Ballafaqimi me trashëgiminë e të kaluarës

Në njëzet vjetët e fundit, Ballkani ka parë shumë gjak, vuajtje, refugjatë, dhe migrim të detyruar të njerëzve. Karateristikë e përbashkët e të gjitha regjimeve nën të cilat u kryen krime kundër pjesëtarëve të komuniteteve të tjera etnike ka qenë mungesa totale e gadishmërisë që të ballafaqohen me faktin se ka pasur krime të kryera ndaj të tjerëve dhe se të tjerët kanë të drejtë të jetojnë në shtëpitë e tyre përkundër faktit që ata mund të kenë përkatësi të ndryshme etnike, që ndoshta i luten Zotërave të ndryshëm dhe se ndoshta flasin një gjuhë tjetër.

0
1174

Në njëzet vjetët e fundit, Ballkani ka parë shumë gjak, vuajtje, refugjatë, dhe migrim të detyruar të njerëzve. Karateristikë e përbashkët e të gjitha regjimeve nën të cilat u kryen krime kundër pjesëtarëve të komuniteteve të tjera etnike ka qenë mungesa totale e gadishmërisë që të ballafaqohen me faktin se ka pasur krime të kryera ndaj të tjerëve dhe se të tjerët kanë të drejtë të jetojnë në shtëpitë e tyre përkundër faktit që ata mund të kenë përkatësi të ndryshme etnike, që ndoshta i luten Zotërave të ndryshëm dhe se ndoshta flasin një gjuhë tjetër.

Sa i përket përgjegjësisë për krimet e luftës, është ngritur çështja e ekzistimit të standardeve të dyfishta për “tanët” dhe “të tyrët”. Të akuzuarit, prapëseprapë, ende mund ta gëzojnë statusin e heronjve kombëtarë.

Është me rëndësi të theksohet se nëse nuk ngritet zër kundër krimeve të kryera, kjo trajtohet sikur krimi as nuk ka ndodhur. Procesi i vështirë i ballafaqimit me të kaluarën nënkupton ndryshimin e vizionit “bardhë e zi” të narrativave historike që i përshkruajnë bashkëkombësit tanë, njerëzit nga ana jonë, në një mënyrë absolutisht të njëanshme dhe jokritike. Për të qenë në gjendje që të shprehen mendimet kritike në lidhje me rolin e popullit tonë në një konflikt, është me rëndësi të krijohet një atmosferë ku liria
e të menduarit pranohet gjerësisht. Në këtë mënyrë ne mund të arrijmë në një pikë kur këto tema të vështira mund të bëhen pjesë e diskursit publik.

Unë kam hasur në një hulumtim interesant të zhvilluar në territorin e ish-Jugosllavisë -Simonida Kacarska: 20 Years After 1991:The Tale Of Two Generations http://balkanfund.org/spd/?p=127 – dhe do të dëshiroja t’i ndaja disa rezultate me ju:

Në hulumtim u shtrua pyetja në të cilën të anketuarit duhej ta vlerësonin perceptimin e tyre të lirisë së mendimit dhe të shprehjes në shtetet e tyre. Unë kam marrë si shembull të anketuarit nga Kosova dhe Serbia, disa që kanë lindur në vitet shtatëdhjetë dhe disa në vitet nëntëdhjetë.

“Serbët e lindur në vitin 1971 :
Më mirë 52% dhe Më keq 48%
Serbët e lindur në vitin 1991
Më mirë 58% dhe 41% Më keq

Kosovarët e lindur në vitin 1971:
Më mirë 25% dhe Më keq 75%
Kosovarët e lindur në vitin 1991:
Më mirë 18% dhe Më keq 82%

Është shumë me rëndësi që organizatat e shoqërisë civile në Kosovë të ndërmarrin aktivitete që çojnë drejt diskutimeve të hapura në lidhje me fajin e popullit të vet në konfliktet e kaluara dhe të ndërtojnë narrativa gjithëpërfshirëse rreth krimeve të kaluara, të tregojnë rrëfime që i përfshijnë të gjithë, pavarësisht përkatësisë etnike apo vendqëndrimin e tanishëm. Kjo nuk ndodh vetvetiu dhe duke marrë parasysh rezultatet modeste në këtë fushë, strategjia e themelimit të një mekanizmi të tillë duhet të ndryshohet në mënyrë substanciale.

