Asociacioni me kutin e zgjedhjeve 

Përderisa të gjitha partitë dhe subjektet e tjera politike para votuesve të tyre dolën me plane dhe premtime pak a shumë të qarta, Lista Serbe i shtoi gjithë këtyre edhe një premtim tjetër, e ai është dalja e mundshme nga institucionet e të gjitha niveleve nëse në kohën më të shkurtër të mundshme nuk inicohet procesi i formimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave Serbe në përputhje me marrëveshjen nga Brukseli.

0
346

Zgjedhjet lokale para të gjithë neve vendosën detyrën që përmes tyre të shprehim vullnetin dhe përcaktimin tonë, por zgjedhjet e fundit vendosën edhe kushte, që në njëfarë mënyre i veçojnë ato nga të gjitha zgjedhjet e mëparshme në këtë nivel. Është e kotë të flitet për sinqeritetin politik të të gjitha atyre që u thanë gjatë fushatës dhe vetëm sa do ta fusnim veten, por edhe lexuesin, në një rreth vicioz të zbulimit të së vërtetës dhe të pavërtetës, që gjithmonë mund të marrë edhe një tingëllimë tjetër në rajonin tonë. Përderisa të gjitha partitë dhe subjektet e tjera politike para votuesve të tyre dolën me plane dhe premtime pak a shumë të qarta, Lista Serbe i shtoi gjithë këtyre edhe një premtim tjetër, e ai është dalja e mundshme nga institucionet e të gjitha niveleve nëse në kohën më të shkurtër të mundshme nuk inicohet procesi i formimit të BKS (Bashkësisë së Komunave Serbe) në përputhje me marrëveshjen nga Brukseli. Edhe ky premtim mund të interpretohet në dy mënyra: si marketing politik, por edhe si kërcënim serioz për stabilitetin dhe besueshmërinë politike të institucioneve në të cilat serbët aktualisht marrin pjesë në të gjitha nivelet. Pavarësisht se si ia interpretojnë këtë premtim votuesve të tyre, e paralajmërimi për Prishtinën është dhënë qartë dhe publikisht, imponohet konkluzioni se ka të vërtetë në gjithë këtë histori dhe mbi të gjitha vullnet politik për ta bërë një gjë të tillë nëse për këtë plotësohen kushtet.

Është e qartë se ky premtim nuk është dhënë për herë të parë. Ka ndodhur edhe më parë, por këtë herë është dhënë në rrethana të cilat nuk ishin aspak të lehta. Vetëm pak ditë para zgjedhjeve, dikush vendosi të kryente një inspektim tregu me tyta të gjata dhe me atë rast të qëllonte mbi civilët dhe, ç’është më e keqja, gjatë atyre të shtënave u plagos një person i nacionalitetit serb. Është krejtësisht e parëndësishme nëse kjo ishte luftë kundër kontrabandës apo mesazh parazgjedhor, por pasojat mund të jenë të pallogaritshme dhe afatgjata, sepse tek ne gjithçka zgjat pak, vetëm kujtesa shtrihet larg dhe gjërat më të këqija mbahen mend më së lehti, në një mënyrë ato vete skaliten në kujtesë.

Bashkësia e komunave serbe si projekt nuk është aspak i thjeshtë, kështu që edhe sikur të fillonte procesi i formimit do të merrte aq kohë sa kërkon vetë procesi dhe, para së gjithash, aq sa ka gatishmëri që ai proces të niset sinqerisht dhe me vullnet të mjaftueshëm që ai të zbatohet deri në fund. Gjykuar sipas situatës aktuale në Kosovë, nuk ka sinqeritet dhe aq më pak vullnet politik për të filluar këtë proces, kështu që si konkluzion i vetëm mund të nxirret që përfaqësuesit politik serbë do të largohen nga institucionet menjëherë pas marrjes së detyrës. Këtu arrihet tek sinqeriteti i përfaqësuesve të Listës Serbe në atë premtim, por gjykimin për këtë duhet ta lëmë për kohën kur kjo të ndodhë, me kusht se të ndodhë fare. Një detyrë aspak e lehtë për të gjithë ata që duhet të marrin një vendim të tillë sepse, përveç premtimit që në vetvete ka peshën më të madhe politike, janë dhënë edhe ato premtime nga të cilat varet më së shumti një njeri i rëndomtë: punësim, investime, zhvillim, etj., të gjitha ato që do të ndaleshin nëse do të përmbushej ai premtimi i parë.  

Nëse ia vlen e gjithë kjo apo jo është një pikëpyetje e madhe, por gjithsesi është e qartë se, megjithëse periudha para zgjedhjeve ishte e vështirë dhe e pasigurt, më e rrezikshme do të jetë periudha pas zgjedhjeve dhe atë më e rrezikshme për njeriun e zakonshëm. Pikërisht kjo është ajo që e shqetëson secilin prej nesh, megjithëse askush nuk e zvogëlon rëndësinë e Bashkësisë, andaj duhet menduar me shumë kujdes për daljen eventuale nga institucionet, më saktë për pasojat që vetvetiu do të sillte ky veprim. Zgjedhjet janë një gjë, premtimet elektorale gjithashtu, por jeta e zakonshme është diçka krejtësisht tjetër, ose më e rëndësishmja, varet nga cili pozicion shikohet.

 
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.