BE-ja promovon zgjidhje që kapërcen idenë e shteteve etnike

0
18

Bashkimi Evropian promovon zgjidhje e cila nuk bazohet në idenë e krijimit të shteteve etnikisht të pastra. Kështu kanë deklaruar në zyrën e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila është lehtësuese në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tyre, marrëveshja e detyrueshme ligjore për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duhet të garantojë zgjidhje të qëndrueshme dhe të jetë në pajtim me ligjet ndërkombëtare.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë për politike të jashtme, Federica Mogherini ka thënë për gazetën se, janë të fokusuar në gjetjen e një zgjidhje, për të cilën pajtohen dy palët. Kur është pyetur për idenë e korrigjimit të kufijve, të cilën po e shtynë presidenti Thaçi, Kocijançiq i është referuar deklaratës së para disa javëve të Mogherinit, në takimin jo formal me ministrat e jashtëm të Ballkanit.

“Unë nuk do të komentoj përmbajtjen specifike të diskutimeve që janë në vazhdim e sipër. Vetëm mund të them se- çfarëdo rezultati për të cilin ka pajtim në mënyrë reciproke, do të marrë mbështetjen tonë, përderisa ajo që diskutohet është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe me ‘acquis’ e Bashkimit Evropian…Ju e dini shumë mirë historinë evropiane: historia evropiane bazohet në kapërcimin dhe parandalimin e ideve të shteteve etnikisht të pastra”, ka thënë ajo.

“Fokusi ynë është puna e vazhdueshme në kuadër të Dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, të cilin është duke e lehtësuar Përfaqësuesja e Lartë dhe Presidentja e BE-së. Angazhimi është duke vazhduar për arritjen e një marrëveshje të detyrueshme ligjore për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, që sjellë zgjidhje të qëndrueshme, reale, bazuar në pëlqimin e ndërsjellë dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe BE-n”, ka theksuar Kocijançiq.

Ajo ka shtuar se, ende nuk ka një datë të konfirmuar për takimin e radhës Thaçi-Vuçiq. Kocijançiq ka thënë se koha, ritmi, agjenda dhe formati i dialogut duhet të vendosen nga palët. Zyrtarët e BE-s po ashtu kanë kërkuar shmangien e tensioneve në terren.

“Në një kohë kur të dyja palët janë plotësisht të angazhuara me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, në përcaktimin e një marrëveshjeje ligjërisht detyruese për normalizimin gjithëpërfshirës, BE-ja pret nga dy presidentët, siç kanë rënë dakord, gjatë takimit të nivelit të lartë të Dialogut më18 korrik në Bruksel – se nuk ka tensione në terren që do të rrezikonin objektivin e përbashkët të normalizimit të marrëdhënieve”, ka potencuar Kocijançiq.

Më 7 shtator Mogherini pati thirr takimin e dytë të dy presidentëve, me të cilët ka diskutuar ndaras, pasi Vuçiq ka refuzuar të takohet me Thaçin. Disa ditë më vonë, Vuçiqi realizoi një vizitë në veriun e populluar me shumicë serbe, prej ku tha se, “mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka çka të diskutohet për kufij, sepse ata nuk ekzistojnë”.

E, presidenti Thaçi vazhdon ta promovojë korrigjimin e kufirit me fqinjin veriore.

Atë nuk e kanë zmbrapsur kundërshtimet e brendshme dhe një pjesë e faktorit ndërkombëtar, që kërkojnë të mos ndryshohen kufijtë. Në presidencë kanë deklaruar se nuk mund të heqin dorë nga, “njohja e Kosovës nga Serbia dhe bashkimi i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën”. Kjo sipas tyre, mund të arrihet vetëm nëpërmjet korrigjimit të kufirit me fqinjin verior.

Presidenti, ka institucionalizuar kërkesën e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, për bashkëngjitje me Kosovën, sipas referendumit të vitit 1992.

Thaçi ka folur sërish për domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes me Serbinë, me rastin e shënimit të Ditës së Bashkimit të Gjermanisë. Por, Thaçi, në pritjen e Ambasadës Gjermane, nuk e ka përmendur korrigjimin e kufirit me Serbinë, derisa ka kujtuar se bashkimi i Gjermanisë, në vitin 1990, u përcoll me ndryshime dramatike në gjithë Evropën.

“Ne duam ta bëjmë marrëveshjen historike me Serbinë, që duhet të sjellë njohjen reciproke dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes nesh, si dy shtete fqinje. Ne nuk pranojmë asgjë më pak se njohjen formale nga Serbia. Njohja reciproke Kosovë-Serbi hap rrugë të sigurt për anëtarësim në BE, për të dy vendet”, ka theksuar Thaçi.

Kurse, dështimi i arritjes së marrëveshjes dhe mungesa e njohjes reciproke, sipas presidentit, nënkupton status-quo dhe vazhdim të konfliktit të ngrirë. Për realizimin e këtyre qëllimeve të rëndësishme për Kosovën, Thaçi llogarit në përkrahjen e Gjermanisë.

Por shteti gjerman është deklaruar kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan. Këtë qëndrim e ka përsëritur edhe kancelarja Angela Merkel, gjatë vizitës së fundit në Maqedoni. Ideja e Thaçit ka hasur në rezistencë edhe brenda spektrit politik në Kosovë, derisa për këtë Lëvizja Vetëvendosje, organizoi protestë më 29 shtator.

E, kryeministri Haradinaj në disa raste ka përmendur luftën, kur është pyetur për idenë e ndryshimit të kufijve. Nuk kanë munguar as polemikat në distancë mes tij dhe Thaçit, rreth kufijve. Thaçi pati thënë se luftërat ishin risjellë edhe gjatë marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Këtë marrëveshje, Haradinaj sa ishte në opozitë, bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Nismën, e patën kundërshtuar me protesta brenda e jashtë kuvendit. Në disa raste Haradinaj pati thënë se “falja e territorit” Malit të Zi, nënkupton luftë. Por pas ardhjes në pushtet, Haradinaj i dha mbështetje versionit të demarkacionit të trashëguar nga qeveria Mustafa. Sebep për ta braktisur kauzën, u bë nënshkrimi i një deklarate mes presidentit të Kosovës, Thaçi dhe atij të Malit të Zi, Vujanoviq, e cila flet për korrektim të vijës së kufirit në drejtim të Kullës dhe Çakorrit.

(koha.net, Koha Ditore, 05/10/2018)

comments

SHARE