Mekanizmat [që duhet të ekzistojnë] siç është verifikimi, emërimi dhe fajësimi e lustrimi janë mekanizma që do t’i mbanin jashtë funksioneve politike njerëzit e akuzuar për krime lufte. Kjo do të duhej të zvogëlonte në një masë të madhe mundësinë që ata të vazhdojnë të kryejnë shkelje të të drejtave të njeriut. Kjo mund të arrihet me fushata gjithëpërfshirëse mediale, debate publike, dhe duke ndërtuar media që do të prezantonin narrativa paralele kombëtare. Çekuilibri në mesin e liderëve të akuzuar edhe më tutje mund të vështirësojë besimin në sistemin gjyqësor. Unë jam shumë i lumtur për faktin që ish-presidenti
i Serbisë, kryeministri dhe të tjerë janë akuzuar për krime lufte të kryera në Kosovë, por asnjë nga lidershipi i lartë politik e ushtarak i Kosovës nuk është akuzuar për krime lufte të kryera kundër popullatës civile serbe. Dështimi që këto çështje të adresohen hapur çon drejt gjendjes në të cilën nuk ballafaqohemi vetëm me të kaluarën por ballafaqohemi edhe me të tashmen. Udhëheqësit e akuzuar luftarak edhe më tej luajnë një rol kyç në jetën sociale dhe politike. Tre kryeministra të Kosovës kanë patur rol aktiv në konfliktet në Kosovë dhe ende janë aktorë të fuqishëm politik.

Është me rëndësi të theksohet se këta mekanizma nuk themelohen vetvetiu. Individët dhe organizatat që merren me këto çështje duhet të kenë si mbështetje politike ashtu edhe mbrojtje dhe financim për realizimin e aktiviteteve të tilla.

Si serb i Kosovës, më duhet ta pranoj se është dëshpëruese kur vëren se asnjë individ apo organizatë në Kosovë, ndër shqiptarët e Kosovës, nuk ka ngritur zërin kundër lirimit gjatë procedurës paraprake të të akuzuarve për krime lufte, pjestarë të grupit të tyre dhe as nuk kanë shprehur pakënaqësi ndaj vendimit të gjyqit për lirimin e udhëheqësve luftarak qoftë për shkak të mungesës së provave ashtu edhe për shkak të frikës së dëshmitarëve për t’u paraqitur në gjykatë. Nga ana tjetër, një numër i madh i organizatave me seli në Serbi siç është Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Fondi për të Drejtën Humanitare, YUKOM, etj. kanë qenë mjaft aktiv në ballafaqimin e opinionit serb me krimet që kanë kryer serbët apo autoritetet serbe.

Pyetja e dytë, nga anketa e lartëpërmendur, që më është dukur interesante ishte kjo:
Sipas jush, kush e ka përgjegjësinë më të madhe për shpërthimin e konflikteve dhe të luftrave në territorin e Jugosllavisë?

Serbët e lindur më 1971:
Politikanët 38%, Populli 14% dhe Bashkësia
ndërkombëtare 48%
Duhet të theksohet se përqindja e të anketuarve që e akuzojnë popullin bie në 11% kur të anketuarit kanë edukim të lartë.
Serbët e lindur më 1991:
Politikanët 36%, Populli 21% dhe Bashkësia
ndërkombëtare 42%
Edhe këtu duhet të theksohet se asnjë i anketuar me edukim të lartë nuk i fajëson popujt tjerë apo bashkësinë ndërkombëtare. Të gjithë të anketuarit i kanë akuzuar politikanët dhe bashkësinë ndërkombëtare.

Kosovarët e lindur në vitin 1971:
Politikanët 36%, Populli 42% dhe Bashkësia ndërkombëtare 21%
Vërehet se përqindja dyfish më e lartë e të anketuarve ka fajësuar popullin nga ana tjetër.
Kosovarët e lindur në vitin 1991:
Politikanët 24%, Populli 54.5% dhe
Bashkësia ndërkombëtare 20%

Shpresoj që këta numra do të ndryshojnë së shpejti dhe se njerëzit në fazën e parë më shumë do t’i akuzojnë politikanët dhe bashkësinë ndërkombëtare sesa popujt tjerë. Rezultati final do të duhej të sjellë deri te ajo që t’i shohim gabimet tona dhe të nxjerrim mësime prej tyre, gjë që do të çojë deri te ajo që krimet e kryera kundër të tjerëve të mos përsëriten kurrë më.

(Ky tekst është fragment nga fjalimi i Nenad Maksimoviqit, Drejtor i Qendrës për Paqe dhe Tolerancë, të mbajtur gjatë konferencës së Zyres Civile Ndërkombëtare rreth ballafaqimit me të kaluarën.)