Asociacioni mund të vonohet

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka bërë me dije se mund të ketë vonesa në hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

0
865

Fajtor për këtë, sipas Tahirit, është kryeneçësia e Serbisë për të mos i zhbërë strukturat paralele në Kosovë si dhe procesi zgjedhor në të cilin po futet shteti fqinj. Në një bisedë për “Epokën e re”, ministrja Tahiri ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk do ta fillojë punën për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe pa zhbërjen e verifikueshme të strukturave paralele.

“Siç e dini, hapat e ardhshëm janë hartimi i statutit, i cili ende nuk ka filluar. Ky proces është i kushtëzuar me zhbërjen e plotë të të gjitha strukturave paralele të Serbisë në Kosovë. Ne kemi pajtim me BE-në që në kohën kur ne do t’i bëjmë përgatitjet këtu në Kosovë për fillimin e hartimit të statutit, në atë kohë në Bruksel duhet ta fillojë punën grupi trepalësh për zhbërjen e strukturave paralele në Kosovë”, ka thënë Tahiri. Ajo ka shtuar se Serbia nuk mund të jetë shumë aktive në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën për shkak të zgjedhjeve nacionale që ka paralajmëruar.

“Sa i takon formimit të grupit trepalësh, mendoj se vonesat tashme janë evidente, sepse Serbia ka hyrë në proces të zgjedhjeve nacionale. Kështu që, nuk mund të them me shumë veçse kjo ka mundësi të ndikojë që Serbia në këtë kohë të mos jetë shumë aktive në dialogun e Brukselit. Pa e përmendur që në përgjithësi pala serbe në këtë dialog vonohet me zbatimin e marrëveshjeve apo i shkel ato”, është shprehur Tahiri.

(Epoka e Re, 03/03/2016)