Armët plastike dhe tavolina pas perdes 

Kam përshtypjen se kjo situatë po u përshtatet të gjithëve. Ajo po u konvenon  pushtetmbajtësve serbë sepse mund t’i tregojnë muskujt dhe të rrahin gjoks se si nuk do të vazhdojnë dialogun derisa të mos hiqet taksa dhe se si e gjithë bota është në anën e tyre. Ajo i përgjigjet edhe autoriteteve të Kosovës, sepse mund të rrahin gjoks para popullit se sa patriotë të mëdhenj janë dhe se si ia hodhën Serbisë arrogante.

0
174

Midis Kosovës dhe Serbisë kohët e fundit po mbretëron një tension i madh. Kohët e fundit… Midis Kosovës dhe Serbisë tashmë tridhjet vite mbretëron tension i madh. Vetëm se tani ai tension po shtyhet në plan të parë që të duket sa më bindës. 

Siç thotë z. Shkumbin Kajtazi në tekstin „Kush duhet ta ulë armën? të datës 15 mars 2019, Serbia dhe Kosova i mbajnë, thënë metaforikisht, tytat e armëve të drejtuara kah njëra-tjetra. Tyta serbe, sipas fjalëve të tij, është lobimi kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e shteteve që ende nuk e kanë bërë këtë, si dhe për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shtetet të cilat tashmë e kanë bërë këtë. Është e logjikshme, po. Mirëpo, kur e shohim këtë pak më thellë, shtrohet pyetja çfarë plage ajo armë serbe mund t’i shkaktojë Kosovës dhe pavarësisë së Kosovës (duke mos hyrë në atë se a është ajo e plotë apo iluzore). Do ta tërheqë njohjen Papua Guinea e Re dhe Palau? A dhemb kjo? A do të pushojë dikush – duke ndjekur shembullin e këtyre vendeve – ta konsiderojë Kosovën shtet të pavarur apo ta përforcojë bindjen e vet se nuk duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës? A do t’i formësojë kushdoqoftë qëndrimet e veta në bazë të qëndrimeve të atyre shteteve? Paj nuk do ta bëjnë, pa dashur që t’i nënvlerësojë këto shtete, nuk do ta bëjnë këtë! Fati i pavarësisë së Kosovës definitivisht nuk është as në duart e Serbisë e as të Kosovës. Pavarësia e Kosovës nuk do të jetë e kompletuar pa pajtueshmërinë e të gjithë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, çkado që të bëjnë Serbia apo Kosova. Atëherë kur të jetë në interes të atyre shteteve që të zgjidhet çështja e Kosovës, ajo do të zgjidhet shumë shpejt, e derisa të mos ekzistojë ai interes, zgjidhje nuk do të ketë.

E çka konsideron si armë e Kosovës? Taksën prej 100% në importet e mallit nga Serbia. A dhemb kjo? Ekonomikisht, po. Dëmi ekonomik për Serbinë është i dukshëm. Por ajo taksë nuk është masë ekonomike, ashtu siç Kosova nuk është çështje ekonomike për Serbinë. Pra, nëse nuk e marrim parasysh efektin ekonomik, i cili, edhe pse nuk mund të anashkalohet plotësisht, nuk ishte qëllimi i Qeverisë së Kosovës, pasoja politike nuk është edhe aq e madhe. Furnizimi me mall i popullit serb në Kosovë është i rregullt, ashtu siç ka qenë edhe më parë. Pasoja politike e taksës është edhe formalisht ndërprerja e dialogut, i cili faktikisht ka qenë i ndërprerë disa muaj para vendosjes së taksës, dhe prej nga po kërkohet një strategji dalëse meqenëse nuk  u arrit asgjë.   

E, këtu vijmë deri tek diçka që mua po më sillet nëpër mendje si e vetmja gjë logjike. Në fakt, kam përshtypjen se kjo situatë po u përshtatet të gjithëve. Ajo po u konvenon pushtetmbajtësve serbë sepse mund t’i tregojnë muskujt dhe të rrahin gjoks se si nuk do të vazhdojnë dialogun derisa të mos hiqet taksa dhe se si e gjithë bota është në anën e tyre. Ajo i përgjigjet edhe autoriteteve të Kosovës, sepse mund të rrahin gjoks para popullit se sa patriotë të mëdhenj janë dhe se si ia hodhën Serbisë arrogante. Të gjitha këto po i bëjnë edhe njëra edhe tjetra palë derisa prapa kuintave po negociojnë për zgjidhjen përfundimtare, e cila, sipas të gjitha gjasave, do të jetë e dhimbshme si për njërën ashtu edhe për tjetrën palë. 

Duket që arma e vërtetë është megjithatë tek dikush tjetër dhe është e vendosur në tëmth të Serbisë dhe të Kosovës e që së shpejti do të shkrepë, ndërsa edhe njëra edhe tjetra palë në duar kanë vetëm kopje plastike. 

SHARE