Biznes apo barrikada

A do të arrijë i emëruari i posaçëm i presidentit Trump për bisedimet midis Kosovës e Serbisë, RIchard Grenell t’i bindë palët se marrëveshja është në interes të dyanshëm, t’i nxjerrë të dyja palët nga barrikadat, mbetet të shihet, por një gjë është e sigurtë - nëse nisemi prej ekonomisë gjasat janë të mëdha. Përndryshe, dihet se e kaluara nuk mund të ndryshohet, por mund të përsëritet.

0
140

Ambasadori amerikan në Gjermani, përndryshe edhe i emëruari i presidentit Donald Trump për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, ditë më parë e vizitoi Kosovën dhe menjëherë pas saj edhe Serbinë fqinje. Aspak nuk u mor me politikë, çka edhe e theksoi në disa raste. Ai është më i interesuar për ekonominë, interesat ekonomike dhe përparimin e marrëdhënieve në mes të dy fqinjëve, pikërisht në këtë drejtim. Përndryshe, është e ditur tashmë se Amerika është bërë me ekonomi më shumë se me politikë dhe se interesi i kompanive amerikane e krijon edhe politikën e SHBA.

Në Kosovë, ai nuk u mor me atë se kush ka të drejtë e kush nuk ka në debatet e ashpra rreth formimit të qeverisë, por e lavdëroi mandatarin për krijimin e qeverisë së re, Albin Kurtin për orientimin e tij kah ekonomia, dhe la të kuptohet se nuk dëshiron të përzihet në tema politike, as brenda Kosovës, as në marrëdhëniet Kosovë – Serbi. Aq më tepër edhe rreth çështjes së formimit të koalicionit dhe qeverisë së re, ai i trimëroi pjesëmarrësit në bisedime pikërisht në këtë drejtim, duke ua bërë të qartë se taksa e aplikuar për mallrat serbe duhet të hiqet  dhe me këtë edhe të gjitha bllokimet në shkëmbimin ekonomik, e kështu të sigurohet qarkullimi i lirë i mallërave dhe njerëzve, dhe të arrihet një depolitizim i përgjithshëm i këtyre standardeve të pranuara plotësisht në botën moderne perëndimore.

Linja e re ajrore në mes të Beogradit dhe Prishtinës, e sapo marrëveshur, dhe sapo nënshkruar pa ndërhyrjen e drejtëpërdrejtë të përfaqësuesve më të lartë të shtetit,  pak a shumë na e bënë të dukshme mënyrën se si administrate amerikane i shtynë këto procese, pa debate të pafund dhe pa debate parimore për temat e hapura që nga koha e Car Dushanit apo ilirëve, të cilat janë të zakonshme sa here që hapet cilado temë e rëndësishme politike. Me një fjalë, liderët ankohen vazhdimisht se janë të detyruar të kujdesen për votuesit e tyre, emocionet e tyre, kështu që pozicionet e tyre për disa çështje të rëndësishme  janë aq të çimentuara sa thjesht e kanë sjellë dialogun në gjendje të vdekjes klinike.

Do të thotë, jo politikë, por të ecet përpara me interesa pa dyshim të përbashkëta për revitalizimin e infrastrukturës, rrjedhave ekonomike – kjo është esenca e procesit në të cilin zoti Grenell beson dhe investon jo vetëm energjinë e tij por edhe reputacionin e administrates amerikane, përkatësisht administrates Trump, e cila, pasi ra fjala, ka interes të drejtpërdrejtë  për një përparim të dukshëm në marrëdhëniet Kosovë – Serbi, posaçërisht në këtë vit zgjedhor në të cilin votuesit amerikanë do të vendosin nëse “doktrina Trump” është e ardhmja e  SHBA,  apo ishte vetëm një përpjekje e dështuar për të rikthyer rolin e liderit të padiskutueshëm botëror për SHBA, i cili sipas tyre është rrezikuar.

Siç tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, Ambasadori Grenell nuk ishte aspak i interesuar të diskutojë për ndonjë termin të lire për bisedime për këtëo tema, por kishte kërkuar që disa ditë më vonë ekspertët serb për hekurudhën të jenë në Berlin, ku do të bisedonin për problemet konkrete të përtëritjes së qarkullimit hekurudhor në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe të arrijnë një marrëveshje të ngjashme sikurse ajo e linjës ajrore.

Pse Amerika insiston në ekonomi, dhe nuk bazohet fort në “fair pay” bisedime të pafund, derisa BE tash disa vite po stagnon apo edhe po “ecë” prapa në këtë proces të negociatave, në të cilin në vend të debatit për normalizim të vërtetë të marrëdhënieve  në mes dy vendeve, erdhi deri te degradimi, te rritja e armiqësive dhe bllokadave, si pasojë direkte e qorrsokakut në të cilin arritën bisedimet?

A do të arrijë që t’i tërheqë edhe deri te një apo më shumë marrëveshje, rreth infrastrukturës, dhe a do të jetësohen këto marrëveshje, mbetet të shihet, duke theksuar fjalët e ambasadorit se marrëveshja varet nga të dyja palët, dhe jo prej tij dhe administrates amerikane e cila ndihmon këtë proces.

Ai edhe në Beograd – duke lënë të kuptohet se për SHBA ky është një proces i kryer, dhe se kjo është një energji e shpenzuar kot dhe në drejtim të gabuar – bëri thirrje për ndaljen e njëfar procesi të çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës, të intensifikuar kohëve të fundit, dhe në të cilin Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Dačić, është angazhuar shumë.

Në fund të fundit angazhimi i ambasadorit Grenell është një përpjekje që procesi të nxirret nga bllokada, të thyhen pozicionet politike të çimentuara dhe të bunkerizuara të të dyja palëve, të cilat nga ana serbe ishin përcjellë edhe me përpjekje që të rehabilitohet politika serbe e (para)luftës, qëllimet e luftës, dhe në fund procesi I bisedimeve të kthehet në kornizën e paraluftës.  Kjo vlen edhe për kundërmasat e Kosovës.

A do të arrijë z. Grenell t’i bindë palët se marrëveshja është në interes të dyanshëm, t’i nxjerrë të dyja palët nga barrikadat, mbetet të shihet, por një gjë është e sigurtë, nëse nisemi prej ekonomisë gjasat janë të mëdha. Përndryshe, dihet se e kaluara nuk mund të ndryshohet, por mund të përsëritet. Të dyja palët do të duhet të marrin vendim: e kaluara apo e ardhmja, barrikada apo biznes?

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE