Arti dhe politika

Shumë regjime politike kanë shfrytëzuar, dhe shfrytëzojne edhe më tej artin për qëllime propagandistike, duke shfrytëzuar me vetëdije artin në formësimin e vetëdijes së popullatës së vet. Nga ana tjetër, të njëjtën gjë e bëjnë edhe shumë lëvizje të rezistencës, shpeshherë me rezultate shumë më të mira estetike sesa ato që prodhon shteti.

0
1326

Shumë regjime politike kanë shfrytëzuar, dhe shfrytëzojne edhe më tej artin për qëllime propagandistike, duke shfrytëzuar me vetëdije artin në formësimin e vetëdijes së popullatës së vet. Nga ana tjetër, të njëjtën gjë e bëjnë edhe shumë lëvizje të rezistencës, shpeshherë me rezultate shumë më të mira estetike sesa ato që prodhon shteti.

Shumë regjime politike kanë shfrytëzuar, dhe shfrytëzojne edhe më tej artin për qëllime propagandistike, duke shfrytëzuar me vetëdije artin në formësimin e vetëdijes së popullatës së vet. Nga ana tjetër, të njëjtën gjë e bëjnë edhe shumë lëvizje të rezistencës, shpeshherë me rezultate shumë më të mira estetike sesa ato që prodhon shteti. Fuqitë politike në masë të madhe kanë formësuar disciplina të ndryshme të historisë së artit, e ato arte që kanë mbijetuar epoka nga e kaluara, sot janë këtu sepse fuqitë politike e kanë lejuar këtë. Pra, mund të themi se historia e artit është histori e përmendoreve dhe veprave artistike kompatibile me regjimin politik. Kur regjimi politik fillon të prodhojë objekte estetike, ai përpiqet t’i bëjë të amshueshme. Ne nuk i identifikojmë sistemet politike dhe ideologjitë ekskluzivisht me një varg të pohimeve të ndryshme, por me tërë mishërimin e tyre estetik në tërësi, me ç’rast edhe tekstin e vendosim ne fushën e estetikës. Mund të themi se çdo sistem politik në momentin e caktuar me shenja mund të indeksohet me mishërimin e vet estetik. Nga ana tjetër nuk mund të thuhet në tërësi për funksionin e artit në kuadër të politikës se i takon fushës së propagandës apo përhapjes së retorikës së caktuar. Ai raport mes artit dhe politikës është konstitutiv. Sistemi politik përbëhet nga mishërimet e tij estetike. Raporti mes liderit dhe pasuesve të tij në masë të madhe është i formësuar me sistemin estetik për krijimin e të cilit punohet me shumë kujdes. Me fjalë të tjera, nëse duam të flasim për politikë nuk mund ta anashkalojmë estetikën, dhe anasjelltas, çdo aspekt i estetikës pashmangshmërisht është i politizuar. Të dy këto nocione, estetika dhe politika, nuk mund të shqyrtohen ndaras por janë nocione që funksionojnë si tërësi. Secila politikë ka mishërimin e vet estetik, dhe çdo estetike i paraprinë politika. Qëndrimet estetike fitohen gjatë jetës, ndërsa në krijimin e tyre punohet përmes sistemeve të ndryshme të edukimit, të cilat janë, logjikisht, të kushtëzuara me regjimin politik.

Shikuar nga këndvështrimi estetik, artisti është furnizues i përvojës estetike, përfshirë edhe atyre që kanë për qëllim të frustrojnë ose modifikojnë sensibilitetin estetik të shikuesit. Subjekti i përvojës estetike është padroni, ndërsa artisti është shërbëtori. Kjo do të thotë se artisti ka për detyrim të prezantojë përmbajtje, tema, motive, narrativa etj, të cilat vendosen nga fuqitë fetare ose politike. Sot artisti merret me tema te interesit publik. Opinioni demokratik dëshiron që në art të gjejë përfaqësimin e çështjeve, temave të ndryshme, kontraversave politike dhe tendencave shoqërore të cilat publiku i nisë nga jeta e përditshme. Politizimi i artit shpeshherë shihet si kundërhelm i qëndrimit të pastër estetik i cili gjoja kërkon nga arti që të jetë thjesht i bukur. Megjithatë, politizimi i artit shpesh është i kombinuar me estetizimin e tij. Nëse artisti është i liruar nga pyetja “çfarë të bëjë”, atëherë është i lirë që t’i lëshohet anës thjeshtë formale të artit, respektivisht, “si ta bëjë”. Kjo pyetje si ta bëjë e vë atë në pozitën që përmbajtja e veprës duhet të jetë atraktive ose e pëlqyeshme (ose joatraktive dhe dëbuese) për sensibilitetin estetik të publikut. Pra, mund të thuhet se edhe politizimi i artit interpretohet ashtu që publikut t’ia bëjë atraktive (ose joatraktive) qëndrimet e caktuara politike. Politizimi i artit atëherë duket plotësisht subjektive për gjykimin estetik. Në fund, qëllimi është paketimi i angazhimit politik në formë estetikisht atraktive.*1 Natyrisht, tek angazhimet direkte politike, format estetike humbin relevancën e vet dhe mund të refuzohen në emër të praktikës direkte politike. Këtu arti funksionon si reklamë politike e cila bëhet e tepërt pas arritjes së qëllimit të përcaktuar.

Fuqia e shikuesit

Jacques Rancière në tekstin Shikuesi i emancipuar, rikrijon rrjetin e supozimeve të cilat çështjen e shikuesit e vendosin, në fakt, në qendër të debatit mbi raportin mes artit dhe politikës. “Të qenit shikues është gjë e keqe për dy arsye. Para së gjithash, të shikosh është e kundërt nga të dish. Shikuesi ndodhet përballë një dukurie, duke mos e njohur procesin e prodhimit të saj e as realitetin që qëndron pas saj. E dyta, të shikuarit është e kundërta e të vepruarit. Shikuesi mbetet i palëvizshëm në vendin e vet, pasiv. Të jesh shikues nënkupton në të njëjtën kohë të jesh i ndarë nga aftësia e të njohurit dhe mundësia e veprimit.”*2 Supozime të tilla na sjellin deri te ajo që të hapim çështjen e rolit të shikuesit, si me rastin e perceptimit të veprës nga njëra anë, ashtu edhe në procesin e lindjes së veprës. Roli pasiv i shikuesit është i pashmangshëm në shprehje të caktuara artistike, por në disa raste ky rol ndryshon. Kjo mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Ekzistojnë vepra tek të cilat instanca narrative është e konstruktuar ashtu që nuk nevojitet angazhim i madh i shikuesit që të kuptohet ngjarja apo porosia. Derisa nga ana tjetër, tek disa vepra nga shikuesi kërkohet punë aktive për ta kuptuar. Si shembuj të veprave që angazhojnë shikuesin Rancière thekson veprat e autorëve të njohur të artit teatral Bertolt Brecht dhe Antonin Artaud.

Praktika të tilla artistike kanë idenë që vetë aparatin e imagjinatës së shikuesit ta çojnë në atë që të fillojë të prodhojë forma te imagjinatës që nuk kanë ekzistuar deri tani. Ato angazhojnë shikuesin jo vetëm në drejtim të të menduarit, por edhe të aktivizimit të imagjinatës së tij në procesin e të menduarit. Nga njëra anë imagjinata ka një lloj autonomie dhe ekzistencë plotësisht të pavarur e cila do të ishte jashtë parimeve shoqëroro politike dhe ekonomike. Nga ana tjetër, edhe vetë imagjinata, ashtu si edhe çdo gjë tjetër në jetë, ka bazën materiale dhe si e tillë i nënshtrohet ideologjisë. Për autorin e filmave Alexander Kluge, kategoria e fantazisë në këtë rast është kyçe. Këtu qëllimi është realizimi i filmave në të cilët në mënyre direkte shkrehet imagjinata e shikuesit, gjegjësisht, filmi që zhvillohet në kokën e shikuesit. “Gjëja më e keqe që mund të ndodhë është që shikuesit t’i ofrohet një film të cilin ai do ta kuptojë plotësisht.”*3 Qasje të tilla kanë idenë që veprën në ndonjë mënyrë ta infiltrojnë në imagjinatën e shikuesit dhe me këtë të arrijnë efekt sa më të madh. Vepra të tilla artistike zakonisht kanë për qëllim angazhime direkte politike, siç është rasti me filmin politik. Këtu shikuesit i lejohet një nivel i lartë i lirisë që të vendosë vet se në çfarë mënyre, në fakt, ta integrojë më tutje rrëfimin. Pra, sinteza e pamjeve të ofruara ose narrativa i lihet vendimit të shikuesit.

Sipas Rancière-it, mbi shikuesin duhet ushtruar ndikim konkret; shikuesin, në fakt, duhet shkundur nga fascinimi me spektaklin i cili ia ka marrë aftësinë e të gjykuarit kritik. “Shikuesin duhet shkundur nga topitja që karakterizon dikë që është i mahnitur me dukurinë dhe i pushtuar nga empatia që e shtyn të identifikohet me fytyrat në ekran. Atij dmth do t’i shfaqim spektaklin e të çuditshmes, të pazakonshmes, enigmën, kuptimin e së cilës do ta hulumtojë vet. Me këtë do ta shtyjmë që nga statusi i vëzhguesit pasiv të kalojë në status të të anketuesit ose eksperimentuesit shkencor i cili vëren fenomene dhe kërkon shkaktarët e tyre. Ose do t’i ofrojmë dilemën si shembull, të ngjashme me atë që vendosin para vete njerëzit e përfshirë në vendimin për aksion. Me këtë do t’i kontribuojmë mprehjes së sensit të tij personal për vlerësimin e arsyeve, debateve dhe zgjedhjes përfundimtare.”*4 Vetë distanca e cila ekziston mes shikuesit dhe veprës në këtë rast duhet të eliminohet. Me faktin që do ta shkundim nga roli topitës i konsumuesit pasiv të spektaklit të caktuar, ne në të vërtetë prodhojmë një shikues realizator aktiv.

E vërteta estetike apo vendimi politik

Normat e të gjykuarit estetik mund të rishikohen në koncepte të caktuara të së vërtetës estetike. Për disa qëllime, është e dobishme që kjo të bëhet. Në kuptimin që angazhimi i ideve të tilla të së vërtetës estetike mund të ushtrojë ndikim në ekzistimin e praktikave të etabluara estetike. Megjithatë, nëse e zbatojmë konceptin e të vërtetës në estetikë arrijmë deri te ajo që e vërteta nënkupton një lloj normash sipas të cilave ekzistojnë gjykime të sakta dhe të pasakta të shijes, apo se disa gjykime janë më të mira sesa të tjerat. Nëse e zbatojmë nocionin e së vërtetës, mund ta shprehim idenë normative ashtu që për një gjykim do të themi se është i vërtetë derisa i kundërti në atë rast është i rrejshëm. Ekzistojnë gjykime të tilla estetike që as ato, e as negacionet e tyre, nuk mund të jenë njëkohësisht të vërtetë. Edhe pse mund të përdorim parimin e normativitetit në fushën estetike, shtrohet pyetja a është kjo e nevojshme? Nocioni i së vërtetës na fut në një fushë jostabile të të gjykuarit ku ndodhemi në situatë që të marrim vendime për atë se çfarë do të shpallim të bukur, e çfarë të shëmtuar. Në të vërtetë, në fushën e estetikës është e mundur që të flitet me terma të vendimit politik në pajtim me raportin etik ndaj një gjëje të caktuar, derisa te gjykuarit në bazë të edukimit estetik do të ishte plotësisht i gabuar. Për gjykime politike, megjithatë, nevojitet edhe një nivel i caktuar besimi.

Të gjitha gjykimet politike pashmangshmërisht përmbajnë elemente të besimit implicit, në pajtim me logjiken e zgjedhjes politike, e cila shpesh është zgjedhje e vetë folësit apo përfaqësuesit, ashtu si edhe zgjedhja e ideve, projekteve, programeve, planeve, të mishëruara në figura dhe të varura nga realitetet e tyre dhe kredibiliteti për realitetin dhe kredibilitetit të atyre figurave. Pasiguria, madje edhe ndaj objektit të të gjykuarit, figurës apo grupit të ideve, është e shënuar në logjikën e politikës, e cila, pa marrë parasysh regjimin, nënkupton t’i besohet individëve detyra e formulimit dhe imponimit të problemeve ose zgjidhjeve politike. Ata individë gjithmonë mund të zgjidhen ose për shkak të programit të tyre (të objektivizuar), në kuptimin se veç ekziston një grumbull i gjykimeve të formuluara, apo i masava të paracaktuara publike, ose për shkak të personalitetit të tyre (të individualizuar), për shembull ndaj habitusit të tyre, stilit të të folurit, qëndrimit e të tjera të ngjashme. Çdo ‘zgjedhje’ politike merr parasysh, njëkohësisht, edhe personalitetin e garantuesit të asaj që ai garanton. Delegati në të njëjtën kohë është edhe përfaqësues i cili shpreh mendimin tashmë të shprehur të mandatarit të vet, por edhe agjent i cili ndjekë programin e vet të brendshëm ose interesa të caktuar në pajtim me pozitën e vet në fushën e produksionit ideologjik, shpreh si ende të paformuluara, qëndrime implicite ose potenciale me çka ai i sjellë në ekzistencë.*5

Ekzistojnë politika të artit të cilat mund të identifikohen tejet lehtë. Është e mundur të veçohen politizimet në vepra të letërsisë, filmit, pikturës, instalacioneve etj. Nëse këto politika përputhen me aktin e konstruktimit të disenzusit politik (political dissensus) atëherë kjo është fushë të cilën arti nuk mund ta kontrollojë. Teatri i Brehtit, forma arketipore e artit të politizuar, është i ndërtuar në ekuilibër skajshmërisht kompleks dhe dinak mes formave të edukimit politik nga njëra anë, dhe formës së modernizmit artistik nga ana tjetër. Ai në mënyrë konstante luan në mes të mënyrës se si të arrijë deri te vetëdija politike dhe mjeteve për minimin e legjitimitetit të artit të madh. “Teatri epik” i tij është kombinim i logjikës pedagogjike të legjitimuar me korpusin marksist, dhe nga ana tjetër i teknikës së fragmentimit dhe kombinimeve të ndryshme specifike për teatrin e fillimit të shekullit njëzet. Në atë mënyrë formula politike në veprën e tij mund të identifikohet lehtë.*6

Sot duhet të mësojmë si të jetojmë në gjendjen e ekspozimit të mediatizuar me prodhimin e sozive artificial, avatarëve me qëllime të dyfishta. Duhet të vendosim vehten në mediat vizuele dhe të fshehim trupat tonë biologjikë nga shikimi i medias. Është e qartë se një figurë e tillë publike nuk mund të jetë vepër e të pavetëdijshmes, fuqisë kuazi natyrale të trupit të njeriut, si në rastin e gjeniut të Kantit. Por në të vërtetë, ajo duhet të sjellë vendime të caktuara teknike dhe politike në pajtim me të cilat subjekti i tyre mund të jetë i përgjegjshëm në aspektin etik dhe politik. Dimensioni politik i artit në këtë mënyrë i prinë produksionit. Politika e artit më pak merret me ndikimin e vet tek shikuesi sesa me vendimet që çojnë tek krijimi i artit që në fillim.
*1 Boris Groys, Going Public, Stenberg press, England, 2010., str 12
*2 Žak Ransijer, Emancipovani gledalac, Edicija Jugoslavija, biblioteka Sveske, Beograd, 2010., str. 5
*3 Alexander Kluge, On Film and the Public Sphere, New German Critique, No. 24/25, 1981, str. 211
*4 Žak Ransijer, Emancipovani gledalac, Edicija Jugoslavija, biblioteka Sveske, Beograd, 2010., str. 7
*5 Pierre Burdieu, Distinction A Social Critique of the Judgement of Taste, Harvard University Press, Cambridge, 1984., str. 222
*6 Jacques Ranciere, The Politics of Aesthetics, the Distribution of the Sensible, Gabriel Rockhill, 2004., str. 62-63

Literatura:
Burdieu, Pierre, Distinction A Social Critique of the Judgement of Taste, Harvard University Press, Cambridge, 1984
Burgin, Victor, “Tea With Madlene”, u: Blasted alegories, Ur. Brian Walls, The MIT Press, London, 1987
Groys, Boris, Going Public, Stenberg press, London, 2010
Kant, Immanuel, Crtiique of Judgement, Oxford University Press, New York, 2007
Kant, Immanuel, Crtiique of the Power of Judgement, Cambridge, New York, 2000
Kluge, Alexander, On Film and the Public Sphere, New German Critique, No. 24/25, 1981
Ranciere, Jacques, The Politics of Aesthetics, the Distribution of the Sensible, Gabriel Rockhill, New York, 2004
Ransijer, Žak, Emancipovani gledalac, Edicija Jugoslavija, biblioteka Sveske, Beograd, 2010

*Vladimir Miladinović është artist nga Beogradi i cili mori pjesë në Sallonin e së Martës të organizuar javën e kaluar nga New Perspektiva ne bashkëpunim me D4D.