajse me siguri me një qeveri të udhëhequr nga Albin Kurti. Kjo do të thotë se negociatat mes Kosovës e Serbisë do të duhej të fillonin përsëri mbi parime të reja, meqë Kurti ka qenë kundër inciativës që promovohej nga SHBA që nga fillimi.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE