Arrestimet në veri të Kosovës

Arrestimi i policëve të korruptuar, kriminelëve, ka mundur të kalojë në mënyrë shumë më të thjeshtë, më qetë. Ndërhyrja me mbi 70 automjete, gjendje shtetrrethimi, helikopterë, shok bomba, gaz lotsjellës, të shtëna, plagosje dhe rrëzim të barrikadave është më shumë se arrestim i zakonshëm. Një konflikt i një intensiteti më të madh u shmang, deri në ndonjë rast tjetër.

0
55

Zëri i lartë dhe i pakëndshëm i sirenës më zgjon diku pas orës 6. Ngrihem, diçka e pazakonshme po ndodh. E pazakontë, por megjithatë e pritur, e paralajmëruar. Dal në rrugë dhe marr lajmin se në zhvillim e sipër është arrestimi i serbëve të punësuar në policinë e Kosovës. Ndërhyrja e policisë speciale të Kosovës, ROSU, në veri të Kosovës vetëm disa ditë pas zgjedhjeve gjithsesi pritej, së paku kryetari i Serbisë Aleksandar Vučić në disa raste paralajmëroi për këtë mundësi. Dhe kjo u realizua. Është diçka krejtësisht normale të arrestosh policë të korruptuar, kriminelë. Nëse duam një shoqëri të rregulluar, duhet t’i pranojmë aksionet e arrestimit. Por, a e ka zgjedhur Prishtina mënyrën e duhur për ta bërë këtë, nuk jam i sigurt? Koha e arrestimeve, mëngjesi pas mbledhjes për Kosovën të mbajtur  në Beograd ku u paralajmërua se do të mund të ketë skenare të tilla, tregon për informimin e mirë apo siç do të thoshin disa opozitarë serbë për një aksion të  „dakorduar“. Çkado që të ketë qenë, me ndërhyrje të tilla, popullit në veri të Kosovës vetëm se po i futet frikë.  

Presidenti Vučić u bëri thirrje qytetarëve të veriut të Kosovës që të jenë të qetë, por e vendosi ushtrinë dhe policinë në gjendje të gatishmërisë së plotë për luftë. Po e lexoj një lajm që madje e ka ngritur edhe aviacionin i cili është vërejtur në viset jugore të Serbisë. Gjëra të tilla në mua sigurisht krijojnë brengosje, të gjithë të afërmit e mi janë në veri të Kosovës. Përveç kësaj, me ulërimën e sirenave dhe praninë e shtuar të policisë dhe qytetarëve, helikopterëve që sillen, më duhet të rri i qetë. Si ta bëj këtë? Në Kosovë njerëzit pak a shumë janë imun ndaj këtyre situatave sepse janë dukuri e shpeshtë, por situata të këtilla përkujtojnë disa kohëra të këqija, krijojnë shqetësim.  

Prishtina po demonstron pushtet dhe forcë në veri të Kosovës në një mënyrë të pazakonshme, me frikësime dhe sjellje arrogante. Arrestimi i policëve të korruptuar, kriminelëve, ka mundur të kalojë në mënyrë shumë më të thjeshtë, më qetë. Ndërhyrja me mbi 70 automjete, gjendje shtetrrethimi, helikopterë, shok bomba, gaz lotsjellës, të shtëna, plagosje dhe rrëzim të barrikadave është më shumë se arrestim i zakonshëm. Një konflikt i një intensiteti më të madh u shmang, deri në ndonjë rast tjetër. Na mbetet të presim, reagimet e Beogradit dhe Prishtinës po bien mbi shpinën e këtij populli. Secili që ka një mendje esull, që është real dhe normal do të përshëndes një aksion të policisë për arrestimin e kriminelëve, por ata kriminelë në këtë rast janë policë, kështu që këto arrestime kanë mundur të bëhen në mënyrë interne, pa krijuar një rrezik të përgjithshëm. Por, ndoshta një situatë e tillë i shkon dikujt për shtati.  

Në Zubin Potok, ku erdhi deri tek konflikti midis policisë speciale të Kosovës dhe qytetarëve, e pas kryerjes së aksionit policor, janë dëmtuar mbi 20 automjete, janë rrahur dhe arrestuar disa qytetarë, kurse policia e Kosovës ka shkatërruar madje edhe inventarin e shtëpive ku kanë ndërhyrë. Ky përdorim i tepruar i forcës mund të shihej në të gjitha lajmet që raportuan për ndërhyrjen e formacioneve të Kosovës në veri.  

Disi po më imponohen pyetjet në vijim: a është normale që për arrestime të shkohet me autoblinda dhe duke shtënë me plumba në shenjë paralajmërimi mbi kokat e qytetarëve? A është e zakonshme që gjatë arrestimit policia të shkatërrojë pronën private, madje edhe automjetin e gazetarit? A është modeli i frikësimit që po e zbaton Prishtina në veri të Kosovës një raport i shëndetshëm ndaj popullatës (së saj)? Sido që të jetë, pas nesh mbetet edhe një ditë e stuhishme në Kosovë. Epilogu i aksionit të njësive speciale të Kosovës është 28 persona të  arrestuar (midis të cilëve, përveç serbëve, ka edhe boshnjakë dhe shqiptarë) disa të  lënduar, dëm i madh material, stres dhe pasoja afatgjata që do krijojnë një hendek ndëretnik midis dy popujve.  

Situata në veri të Kosovës sado që është e rrezikshme, stresuese, e tendosur, po bëhet edhe e mërzitshme. Më shkon mendja se ndoshta edhe Beogradi edhe Prishtina po krijojnë tensione, po i dramatizojnë zhvillimet ashtu që popullit të thjeshtë t’ia zhvendosin vëmendjen nga problemet e zakonshme si varfëria, papunësia, stagnimi në zgjidhjen e problemit që quhet Kosovë.  

SHARE