Arrestohet Marko Đurić, hyri në Kosovë pa leje

0
650

Drejtori i zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Marko Đurić është arrestuar të hënën nga Policia e Kosovës pasi nuk ka përfillur ndalesën e lëshuar nga Qeveria e Kosovës dhe është futur në Mitrovicë.

Pas arrestimit, ai u dërgua në Prishtinë, ku u mbajt vetëm pak minuta brenda stacionit policor. Në momentin kur ai u nxor nga automjeti, dhjetëra qytetarë ishin mbledhur para stacionit policor, duke fishkëllyer dhe brohoritur kundër Đurić.

Dhjetëra pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës kanë zbarkuar në Jarinje, mëngjesin e së hënës për të ndaluar hyrjen e mundshme në territorin e Kosovës të drejtorit të Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Marko Đurić. Ndalesa e vënë Đurić dhe zyrtarëve tjerë serb ndërlidhej me deklaratat nxitëse dhe mos përfilljen e marrëveshjes për vizitat reciproke.

Me të përfunduar aksionin, policia lëshoi një komunikatë, ku tregoi për detajet.

“Me qëllim të verifikimit të informacionit dhe zbatimit të vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës (RKS), i cili ka ndaluar vizitën në Kosovë të disa zyrtarëve serbë duke përfshirë z.Vulin dhe z.Gjuriq, ka angazhuar njësi relevante policore për të vepruar në atë lokacion”, thuhet në komunikatën e Policisë. Më tej shkruan se, njësitet kompetente policore gjatë hyrjes në atë lokacion me qëllim të verifikimit të informacionit të siguruar dhe për të zbatuar vendimin zyrtar të autoriteteve të shtetit, gjatë hyrjes kanë hasur në pengesa dhe rezistencë të disa personave që gjendeshin në atë lokacion.

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se Policia e Kosovës ka vepruar sipas ligjit.

“Atij i është tërhequr vërejtja disa herë që t’i respektojë ligjet e Kosovës, siç duhet respektuar ligjet e nikoqirit, çdo qytetar, kudo që shkon”, ka thënë Pacolli.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje për qetësi, derisa ka thënë se Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me ligjet dhe kompetencat e veta në arrestimin e Marko Đurić.

“Ky rast nuk duhet të cenojë komunikimin që është vënë në mes Kosovës dhe Serbisë, dialogun në mes dy vendeve dhe përpjekjet për normalizim, për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe pajtim në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Pas arrestimit të Đurić, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić ka mbledhur Këshillin për Siguri Kombëtare.

Ai e ka dënuar arrestimin e Đurić duke e quajtur provokim brutal.

“Terroristët shqiptarë deshën të tregojnë se kanë fuqi dhe përkrahje të fuqive perëndimore, dhe e kanë shfaqur këtë. Por, ne pa zhurmë do të arrijmë ta mbajmë popullin tonë , i cili duhet të jetë i qetë. Nuk do të lejojmë që ta largojnë popullin tonë nga atje”, ka thënë Vučić.

“Derisa neve përfaqësuesit ndërkombëtarë na thoshin të jemi të qetë, se ne do të zgjidhim gjithçka…. në atë moment ata ndërmarrin një aksion të gjerë në të cilën ajo bandë terroriste godet Mitrovicën Veriore, hedhin shok bomba, nisin të rrahin këdo që e takojnë. Për këtë do të kemi një raport special. Ajo bandë ka hyrë brenda dhe ata terroristë arrestuan Marko Đurić”, ka deklaruar Vuçiq. Presidenti serb është shprehur se, të gjithë pjesëmarrësit në këtë aksion, përfshirë edhe disa serbë, do të përgjigjen para organeve serbe.

Reagime kanë ardhur edhe nga Brukseli, të cilët kanë kërkuar përmbajtje nga veprimet e dhunshme.

Shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini ka njoftuar se ka telefonuar të dy presidentët, atë të Kosovës Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vučić të Serbisë.

“Me vije keq për atë që ka ndodhur sot. Tani Đurić është i lirë dhe gjatë rrugës për t’u kthyer pas. Duhet qetësi dhe ruajte e dialogut”, ka shkruar Mogherini në Twitter.​

Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Greg Delaëie ka thënë se është i shqetësuar me zhvillimet që ndodhën në Mitrovicë.

“Nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut”, ka shkruar Delawie në “Twitter”.

Ndërhyrja e Forcave Speciale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, ndodhi në momentin kur Đurić dhe zyrtarët tjerë serbë që kishin hyrë pa leje po mbanin një tubim, ku po diskutonin për çështjen e Kosovës dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne kemi ardhur sot këtu në Mitrovicë ashtu siç edhe kemi premtuar, ashtu siç jemi marrë vesh para disa ditësh, kur me nismën e Vučić, kemi bërë thirrje për këtë tryeze të rrumbullakët, në mënyrë që me serbët e Kosovës të bisedojmë për të ardhmen e vendit tonë”, ka thënë Đurić në hapje të takimit.

“Pa ju, pa serbët e Kosovës, nuk ka zgjidhje për Kosovën. Për Serbinë, Kosova, veriu i Kosovës, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e të ashtuquajturës Kosovë e pavarur e as pjesë e të ashtuquajturës Shqipëri e madhe”, ka thënë Marko Đurić.

Kurse kryetari i komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakić ka ftuar presidentin e Serbisë që të fillohet me formimin e njëanshëm të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke theksuar se shqiptarët (institucionet e Kosovës) nuk janë në gjendje që ta kryejnë këtë punë.

SHARE