Asociacioni është në thelb i vdekur, thotë Kurti

0
781

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe (AKS) është në thelb i vdekur, thotë Albin Kurti, kandidati për kryeministër të Kosovës i Lëvizjes Vetvendosje, parti e cila fitoi zgjedhjet e parakohshme të mbajtura muajin e kaluar.

Në një intervistë për portalin New Perspektiva, zoti Kurti thotë se, që në muajin e parë në post, do t’i rishikojë marrëveshjet që janë nënshkruar gjatë Dialogut të deritashëm me Serbinë për të parë përmasat e implementimit të tyre dhe impaktin e tyre në jetën reale të qytetarëve të Kosovës. Ai shton se serbët e Kosovës, ashtu si edhe shqiptarët, e çajnë kokën për vende pune dhe drejtësi, jo aq shumë për Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe.

Zoti Kurti thotë se serbët e Kosovës janë nën presion të Beogradit dhe këtë e kanë dëshmuar edhe vëzhguesit ndërkombëtarë në zgjedhjet e muajit të kaluar, kur vlerësuan se ka patur frikësime e presione mbi ta. “Më shumë ka demokraci në Kinë sesa në komunat me shumicë serbe në Kosovë – për shkak të presionit të Beogradit,” tha zoti Kurti në intervistën për New Perspektivën.

Ai thotë se që në javën e parë në post do ta nisë dialogun me serbët e Kosovës, me të cilët, siç thotë, është takuar edhe sa ka qenë në opozitë, “takime për të cilat ata kanë pasur frikë se mund të bëhen publike dhe pastaj mund të goditen nga strukturat paralele të Serbisë”. Zoti Kurti paralajmëron një fazë tjetër tani që do të jetë në pushtet dhe thotë se “do të jemi në gjendje t’i mbrojmë”.