BE-ja: Kosova duhet ta propozojë mënyrën si të implementohet Asociacioni

0
458

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se Kosova ka marrë një obligim ndërkombëtar kur në vitin 2013 është arritur marrëveshja për Asociacioni e më pas është ratifikuar me 2/3 e votave në Parlamentin e Kosovës. Ai ka thënë se Kosova duhet ta gjejë mënyrën se si të implementohet Asociacioni.

Sa për takimin e sotëm në Bruksel, mes palës kosovare dhe asaj serbe, që ndodh në nivel të ekspertëve, Stano, ka thënë se po bisedohet vetëm për çështjet financiare dhe pronësore.

Për aranzhimet për komunitetet ai ka thënë se do të bisedohet në takimin e radhës.

“Për Asociacionin mund të them se Kosova është futur në marrëveshje në vitin 2013 për të krijuar Asociacionin. Marrëveshja është konkluduar në mirëbesim të palëve dhe kurrë nuk është anuluar. Kjo marrëveshje është ratifikuar me 2/3 e votave në Parlamentin e Kosovës. Kështu Kosova ka marrë një detyrim ndërkombëtar për të implementuar marrëveshjen. Mbetet që Kosova ta propozojë mënyrën për ta implementuar këtë marrëveshje”, ka thënë Stano. “Sa për përmbajtjen e diskutimit nuk kemi diskutuar ne. Ne e ndajmë vetëm agjendën. Kur vjen te agjenda e sotme, këtu kemi dy kryenegociatorët dhe siç është pajtuar në takimin e kaluar të nivelit më të lartë mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Hoti, tema janë çështjet financiare e pronësore dhe aranzhimet për komunitetet. Këto janë tema komplekse, të dy palët janë pajtuar që sot të përqendrohen vetëm te çështjet financiare e pronësore. E në takimin e radhës, që do të ndodhë në ditët në vijim, të bisedohet për punën e aranzhimeve për komunitete”.

E në pyetjen e korrespondentit të KOHËS, Agustin Palokaj, se pse BE-ja po i referohet komunitetit joshumicë kur po flitet për këtë dialog dhe nëse po ia jep të drejtën Beogradit të flasë për gjitha komunitetet joshumicë në Kosovë, Stano ka qenë i shkurtër.

“Ne e kemi njoftuar agjendën siç është pajtuar nga dyja palët. Emrat e temave siç janë pajtuar. Është e gjitha që mund të them”, ka thënë Stano.