Asociacioni nëpërmjet Kushtetutës?

0
83

Për formimin i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, qoftë sipas marrëveshjeve të Brukselit, të vitit 2013 dhe 2015, qoftë bazuar mbi vlerësimin e marrëveshjes së vitit 2015 nga Gjykata Kushtetuese të Kosovës, do të mund të nevojiten ndryshimet ligjore dhe kushtetuese, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike dhe të çështjeve juridike kushtetuese.

Politologu Ramush Tahiri thotë për Radion Evropa e Lirë se Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe është paraparë që të krijohet si një bashkëveprim dhe koordinim i punës specifike që kanë këto komuna, punë kjo, e cila ndërlidhet me të drejtat e veçanta të komunitetit serb në Kosovë dhe koordinimin e veprimtarive të caktuara.

“Është kuptueshme që çdo ndryshim që çon përpara dhe nuk është kthim prapa, si dhe nuk e ndryshon karakterin e shtetit, por e përparon qeverisjen lokale, demokracinë në vend dhe vendimmarrjen, pason me ndryshimet në ligj dhe në Kushtetutë. Nuk mund të paragjykohet asnjë ndryshim i ligjit dhe i Kushtetutës, sepse çdo ndryshim bëhet me vullnet, me mirëkuptim dhe varësisht prej synimeve po duan t’i arrijnë. Këtu nuk ka asnjë arsye për politizim të çështjeve ose për moskuptim”, tha Tahiri.

Mazllum Baraliu, profesor i të Drejtës Kushtetuese, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që bazuar në Dokumentin e Ahtisaarit, në bazë të së cilit u shpall pavarësia e Kosovës në vitin 2008, si dhe në dispozitat e tanishme të Kushtetutës së Kosovës, Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të formohet.

Por, sipas tij, kjo mund të bëhet pa fuqi ekzekutive apo të një pushteti të tretë, të cilin, siç thotë ai, po e pretendojnë përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë dhe autoritetet e Beogradit.

“Lidhur me dy marrëveshjettë vitit 2013 dhe 2015 në Bruksel, fatkeqësisht, sipas tyre, ashtu siç janë nënshkruar ato marrëveshje me papërgjegjësi maksimale, atëherë që patjetër që do të duhej që Kushtetuta të ndryshohej dhe të plotësohej. Por, nuk do të duhej të pranohej në asnjë mënyrë që asnjë ingerencë dhe asnjë statut, i cili është duke u përgatitur nga një grup i caktuar njerëzish, që të ketë ingerenca dhe kompetenca ekzekutive”, thekson Baraliu.

Në anën tjetër, Brukseli zyrtar pret nga pala e Kosovës që në afat deri më 4 gusht, ta hartojë statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës dhe autoritetet e Serbisë, insistojnë që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive.

Politologu Tahiri, thotë se marrëveshja e Brukselit e vitit 2015, parasheh kompetenca ekzekutive për Asociacionin, por edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, po ashtu e dhjetorit të vitit 2015 i ka dhënë vërejtjet për pikat e caktuara të marrëveshjes, të cilat nuk janë në harmoni më Kushtetutën e vendit.

“Tash, statuti i Asociacionit do të jetë në harmoni me mendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe varësisht prej këtij vendimi do të bëhen edhe ndryshimet në ligj dhe në Kushtetutë. Ndërsa, të drejtat ekzekutive, vetvetiu nuk janë të këqija nëse janë në harmoni me pushtetin qendror të Kosovës, nëse nuk është synimi që të krijohet një entitet i ri”, theksoi Tahiri.

Por, profesor Baraliu, shpreh mendimin se Asociacioni nuk duhet të ketë asnjë kompetencë ekzekutive.

“Përndryshe, e tërë idea dhe koncepti i Kushtetutës të Republikës së Kosovës, do të bie në ujë, për arsye se po të veprohej ndryshe, siç po pretendohet nga Beogradi në këtë rast, atëherë del që po rrezikohet Republika e tanishme, deri në defunksionalizim dhe në zhbërje”, tha Baraliu.

Sidoqoftë, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nga autoritetet e Serbisë konsiderohet si çështja kryesore që del nga dialogu me Kosovën në Bruksel. Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se faza finale e dialogut me Serbinë, do të përmbyllet me një marrëveshje juridikisht obliguese, e që për pasojë do të kërkojë ndryshimet kushtetuese në të dy vendet.

(evropaelire.org, 30/06/2018)

comments

SHARE