Bashkëpunimi ndëretnik përmes aktiviteteve jashtëkurrikulare

Një donacion i OSBE-së me pajisje teknologjike për nxënësit shqiptarë të shkollës “Fazli Grajçevci” dhe nxënësit serbë të shkollës “Dositej Obradović”, të cilët vijojnë mësimet në turne të ndara edhe pse në të njëjtin objekt shkollor në fshatin Caravodicë (Palaj), të komunës së Obiliqit, synon t’u mundësojë atyre të mësojnë së bashku në kabinetin e Teknologjisë Informative ku gjuha e programit është e njëjtë.

0
649

Ndonëse historinë, gjeografinë dhe gjuhën nuk e mësojnë me kurrikulë të njëjtë, ata ndajnë të njëjtin objekt për plot 22 vite. 

Nëse do të ishin takuar në rrethana të tjera, ndoshta edhe këto barriera do të largoheshin. Nxënësit e shkollës “Dositej Obradović’’ dhe të shkollës “Fazli Grajçevci”, në fshatin Caravodicë të komunës se Obiliqit, përveç që ndjekin mësimet në të njëjtën ndërtesë, ndajnë bankat, karriget, gjithçka që kanë dhe ato që u mungojnë në shkollë. 

Paradite mësojnë fëmijët serbë, ndërsa pasdite i lirojnë bankat për t’u lënë radhën fëmijëve shqiptarë. Ata përshkojnë të njëjtën rrugë por nuk takohen. Kjo pasi oraret e mësimit janë përpiluar në atë mënyre që t’u jepet hapësirë prej gjysmë ore që të bëhet ndërrimi i nxënësve. 

Por, një donacion i OSBE-së për këta fëmijë për pajisjen e një kabineti të Teknologjisë Informative (IT) shpresohet që do t’u mundësojë të mësojnë bashkë, aty ku gjuha e programit është e njëjtë. Ata kanë dhuruar tre (3) kompjutera desktop, tre (3) monitorë dhe një (1) printer, pasi, sipas tyre, fëmijët nga komunitete të ndryshme në Kosovë në përgjithësi nuk kanë shumë mundësi për të punuar dhe luajtur së bashku dhe se një nga pengesat që ata të bëjnë një gjë të tillë është ajo gjuhësore.

‘‘Drejtorët e të dy shkollave kanë shprehur dëshirën e tyre për të angazhuar mësuesit dhe studentët në aktivitete të përbashkëta, prandaj pajisjet e dhuruara të IT-së do të vendosen në një klasë të përbashkët që fëmijët dhe mësuesit nga të dy shkollat ​​t’i përdorin për aktivitete jashtëkurrikulare për të mësuar dhe krijuar së bashku’’,  thonë nga OSBE. 

Për të larguar barrierat kishin menduar edhe njerëzit e këtij fshati para 22 vitesh, kur me qëllim që të jetë një shkollë multi-etnike, banorët shqiptarë e serbë kishin hapur dyert më 1 shtator të vitit 1999, për të dyja komunitetet. 

Sipas Igor Maksimović-it, drejtor i shkollës ‘‘Dositej Obradović’’, kjo nuk kishte qenë asnjëherë problem sepse ata ndajnë çdo gjë bashkë. Por, ai thotë se fëmijët rrallë takohen në shkollë.

‘‘Fëmijët shqiptarë nuk takohen me ata serbë, vetëm nëse ndonjë prej fëmijëve shqiptarë vjen pak ma herët, kur fillon pasdite, edhe mund të takohen aty në shkollë’’, thotë Maksimović.

Por, ky orar nuk është problem për fëmijët që të takohen e të vrapojnë mbas topit pas shkolle. Maksimović thotë se ata gjejnë kohë që të luajnë pas shkollës bashkë në fushën e sportit në fshat. 

‘‘Pas orarit të shkollës ata fëmijë luajnë bashkë se e kanë një fushë të sportit në fshat aty dhe luajnë mes veti bashkë, se të gjithë janë të një fshati edhe shumica e fëmijëve edhe ashtu e njohin njëri-tjetrin, luajnë bashkë, nuk kanë ndonjë problem’’, thotë ai. 

Edhe drejtoresha e shkollës ‘‘Fazli Grajçevci’’, Mevlyde Grajçevci, thotë se çdo gjë që kanë e ndajnë me mirëkuptim, pavarësisht kushteve jo të kënaqshme në shkollë, dhe se pajisjet e dhuruara të IT-së do t’i shfrytëzojnë së bashku.

‘‘Pajisjet e IT-së që na i ka dhuruar OSBE-ja i kemi vendosur në një klasë dhe i përdorim së bashku’’, thotë Grajqevci. 

Tutje, ajo ka shtuar se mundohen të zhvillojnë aktivitete së bashku dhe të komunikojnë sa më shumë që të jetë e mundur por që i lënë gjërat të rrjedhin duke bashkëpunuar me mirëkuptim. 

Arsimtarja e historisë në këtë shkollë, Jehona Gashi, e cila punon në këtë shkollë më shumë se dy dekada, thotë se nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë incident ne mes të nxënësve e as personelit. 

‘‘Jo vetëm ne si arsimtarë të historisë por edhe me arsimtarët e lëndëve tjera nuk kemi kurrfarë kontakti, ndoshta vet orari mësimor ku ne fillojmë prej orës 12:20, ata e përfundojnë me herët dhe nuk takohemi’’, tregon ajo, duke shtuar se ky orar është prej përfundimit të luftës me ndryshime te vogla, e që është caktuar kështu për shkaqe sigurie. 

Sipas OSBE-së, ky nuk është aktiviteti i vetëm që këto dy shkolla do të kenë mundësi ta kenë se bashku:

“Gjatë viteve të kaluara, të dy shkollat ​​nga Caravodica në komunën e Obiliqit kanë marrë pjesë në një numër aktivitetesh të OSBE-së të dizajnuara për të bashkuar fëmijë dhe mësuesë nga shkollat ​​e përziera pavarësisht nga pengesat gjuhësore dhe kurrikulat e ndryshme”, thonë nga OSBE.

Maksimović beson se fëmijët e shkollës “Dositej Obradović’, pas përfundimit të fillores, e shohin të ardhmen e tyre në Kosovë por, shton ai, kjo varet prej ekzistencës familjare dhe faktit se ata duhet ta vazhdojnë edhe shkollën e mesme edhe nivelet më të larta të shkollimit.