BE dhe Kosova një dekadë më pas

EEAS (European External Action Service, Shërbimi diplomatik i BE-së) duhet të përfitojë nga mjetet e konsiderueshme financiare dhe njerëzore që BE ia ka kushtuar rajonit.

0
332

Ndërsa Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS) po feston një dekadë të ekzistencës, është e kuptueshme fanfara për evoluimin e strukturave dhe aftësive të tij. Për ata që duan ta shohin BE-në duke e forcuar praninë e saj në skenën globale, ai është një sukses i padiskutueshëm; një shërbim përmes të cilit mund të synohet një qasje e përbashkët e BE-së në politikë të jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes, me delegacione në të gjithë globin dhe në organe të ndryshme shumëpalëshe.

E prapëseprapë ky aktor i ri vazhdon të përballet me sfidat e tij më të mëdha pikërisht më afër shtëpisë. Për një kohë të gjatë Ballkani Perëndimor ishte testi kryesor për efiksaitetin e shpallur të politikës së jashtme dhe të sigurisë të BE-së, veçanërisht duke pasur parasysh gabimet e dhimbshme dhe të kushtueshme të viteve nëntëdhjetë. Janë investuar burime të konsiderueshme, përfshirë kapital politik, për të demonstruar potencialin transformues të BE-së në një rajon ku anëtarësia në këtë Bashkim dikur konsiderohej pothuajse e pashmangshme.

Në fakt, çështja e marrëdhënieve Kosovë-Serbi i siguroi EEAS-it një nga fitoret e tij të hershme; Baronesha Ashton udhëhoqi negociatat që çuan në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 midis Beogradit dhe Prishtinës. Ishte ky moment suksesi pas barrikadave të vitit 2011 në veri të Kosovës që i vuri serbët e Kosovës ballë për ballë me Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR); një sukses që vendosi Serbinë dhe Kosovën në një rrugë konkrete drejt normalizimit të marrëdhënieve pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë së kësaj të fundit në shkurt të vitit 2008.

Megjithatë, skepticizmi në lidhje me procesin e dialogut ka vazhduar të rritet. Asociacioni/Bashkësia e Komunave me shumicë serbe, që shihet si jetik për integrimin e plotë të serbëve të Kosovës, ende nuk është krijuar. Shumë marrëveshje të tjera kanë mbetur të pazbatuara. Një zgjidhje gjithëpërfshirëse duket më e largët sesa kanë shpresuar ose pritur shumë vetë deri në këtë pikë, ndërsa ndërhyrja e fundit e administratës Trump shërbeu vetëm sa për të përforcuar ndjenjën e mosveprimit nga ana e Brukselit.

Përparimi në siguri

Kjo nuk do të thotë shpërfillje e progresit të konsiderueshëm që është bërë deri më tani. Ish-policët e Republikës së Serbisë tani mbajnë simbole të Republikës së Kosovës. Gjyqtarët dhe prokurorët serbë  janë integruar në kornizën e Kosovës, duke i dhënë fund një boshllëku ligjor për shumë serbë të Kosovës. Trupat e Mbrojtjes Civile – të njohur më mirë si ‘Rojet e Urës’, të cilët shërbenin si forcë mobilizimi, survejimi dhe frikësimi në veri të Kosovës – janë shpërndarë, ndërsa shumë ish-pjesëtarë të tyre tani janë të punësuar nga ministritë dhe institucionet e Kosovës. Shumica e serbëve në Kosovë tani posedojnë një letërnjoftim të Republikës së Kosovës dhe bëjnë thirrje telefonike përmes një operatori serb të regjistruar në sistemin e Kosovës. Këto nuk janë arritje të parëndësishme; ato kanë pasur një ndikim të thellë, veçanërisht në kontekstin e sigurisë së përditshme në Kosovë.

Nuk habit fakti që EEAS-i (i ndihmuar nga Komisioni) është dëshmuar veçanërisht i aftë në trajtimin e një portofoli tejet teknik të çështjeve që kanë të bëjnë me dialogun. Nga doganat te menaxhimi i integruar i kufijve, nga fusha e telekomunikacionit te energjia elektrike, nga pretendimet pronësore te ujditë financiare, EEAS-i ka ofruar propozime që kanë siguruar që shumë dimensione teknike të dialogut të lëvizin përpara edhe në kohët kur aspektet politike ngecnin. Ai ka siguruar një nivel të zellit dhe ekspertizës që është dëshmi e profesionalizmit të individëve mbi të cilët mbështetet. Një diplomaci e tillë kërkon përgatitje dhe këmbëngulje tejet të kujdesshme, gjëra që nuk i mungojnë EEAS-it në këtë aspekt.

