Barrikadat

Sa është "kokëfortësia" një anë e mirë në një situatë të këtillë, kjo është një pyetje e madhe. Problemi përsëri qëndron në faktin se populli do t’i ndiejnë në lëkurën e tyre të gjitha problemet që do të vijnë ndërkohë me bllokimin e pikave kufitare, e të gjitha këto për shkak të targave të automjeteve që qytetarët duhet t’i heqin.

0
399

Historia po përsëritet! Drejtësia prapë po kërkohet në kufi. Duket se këtu është pika e grumbullimit dhe i vetmi vend që e ka atë fuqinë që me zë të lartë të transmetojë tërë pakënaqësinë e popullit që jeton në pjesën veriore të Kosovës. Në një të kaluar edhe jo aq të largët, të njëjtat këto vendkalime kufitare digjeshin dhe ishin të bllokuara me trungje të mëdhenj si shenjë proteste dhe e shprehjes së rebelimit për shkak të situatës së gjithmbarshme politike. 

Kësaj here megjithatë është pak më ndryshe. Arsyeja duket të jetë me të vërtetë i justifikuar këtë herë sepse ky ndalim nga ana e Qeverisë së Kosovës kufizon lirinë e lëvizjes si një nga liritë themelore të cilën e proklamon Kushtetuta e secilit vend, si dhe konventat e shumta mbi të drejtat e njeriut dhe ato civile.  Populli është mbledhur dhe po proteston në mënyrë paqësore, kamionët janë të parkuar dhe po bllokojnë rrugën magjistrale ndërsa forcat policore po rregullojnë si kalimin e këmbësorëve ashtu edhe njerëzit që mblidhen dhe shprehin në mënyrë paqësore pakënaqësinë e tyre. Më duket se këto protesta do të zgjasin për arsye se qëndrimi zyrtar i Beogradit, dhe siç qëndrojnë gjërat, edhe qëndrimi i Prishtinës, është i fortë si themel dhe ka shumë gjasa që asnjeri të mos heq dorë nga parimet e veta për asnjë pëllëmbë.

Sa është “kokëfortësia” një anë e mirë në një situatë të këtillë, kjo është një pyetje e madhe. Problemi përsëri qëndron në faktin se populli do t’i ndiejnë në lëkurën e tyre të gjitha problemet që do të vijnë ndërkohë me bllokimin e pikave kufitare, e të gjitha këto për shkak të targave të automjeteve që qytetarët duhet t’i heqin. Ky rregull vlen për veturat që janë të regjistruara sipas rregullave serbe. Pronarët e makinave duhet t’i heqin ato dhe të vendosin targa prej letre të lëshuara zyrtarisht nga autoritetet e Kosovës. Për shkak të një veprimi të tillë, kalimi nëpër vendkalimet kufitare është shumë më i vështirë. Kam frikë se kjo është një situatë që, ashtu siç qëndrojnë gjërat, do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë, shumë të gjatë. 

Ajo që është veçanërisht shqetësuese, të paktën për mua si qytetar, është vështrimi i heshtur i Bashkimit Evropian dhe Amerikës, ose të paktën deklarata të vakëta që pak a shumë nuk e obligojnë askënd. Ndërkohë erdhi një thirrje si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën nga Brukseli për të vazhduar negociatat, të gjitha me qëllim të kapërcimit të situatës aktuale. Shpresojmë që kjo nyjë gordiane më në fund do të zgjidhet. Unë mendoj se të dyja palët mbështeten paksa shumë në Marrëveshjen e Brukselit, por, dorën në zemër, e kam një ndjenjë sikur Marrëveshja e Brukselit edhe nuk ekziston, porse dikush e ka shpikur atë në mënyrë që të gjithë ne të kemi një arsye për t’iu referuar sa herë që paraqitet një problem ose që secili ta interpretojë atë në mënyrën që i përshtatet atij. Sido që të jetë, gjithçka u ndal në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak për shkak të protestave. Njerëzit janë duke qëndruar në mes të rrugës, kamionët me mallra janë bllokuar dhe të gjithë janë të pakënaqur. Në përgjithësi, një gjendje rrethimi së cilës nuk i shihet fundi.  

Po vërehet vetëm grumbullimi si i forcave të sigurisë ashtu edhe i automjeteve të blinduara, kamionëve që bllokojnë automjetet dhe qytetarët, por kjo nuk është asgjë në krahasim me sasinë e zemërimit që prej vitesh sa vjen e grumbullohet. Unë mendoj se kjo është forca e vetme që do të jetë në gjendje të depërtojë nëpër të gjitha barrikadat. Mendoj se kësaj të gjithë ia kanë frikën njësoj, kështu që me këtë rast bëj thirrje me zë të lartë që të gjithë së bashku t’i ulim pasionet tona dhe të përpiqemi t’i kapërcejmë së bashku këto barrikadat tona.

 Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.