Biden porosit të themelohet Asociacioni dhe të ratifikohet Demarkacioni

Biden, gjatë kësaj vizite, kishte porosi të qarta për lidershipin politik të Kosovës, sidomos institucionet vendimmarrëse, duke u kërkuar atyre që të përmbyllin çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të vazhdojnë dialogun me Serbinë, të ratifikojnë Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe të vazhdojnë luftën e pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

0
1068

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do vazhdojnë të ndihmojnë dhe qëndrojnë pranë Kosovës dhe popullit të saj, ka deklaruar në Prishtinë nënpresidenti amerikan, Joe Biden.

Këto komente, Biden i ka bërë pas takimeve që zhvilloi me krerët e institucioneve të Kosovës, fillimisht kryeministrin Isa Mustafa dhe më pas presidentin Hashim Thaçi, me të cilin zhvilluan konferencën e përbashkët për media.

Biden, gjatë kësaj vizite, kishte porosi të qarta për lidershipin politik të Kosovës, sidomos institucionet vendimmarrëse, duke u kërkuar atyre që të përmbyllin çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të vazhdojnë dialogun me Serbinë, të ratifikojnë Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe të vazhdojnë luftën e pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Presidenti Thaçi dhe kryeministri Mustafa kanë treguar një angazhim të vendosur për vazhdimin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, përfshirë edhe Demarkacionin, që nuk ka të bëjë me dialogun e Brukselit, por që ndërlidhet me kthesat dhe ndryshimet që duhet t’i bëni në marrëdhëniet tuaja me fqinjët”, ka thënë Biden.

“Ndërkaq kur është në pyetje dialogu i Brukselit duhet të ecet përpara drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Do të jetë e vështirë po është e domosdoshme”, është shprehur nënpresidenti amerikan.

Këto angazhime, sipas nënpresidentit Biden, do ta mbajnë Kosovën në rrugën e saj prosperuese drejt integrimeve evropiane e euroatlantike dhe drejt një ekonomie të lirë të tregut, që do të siguronte zhvillimin e shumë kërkuar ekonomik. Por, për një zhvillim të tillë, Biden tha se është më se e domosdoshme që Kosova ta fitoj luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Nuk mund të ketë rritje ekonomike nëse ka mungesë të sundimit të ligjit. Njërëzit do të investojnë vetëm aty ku ka transparencë, vetëm aty ku ka rend dhe ligj. Korrupsioni është kancer”, ka thënë nënpresidenti Biden.

Në vijim, Biden ka përgëzuar institucionet e Kosovës, presidentin Thaçi dhe kryeministrin Mustafa, për angazhimet në luftimin e radikalizmit dhe terrorizmit.

“Kosova nuk është e vetme. Ju keni miq që janë të gatshëm t’ju ndihmojnë në gjithë botën dhe nuk ka mik më të madh sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës që duan t’ju ndihmojnë”, është shprehur Biden.

Ai ka inkurajuar lidershipin e Kosovës që të tregohet i vendosur në marrjen e vendimeve të mëdha, qofshin edhe të vështira, në mënyrë që shteti të ecë përpara.

Në kuadër të mesazheve për paqe dhe pajtim, jo vetëm ndër fqinjësor, por edhe brenda komuniteteve në Kosovë, Biden ka përgëzuar edhe presidentin Hashim Thaçi për vendosmërinë e tij për të vizituar vendet ku pësuan edhe serbët e Kosovës gjatë luftës së fundit, siç ishin rastet e vënies të kurorave të luleve në Grackë të Lipjanit dhe në Gorazhdec të Pejës.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka siguruar nënpresidentin amerikan se Kosova do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar në luftimin e terrorizmit, radikalizmit dhe në vendosjen e rendit demokratik, duke luftuar dukuritë negative, si krimi i organizuar dhe korrupsioni.

Njëherësh, Thaçi është zotuar se dialogu me Serbinë do të vazhdojë, kurse Kuvendi do të ratifikojë shumë shpejt Demarkacionin me Malin e Zi.

“Jam i sigurt se pajtimi është i mundur dhe do të ndodh. Për Kosovën kultivimi i fqinjësisë së mirë është interes strategjik dhe për ne dialogu është rruga e vetme për të ecur përpara”, është shprehur Thaçi.

“Në kontest të fqinjësisë se mirë, më lejoni zoti Biden që t’iu siguroj se edhe çështja e shënimit të vijës kufitare më Malin e Zi do të përmbyllet shpejtë në përputhje më interesin tonë shtetëror. Marrëveshja e demarkacionit Kosovë – Mal i Zi është marrëveshje e drejtë”, ka thënë presidenti i Kosovës.

Ky vendim i Kuvendit të Kosovës, sipas Thaçit, do ta forcojë shtetësinë, do të hap perspektivë të integrimit euro-atlantik dhe do t’i jap fund izolimit të qytetarëve të Kosovës për të udhëtuar pa viza në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Pas takimeve me liderët e shtetit të Kosovës, Biden me anëtarët e familjes së tij është nisur që të vizitojë vendin afër kampit ushtarak amerikan Bondstill, përkatësisht rrugën që lidh qytetet e Ferizajt dhe Gjilanit, e cila ka marrë emrin e djalit të tij të ndjerë, Beau Biden.

Kjo ishte hera e dytë që Biden viziton Kosovën. Paraprakisht, ai ka qëndruar edhe në Beograd ku ka zhvilluar takime me kreun e qeverisë së re të Serbisë.

(evropaelire.org, 17/08/2016)