Pa marrëveshje përfundimtare

EEAS-i ka dështuar në përpjekjet e tij si katalizator i një marrëveshjeje përfundimtare midis dy palëve. Ajo që dukej si mbështetje – nën drejtimin e Federica Mogherinit – e një marrëveshjeje mbi premisat e një shkëmbim të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës (një pjesë të jugut të së parës për një pjesë të veriut të kësaj të fundit) ka dëmtuar pretendimin e BE-së si një aktor normativ, i udhëhequr nga parimet dhe vlerat e përbashkëta. Për më tepër, ajo ishte një ide, vetë shqyrtimi i së cilës (ose të paktën mungesa e një mohimi të vendosur) rrezikoi stabilitetin gjetiu në Ballkanin Perëndimor; në veçanti në Bosnjë dhe Hercegovinë, prioritet tjetër për politikën e BE-së në rajon, që prapëseprapë mbetet e bllokuar njëzet e pesë vjet pas përfundimit të luftës.

Veç kësaj, vetë EEAS-i është gjymtuar nga mungesa e harmonizimit të vendimeve të shteteve anëtare dhe objektivave mbizotërues të BE-së në politikën e jashtme. Askund nuk duket kjo më mirë sesa në dështimin për t’i dhënë Kosovës liberalizimin e vizave, përkundër faktit se Komisioni Evropian arriti në përfundimin se Kosova kishte përmbushur të gjitha kërkesat; kushte të cilat ishin shumë më shumë se ato që u kërkuan nga vendet e tjera në rajon. Shakaja në Prishtinë është se ata tani janë duke u rrahur me karrotën e jo me shkopin (një variant vulgar flet për karrotën e futur aty ku dielli nuk shndrit). Përkundër të gjitha fjalëve rreth kushtëzimit nga BE, janë shtetet anëtare individuale ato që duhet të japin dritën e gjelbër. Ndjenja e tradhtisë në Kosovë është e dukshme, dhe ka akuza për standarde të dyfishta që po krijojnë një ‘ghetto’. Ka pëshpërima për atë që perceptohet si ‘albanofobi’ e madje edhe islamofobi. Një dështim në përmbushjen e premtimeve të tilla ka një ndikim të madh në autoritetin e BE-së.

Strategjia retorike

Prandaj nuk befason shumë fakti se Përfaqësuesi i ri i posaçëm i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, diplomati sllovak me përvojë, Miroslav Lajčák, harxhon kohë dhe energji të konsiderueshme me shtetet individuale anëtare të BE-së për të siguruar prej tyre mbështetje më të gjerë për procesin e dialogut dhe zgjerimin. Përderisa ekziston një orientim strategjik retorik – që Serbia dhe Kosova do të bëhen përfundimisht anëtare të BE-së pasi të kenë zgjidhur të gjitha çështjet e tyre të hapura – perceptimi është se nuk ka përkushtim të mjaftueshëm të shteteve anëtare për të realizuar këtë objektiv.

Pesë vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën nuk janë pengesë në vete në këtë moment (një modus operandi është vendosur prej kohësh), por zbehja e perspektivës së BE-së ka rëndësi të veçantë. Vetoja e fundit bullgare ndaj negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në – pas sakrificave të dhimbshme të atij vendi për të siguruar një kompromis mbi çështjen e emrit me Greqinë – ka dëmtuar më tej besueshmërinë e zgjerimit. Në fakt, shumë njerëz e shohin sot zonën e ‘mini-Shengenit’ që po lind si zëvëndësim, e jo plotësim, për perspektivën e anëtarësimit në BE.

Dështimi për të normalizuar marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës do të ketë pasoja të thella për pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor dhe në fund edhe për Evropën. Edhe pse është bërë klishe pohimi se nëse Evropa nuk mund të zgjidhë problemet në oborrin e saj, si mund të presë ta bëjë këtë në pjesë të tjera të botës, ekziston një dyshim i sinqertë, i vazhdueshëm që buron nga një plagë e pazgjidhur në zemër të Evropës. EEAS-i duhet të vendosë koherencë jo vetëm mes delegacioneve të veta – sepse prioritetet në Beograd nuk janë gjithmonë në përputhje me ato në Prishtinë dhe anasjelltas – por gjithashtu edhe midis shteteve anëtare dhe objektivave të politikës së jashtme të Bashkimit. Ai gjithashtu duhet të fitojë mirënjohje të mëtejshme për mjetet e konsiderueshme financiare dhe njerëzore që BE ia ka kushtuar rajonit. Shumë prej instrumenteve ekzistojnë, por EEAS-i duhet të sigurojë që ato të luhen në mënyrë më të harmonishme.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.
Ky tekst ribotohet me lejen e autorit. Fillimisht është botuar në opendemocracy.net

SHARE