Ballafaqimi me të kaluarën, hap para për të ardhmen 

Fakt është që shumë politikanë sot, lirisht mund të themi edhe shumica prej tyre, në hapësirën e ish-Jugosllavisë nuk kanë ndryshuar shumë në raport me përbërjen politike të viteve nëntëdhjetë. Më saktësisht, pothuajse të njëjtit politikanë që kanë qenë në pushtet para njëzet vitesh, ende po i udhëheqin shtetet e ish-Jugosllavisë. Me vetë këtë fakt, nuk është e tepërt të pyesim se si të arrijmë deri tek pajtimi kur po na udhëheqin ata që edhe na kanë çuar në atë luftë?

0
87

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, para vetëm disa ditëve dha dorëheqje në postin e kryeministrit të Kosovës. Kur e shihni këtë lajm në media, gjëja e parë që ju shkon në mendje është: e pamundur. E mandej edhe: në rregull, pse? Në të vërtetë, si arsyetim të dorëheqjes së tij, kryeministri Haradinaj e theksoi ftesën për t’u marrë në pyetje në Hagë para Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovës.

Derisa ky vendim i papritur ngadalë pushonte të bëhej tronditje për opinionin publik, u afrua edhe data e marrjes në pyetje e Ramush Haradinajt në Hagë. Sipas lajmeve deri tani, Haradinaj do të japë deklaratën para prokurorëve më 24 korrik.

Derisa presim me padurim se çka do të sjellë kjo marrje në pyetje dhe a do të ndryshojë kjo vendimin e mëparshëm të gjykatës në Hagë, sipas të cilës Haradinaj tashmë dy herë ishte liruar nga aktakuza, shtrojmë pyetjen se çka tjetër mund të sjellë kjo marrje në pyetje përveç zgjedhjeve të reja për Qeverinë e Kosovës? Kjo mbetet të shihet. 

Pyetja tjetër që lind është ajo se çka do të thoshte një aktvendim i ri për Haradinajn, nëse do të ketë aktvendim, për procesin e mëtutjeshëm të pajtimit në Kosovë? Paj edhe nëse e marrim parasysh një tablo më të gjërë, çka do të thoshte për procesin e pajtimit në hapësirën e tërë Ballkanit?

Fakt është që shumë politikanë sot, lirisht mund të themi edhe shumica prej tyre, në hapësirën e ish-Jugosllavisë nuk kanë ndryshuar shumë në raport me përbërjen politike të viteve nëntëdhjetë. Më saktësisht, pothuajse të njëjtit politikanë që kanë qenë në pushtet para njëzet vitesh, ende po i udhëheqin shtetet e ish-Jugosllavisë. Me vetë këtë fakt, nuk është e tepërt të pyesim se si të arrijmë deri tek pajtimi kur po na udhëheqin ata që edhe na kanë çuar në atë luftë? Pikërisht për këtë, marrjen e Ramush Haradinajt sërish në pyetje e konsideroj tejet të rëndësishme për këtë proces e gjithsesi është edhe e qartë se mund të ndikojë në pajtimin në tërë regjionin. 

Le ta marrim parasysh faktin se serbët në Kosovë nuk do të pranojnë kurrë që t’i udhëheqë dikush që tashmë ka qenë para gjykatës për krime të luftës dhe të cilin e konsiderojnë përgjegjës për krime në Kosovë. Me vetë këtë, le ta imagjinojmë situatën sikur elita politike e viteve nëntëdhjetë, e cila ka qenë e përfshirë në luftë direkt apo në mënyrë indirekte, në të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë, të zëvendësohej me një përbërje më të re politike antiluftarake? Nëse asgjë tjetër, bile e di që kjo gjeneratë e re do të ishte më pak e urryer, e gjykuar dhe gjithsesi më mirë e pranuar si nga pakicat ashtu edhe nga shtetet fqinje. 

Derisa presim se çka do të vendosë Gjykata Speciale në Hagë për rastin e kryeministrit të Kosovës në dorëheqje, Ramush Haradinajt, mbetet shpresa që kjo ndoshta është kthesë për ndryshimin e skenës politike. Dhe atë jo vetëm në Kosovë, por edhe në shtetet tjera. Ndoshta do t’ia dilnim të lëviznim bile një hap para nga tregimet luftënxitëse dhe bile për atë hap t’i afrohemi jetës në paqe, nëse do të na udhëheqnin disa të tjerë që nuk kanë marrë pjesë në luftë. Ndoshta do të kishim shmangur që të gjithë ata njerëz të na rikujtojnë se çka ka ndodhur dhe do t’ia dilnim të mendonim për të ardhmen, e cila ende mund të jetë e përbashkët. Marrja në pyetje e Haradinajt para gjykatës speciale në Hagë ndoshta edhe është një hap i vogël, në veçanti për shkak të mundësisë që të jetë me të njëjtin rezultat si më parë. Por është gjithsesi i rëndësishëm nëse duam që të ballafaqohemi me të kaluarën dhe të shpresojmë për një ardhmëri më të mirë së bashku. 

SHARE