Bashkëpunimi për hir të të ndjerëve

Si për ironi të fatit, që prej vitesh as të vdekurit nuk kanë mundur të pushojnë të qetë në qytetin e ndarë të Mitrovices.

0
1215

Si për ironi të fatit, që prej vitesh as të vdekurit nuk kanë mundur të pushojnë të qetë në qytetin e ndarë të Mitrovices.

Varrezat myslimane shqiptare kanë mbetur në veriun e banuar me shumicë serbe, ndërsa ato ortodokse serbe kanë mbetur në pjesën jugore me shqiptarë. Ato jo vetëm që nuk janë mirëmbajtur nga pala tjetër, por për më tepër janë shkatërruar. Familjet shqiptare nuk kanë mundur t’u bëjnë vizita të rregullta të dashurve të tyre në veri, përjashtuar festat fetare kur në mënyrë të organizuar dhe nën përcjelljen e forcave të sigurisë është mundësuar vizita te varrezat. E njëjta situatë prej vitesh ka trazuar edhe familjet serbe që i kanë pasur familjarët e varrosur në jug.
Të shtrënguar nga ndarja e qytetit dhe tensionet ndëretnike, shqiptarët dhe serbët kanë gjetur lokacione të reja për t’i varrosur të dashurit e tyre. Për serbët varrezat e qytetit tani janë në fshatin Rudar afër Zveçanit, ndërsa për shqiptarët në fshatin Shipol. Të dyja palët janë të trishtuara që qysh nga viti 1999 familjarët e tyre nuk kanë mundur të bashkohen as për së vdekuri. Kështu për shembull nëse një burrë shqiptar është varrosur në veri para luftës, gruaja e tij që ka vdekur pas vitit 1999 është dashur të varroset në Shipol.
Por kohëve të fundit, dy komunitetet më të mëdha të Mitrovicës po përpiqen të zvogëlojnë mosmarrëveshjet e tyre të thella edhe për hir të të ndjerëve. Në një projekt të mbështetur financiarisht nga ambasada turke dhe norvegjeze në Kosovë dhe me bashkëpunimin e organizatës ndërkombëtare për migrim, IOM, si dhe dy komunave në Mitrovicë, asaj në veri dhe në jug, është bërë rindërtimi i kapellës në varrezat ortodokse serbe.
Kapella në jug të Mitrovicës është ndërtuar më 1939, por ishte shkatërruar si pasojë e konfliktit të fundit në Kosovë. Tani ajo ka një pamje krejt tjetër dhe e gatshme të shërbejë për ceremonitë funerale apo ritualet fetare gjatë vizitave në varreza.
Nuk dihet ende kur do të krijohen kushtet që serbët të mund të kalojnë të lirë urën e Ibrit për t’i varrosur të afërmit e tyre në varrezat ortodokse në jug, por të paktën tani duket të ketë më shumë mirëkuptim dhe tolerancë nga të dyja palët që të kujdesen për varrezat e tyre dhe të mos lejojnë shkatërrimin e mëtejshëm të tyre. Komuna e Mitrovicës në jug shpreson që në një të ardhme të afërt në bashkëpunim me udhëheqjen e komunës veriore do të mund të bëjnë edhe meremetimin e varrezave myslimane shqiptare në veri.
Hapat e parë për bashkëpunim fetar tashmë kanë filluar. Siç ka bërë të ditur Komuna e Mitrovicës përmes një komunikate, është në themelim e sipër forumi ndërfetar që do të shërbëjë për adresimin e të gjitha shqetësimeve të komuniteteve fetare dhe bashkimin e përpjekjeve për të gjetur zgjidhje. Ky mbase mund të duket një hap i vogël, por nëse realizohet, për Mitrovicën do të thotë shumë. Të vdekurit po ndihmojnë në thyerjen e pengesave politike dhe rritjen e ndjeshmërisë për palën tjetër.