Ballafaqimi me të kaluarën – i vështirë dhe i domosdoshëm

Plotësisht e vetëdijshme se në Ballkan kjo është ende tejet vështirë të ndodhë, prapë, pa marrë parasysh se kush aktualisht ka përfunduar në Hagë, disi shpresoj që pas tërë këtyre proceseve, gjykimeve, aktgjykimeve, do të mbetet bile pak shpresë për paqe. Që të gjitha ato vendime do të sjellin pak drejtësi e cila aq shumë na mungon të gjithëve. Që nga ky proces i vështirë i përballjes me të kaluarën të gjithë së bashku do të dalim si njerëz më të mirë, se do ta kuptojmë domosdoshmërinë e tij për të vazhduar më tutje, dhe që, më në fund, do të vazhdojmë kah pajtimi.

0
681

Lajmi kryesor këo ditë dhe diçka që trazoi opinionin, si në Kosovë ashtu edhe në regjion e në Evropë janë gjithsesi aktakuzat e ngritura kundër liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E tëra filloi më 4 nëntor me arrestimin e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit. Pas arrestimit të Krasniqit nga ana e EULEX-it dhe trazimit të parë të opinionit publik, së shpejti erdhi edhe i dyti. Vetëm një ditë pas kësaj, aktakuzat u konfirmuan kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, por edhe kundër Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Automatikisht pasoi edhe dorëheqja e presidentit Thaçi dhe shkuarja e të gjithë atyre në Hagë.  

Sipas raportimeve të mediave, “aktakuza përmban dhjetë akuza, përfshirë gjashtë akuza për krime të luftës dhe katër sosh për krime kundër njerëzimit. Akuzat përfshijnë dy pika për vrasje dhe dy pika për torturë, si dhe përndjekje dhe zhdukje e detyruar e personave“.

Siç është thënë tashmë më lart, këto zhvillime trazuan opinionin në Kosovë dhe shkaktuan mendime të ndara mes qytetarëve.

Ballafaqimi me të kaluarën, pa marrë parasysh se në cilin shtet, midis cilave etnitete dhe komunitete, kurrë nuk ka qenë e as nuk do të jetë i lehtë. I njëjtë është edhe rasti me Kosovën, si dhe me të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë. Prej kur ekziston procesi i gjykimit në Hagë,  d.m.th.  që nga vetë lufta, asnjëherë nuk kanë qenë të kënaqur të gjithë me vendimet dhe gjykimet. Ky proces është shoqëruar me shumë kontradikta, pyetje, mospajtime dhe rebelim. Që të jetë edhe më keq, këtë proces e kanë shoqëruar edhe festime për të liruarit si dhe glorifikime të gjërave që kanë bërë.   

Sot, kur katër liderë të UÇK-së tashmë gjenden në Hagë dhe presin fillimin e gjykimit, definitivisht besoj se ka një numër të madh të shqiptarëve që janë kundër këtij vendimi dhe e konsiderojnë atë kundër komunitetit të tyre dhe kundër asaj për çka kanë luftuar. Kështu besoj janë ndier deri tani pjesëtarët e të gjitha kombeve të ish-Jugosllavisë, udhëheqësit luftarak të të cilëve janë akuzuar dhe janë nxjerrë para gjykatës në Hagë. Prandaj, siç e thotë edhe vetë titulli, ky proces nuk është i lehtë. Nuk është i lehtë sepse lufta është diçka që shkakton emcoione të thella dhe trauma. Për këtë arsye njerëzit edhe lidhen me udhëheqësit e luftës, zakonisht pa kritika ndaj asaj se çka sjell lufta për të gjitha palët e përfshira, por me fokusim vetëm në anën e vet dhe prijësit e vet.  

Mirëpo, ballafaqimi me të kaluarën është i domosdoshëm në qoftë se dëshirojmë të jetojmë në një të ardhme më të mirë, pa luftë dhe në paqe. Ndoshta do të tingëllojë kjo si hipokrizi sepse vjen nga shkrimi i një serbeje. Unë nuk dua fare që kjo të tingëllojë ashtu, më me dëshirë do të doja që ky të quhej shkrim i dikujt që e mban mend mirë luftën dhe që dëshiron që ajo të mos përsëritet kurrë më. Nga kjo perspektivë njerëzore e konsideroj para së gjithash të domosdoshme ndjekjen penale të personave që kanë urdhëruar krimet, pa marrë parasysh se nga cila anë janë, ajo serbe, shqiptare, kroate, boshnjake. Askush nuk mund të jetojë në paqe duke ditur që personat që potencialisht kanë kryer krime nuk janë ndjekur penalisht dhe nuk janë gjykuar në mënyrë të drejtë. 

Do të ishte kjo një botë më e drejtë nëse do të pajtoheshim se njerëzit që kanë kryer krime – nuk është me rëndësi se cilit religjion, komb, racë apo gjini i takojnë – duhet edhe të japin përgjegjësi për krimet e kryera. Do të ishte kjo një botë më e drejtë nëse të gjithë ne do të dilnim nga identitetet tona nacionale dhe t’i shihnim këto gjëra në mënyrë pak më objektive. Plotësisht e vetëdijshme se në Ballkan kjo është ende tejet vështirë të ndodhë, prapë, pa marrë parasysh se kush aktualisht ka përfunduar në Hagë, disi shpresoj që pas tërë këtyre proceseve, gjykimeve, aktgjykimeve, do të mbetet bile pak shpresë për paqe. Që të gjitha ato vendime do të sjellin pak drejtësi e cila aq shumë na mungon të gjithëve. Që nga ky proces i vështirë i përballjes me të kaluarën të gjithë së bashku do të dalim si njerëz më të mirë, se do ta kuptojmë domosdoshmërinë e tij për të vazhduar më tutje, dhe që, më në fund, do të vazhdojmë kah pajtimi.  

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës