Ambasada në Izrael – shkaqet dhe pasojat

A ia vlen të vazhdohet me vendimin i cili i sfidon parimet evropiane, i cili e sfidon shtetin siç është Turqia dhe i cili sfidon edhe shtetet arabe, vetëm e vetëm për hir të njohjes së Izraelit? Shumë analistë të politikës së jashtme do të thonin që nuk ia vlen sepse ajo që mund të sjellë mund të jetë vetëm edhe më shkatërruese për pozicionimin në skenën ndërkombëtare por edhe me marrëdhëniet me shtetet arabe. Nga ana tjetër, ky vendim absolutisht mohon të drejtat e palestinezëve dhe situatën e tyre, prapë për hir të një njohjeje nga Izraeli.

0
82

Pas marrëveshjes në Uashington, e cila u nënshkrua nga Beogradi dhe Prishtina, me lehtësimin e administratës Trump, ka ardhur koha për ta zbatuar atë. Edhe pse kishim pritje të mëdha para asaj marrëveshjeje, para së gjithash pritje të mëdha në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në fund morëm një marrëveshje që problemet tona vendore vetëm “i kapi” sipërfaqësisht ndërsa u përqendrua në çështje të tjera ndërkombëtare. Një nga ato çështje dhe probleme është vendosja e marrëdhënieve ndërkombëtare me Izraelin, më saktësisht hapja e Ambasadës së Kosovës në Izrael. Dhe atë jo kudo në Izrael, por në Jerusalem, statusi i të cilit është ende në pikëpyetje.

Në fakt, edhe Serbia edhe Kosova, me marrëveshjen e Uashingtonit morën përsipër që Serbia do të zhvendosë ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem, derisa Kosova, pas njohjes nga Izraeli dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, do të hapte ambasadën në Jerusalem. 

Ndërkohë, Trump humbi garën për president, e Kosova fitoi një qeveri të re të udhëhequr nga Kurti. Sido që të jetë, kjo nuk e ndaloi hapjen e ambasadës në Jerusalem. Në të njëjtën kohë, Serbia nuk ka bërë asgjë për të përmbushur këtë pjesë të marrëveshjes. 

Përfundimisht, më 14 mars të këtij viti, Kosova edhe zyrtarisht e hapi ambasadën në Jerusalem dhe u bë kështu shteti i tretë në botë, përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Guatemalës, që e ka ambasadën e saj në Jerusalem. Siç u tha zyrtarisht, përfaqësuesit e lartë të Kosovës nuk morën pjesë në hapjen zyrtare të ambasadës për shkak të pandemisë, kështu që ambasada u hap vetëm në prani të ministrit izraelit të Punëve të Jashtme dhe ambasadores së Kosovës.   

Në të njëjtën kohë, reagimet nga ana e Turqisë, Bashkimit Evropian dhe Ligës Arabe ishin gjithçka tjetër vetëm jo pozitive. Ndoshta si lojtari më i rëndësishëm për Kosovën në këtë moment mund të merret reagimi i përfaqësuesve evropianë, si dhe përfaqësuesve të institucioneve evropiane. Në fakt, qëndrimi zyrtar i Bashkimit Evropian është që nuk mund të arsyetohet hapja e ambasadave në Jerusalem, sepse së pari duhet marrë parasysh të drejtat e komunitetit palestinez, por edhe faktin që Jerusalemi është territor i kontestuar dhe qytet i ndarë midis Izraelit dhe Palestinës. Me vetë këtë fakt, veprimet siç janë hapjet e ambasadave vetëm mund të prishin marrëdhëniet ekzistuese, edhe ashtu të brishta, dhe të përkeqësojnë situatën edhe ashtu alarmante midis Palestinës dhe Izraelit. 
 
Siç u përmend tashmë, megjithëse kishte një ndryshim të qeverisë në Kosovë, ky vendim mbeti në fuqi dhe Albin Kurti, pas një paralajmërimi nga përfaqësuesit turq dhe evropianë, tha se do t’i kontrollonte të gjitha dokumentet e Qeverisë që e mori këtë vendim.

Në fund, mbetet pyetja se çka do të sjellë me vete ky vendim i Kosovës. A ia vlen të vazhdohet me vendimin i cili i sfidon parimet evropiane, i cili e sfidon shtetin siç është Turqia dhe i cili sfidon edhe shtetet arabe, vetëm e vetëm për hir të njohjes së Izraelit? Shumë analistë të politikës së jashtme do të thonin që nuk ia vlen sepse ajo që mund të sjellë mund të jetë vetëm edhe më shkatërruese për pozicionimin në skenën ndërkombëtare por edhe me marrëdhëniet me shtetet arabe. Nga ana tjetër, ky vendim absolutisht mohon të drejtat e palestinezëve dhe situatën e tyre, prapë për hir të një njohjeje nga Izraeli.

Pas të gjithave, derisa po e presim vazhdimin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, shtrohet pyetja nëse ky vendim do të sjellë çfarëdo qoftë lidhur me këtë çështje, në veçanti për shkak që politikanët tanë na kanë sjellur deri tek ajo që të jemi të përfshirë në një konflikt edhe më të gjatë, në vend që të merremi me konfliktin tonë. Përveç kësaj, në vend që të kërkojmë mënyra paqësore për të zgjidhur problemet e deritanishme, vetëm jemi shtyrë në probleme që mund të krijojnë një konflikt edhe më të madh, por që gjithashtu konfrontojnë qëndrimet me Bashkimin Evropian. Shkaqet mund të gjenden në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje përmes Amerikës, e pasojat jemi ende duke i pritur. A është i mençur apo jo, a është një vendim afatgjatë apo i prirë për të ndryshuar, kjo mbetet të shihet.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE