Asgjë e re në Kosovë

Duhet të kemi parasysh se ky është Ballkani, e para së gjithash, kjo është Kosova. Këtu është normale që nënshkrimi nuk të obligon, se marrëveshja nënshkruhet që të jenë të kënaqur të tjeret e jo ne vetë, që humbja në një fjali të shndërrohet në fitore, që gjërat më të rëndësishme të prezantohen në një formë triviale, që të aspirojmë kah një e ardhme më e mirë ashtu që do ta kthejmë mbrapsht të kaluarën si na përshtatet për momentin e shumë e shumë gjëra të tjera.

0
44

Muajt e kaluar opinioni publik në Kosovë ka qenë nën një presion konstant në kuptim të pritjeve të mëdha nga bisedimet në Uashington si dhe nga ajo se çka do të pasojë pas tyre.  Sido që të jetë, me kalimin e kohës, ne ngadalë po e kuptojmë se e gjithë kjo ishte një pompozitet tepër i madh për diçka që, shikuar realisht, në terren as nuk do të jetë e dukshme në atë masë në të cilën është pritur.  

Me deklarata të buta të zyrtarëve dhe përpjekje që të arsyetohet humbja e paraparë me marrëveshje, koha ngadalë po kalon kurse në terren nuk po ndodh asgjë konkrete dhe që mund të shihet me sy. Derisa kjo mund të jetë e mirë për disa, për disa të tjerë mund të thuhet se është çdo ditë e më vështirë. Në një moment të gjithë ne, në një mënyrë, i harruam të gjitha ato gjëra që na rrethojnë dhe çka na mundon për momentin, e të gjitha këto me shpresë dhe pritje të një të ardhme më të mirë të premtuar me marrëveshjen e Uashingtonit. Por që situata të bëhet edhe më e komplikuar u përkujdesën ata që edhe po na udhëheqin nëpër negociata, apo bile së paku disa prej tyre. Natyrisht, përfaqësuesi i BE-së në negociatat e Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajčak, qartazi dhe pa kurrfarë dyshimi tha se çfarë në të vërtetë pritet nga ne, e ky është ndryshimi i plotë i Kushtetutave të të dyja vendeve sepse, siç thotë  ai “Kushtetuta nuk është Bibël”. Të gjithë e kanë të qartë që ndryshime të tilla as nuk duhet e as nuk mund të ndodhin brenda natës, edhe pse po krijohet përshtypja se pikërisht Brukselit po i ngutet që deri tek këto ndryshime të vijë sa më parë që është e mundur. Një njeri normal do ta pyeste veten, pse është kjo kështu? Por do të mund të thuhej që në këtë moment epërsia e zgjidhjes së problemit mes Kosovës e Serbisë është në anën e SHBA-ve, e kjo, pa marrë parasysh aleancën midis BE-së dhe SHBA-së, assesi nuk i shkon për shtati Brukselit zyrtar. Por, sikurse për gjithçka deri më tani, koha do të tregojë se kush ka të drejtë e kush jo. Megjithëse, fati i këtyre hapësirave gjithmonë ka qenë në atë që të jetë kusur i hesapeve të mëdha. Kështu ka qenë, e siç po e shohim, kështu do të jetë edhe tani. 

Por se e gjitha është në pikëpyetje të madhe dëshmon edhe fakti se edhe ajo që është nënshkruar deri tani ende pritet të zbatohet në terren, e si qëndrojnë gjërat, ai zbatim është ende larg. Natyrisht, dhe para së gjithash, theksi këtu duhet vënë mbi BKS-në [Bashkësia e komunave me shumicë serbe], si bazë e të gjitha atyre që serbët në Kosovë duhet të marrin. Formatin dhe formën e saj askush ende as që po e përmend, ajo është për momentin ende në nivelin e një emri abstrakt dhe të një fraze politike për përdorim të përditshëm.  

Që çështja të bëhet edhe më absurde, një nga pikat e marrëveshjes është edhe rrjeti 5G, sinqerisht, dhe pas shumë të menduari, askush normal nuk mund të kuptojë se si një çështje nga sfera e elektronikës dhe komunikimit u gjet në marrëveshjen që duhet të zgjidhë çështjen shekullore midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Mbase kjo është një qasje që ne popujt e vegjël dhe të padijshëm edhe nuk e kuptojmë, sepse politikisht nuk kemi arritur deri në nivelin e krijuesve të marrëveshjes e si të tillë ne jemi të obliguar vetëm ta nënshkruajmë dhe ta zbatojmë, d.m.th disa vetëm ta zbatojnë e disa vetëm ta nënshkruajnë.  

Por, kur i interpretojmë të gjitha këto që i përmendëm, nuk duhet të harrojmë se nga cila pikë fillestare të nisemi dhe nga cili kënd të shikojmë situatën. Duhet të kemi parasysh se ky është Ballkani, e para së gjithash, kjo është Kosova. Këtu është normale që nënshkrimi nuk të obligon, se marrëveshja nënshkruhet që të jenë të kënaqur të tjeret e jo ne vetë, që humbja në një fjali të shndërrohet në fitore, që gjërat më të rëndësishme të prezantohen në një formë triviale, që të aspirojmë kah një e ardhme më e mirë ashtu që do ta kthejmë mbrapsht të kaluarën si na përshtatet për momentin e shumë e shumë gjëra të tjera. Paj kur i kemi parasysh të gjitha këto, mund të thuhet se mirë jemi, madje edhe shkëlqyeshëm, dhe që këtë të tashme të shkëlqyeshme në fakt edhe e kemi merituar me mospunën tonë të zellshme, moskujdesin, mosrespektimin e gjithë asaj në çka betohemi dhe në çka besojmë. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës

SHARE