Bjeshkataria në klimën kosovare

Një zhvillim i dukshëm është shënuar vitet e fundit në fushën e turizmit malor në Kosovë, me një potencial për shfrytëzim edhe më të madh në të ardhmen. Por dy raste kur bjeshkatarët u penguan në aktivitetet e tyre më herët këtë vit tregojnë për ndjeshmërinë në këtë fushë ndaj gjendjes politike dhe asaj të sigurisë në vend.

0
139

Vitet e fundit ka pasur një zhvillim të hovshëm në sektorin e turizmit malor në Kosovë. Të tërhequr nga peisazhet e veçanta e bukuria e tyre, klima dhe ajri i pastër që ofron ky aktivitet, shumë njerëz zgjedhin malin si destinacionin e tyre të preferuar. Kosova ka shumë pika atraktive turistike, sidomos në rajonin e Sharrit dhe Prizrenit, në Kosovën perëndimore ku përfshihen Bjeshkët e Nemura, Gryka e Rugovës, Hajla, dhe, natyrisht, në veriun e Kosovës me Luginën e Ibrit, Mokra Gorën, liqenin e Ujmanit dhe Kopaonikun. Shala e Bajgorës mbetet sinonim i bukurisë ndërsa Maja e Zezë, Maja e Mejdanit, ndër pikat më të vizituara në këtë zonë, janë vetëm dy prej maleve në të cilat mund te praktikohet ecja malore. 

Por më herët këtë vit, mediat njoftuan për dy raste kur bjeshkatarët janë penguar në aktivitetet e tyre. Në fillim të majit, policia tha se një grup bjeshkatarësh nga ‘Kosovo Mountain Club’ kishin raportuar se “rreth 40 persona me autobus në mënyrë të organizuar, kanë ardhur nga ana e Zubin Potokut, me vazhdu ecjen nëpër male, sipas tyre dikush ka shtënë me armë zjarri dhe janë kthyer nga aty”. Rasti tjetër ndodhi disa ditë më vonë, më 26 maj, kur rreth 120 bjeshkatarë nga pjesë të ndryshme të Serbisë  dhe nga veriu i Kosovës nuk u lejuan të ngjiteshin në majën e Lubotenit. Policia më pas tha se “askush nuk lejohet që të ngjitet në malin Sharr”, por nuk dha spjegime për çfarë arsye.

Situata politike në vend dhe mungesa e progresit në dialogun në Bruksel, sipas Dragiša Mijačićit, themeluesit të organizatës Outdoor In, shihet si një prej pengesave më të mëdha në zhvillimin e këtij lloj turizmi, i cili është i ndjeshëm ndaj sfidave të sigurisë.

“Është e nevojshme të punohet në stabilizimin e situatës politike dhe forcimin e marrëdhënieve të biznesit. Ka shumë potencial për bashkëpunim sepse tregu i huaj e sheh Ballkanin si një destinacion të vetëm. Prandaj është e domosdoshme që të vendosen dhe zhvillohen marrëdhënie afariste dhe atë jo vetëm ndërmjet agjencive turistike dhe ofruesve të shërbimeve turistike nga radhët e komuniteteve shqiptare dhe serbe, por edhe nga komunitetet dhe ekonomitë e tjera në Ballkan”, thotë Mijačić.

Themeluesi i organizatës Outdoor In thotë se janë bërë hapa fillestarë në vendosjen e bashkëpunimit ndëretnik por thekson se ato kanë më shumë rëndësi simbolike sesa ekonomike:

“Ka shembuj të rrallë të bashkëpunimit në fushën e bjeshkatarisë mes komunitetit shqiptar dhe atij serb brenda Kosovës, ose midis shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve nga Serbia. Shembujt e bashkëpunimit janë sidomos të rrallë kur shikojmë bjeshkatarinë si aktivitet sportiv dhe rekreativ. Kur bëhet fjalë për turizmin, veçanërisht turizmin aktiv, bashkëpunimi bazohet në marrëdhënie afariste të ofrimit të shërbimeve të ndryshme turistike dhe të hotelierisë. Ka shembuj kur janë mysafirët shqiptarë dhe serbët ofrojnë shërbime, kryesisht në Kosovën qendrore, në Brezovicë dhe në Hoçë të madhe, ose ku serbët janë mysafirë e shqiptarët ofrojnë shërbime, p.sh. në grykën e Rugovës, Prizren dhe Pejë”, thotë Mijačić. 

Bashkëbiseduesi i New Perspektivës thotë se Outdoor In ka vite që bashkëpunon me shoqatën e alpinistëve Marimangat e Pejës, që reflektohet në shkëmbimin e përvojave të cilat lidhen me zhvillimin e Via Ferrata-ve si produkt turistik. Së bashku, thotë Mijačić, kanë realizuar disa projekte që kanë të bëjnë me zhvillimin e turizmit në Zubin Potok dhe në Pejë, si dhe shënimin e shtigjeve të ecjes në Mokra Gorë dhe Hajle.

Marimangat e Pejës, është themeluar në fillim të viteve 2000 si nismë dhe bashkim i interesave të komunitetit të të rinjëve alpin në komunën e Pejës me qëllim kryesor integrimin e moshave rinore pa dallim gjinie dhe race në sportin e ngjitjes në shkëmbinj si dhe masovizimin e tij, përfshirjen e të rinjëve në aktivitete malore, promovimin e shëndetit më të mirë, promovimin e një mjedisi ambiental të qëndrueshëm si dhe zhvillimin e turizmit të aventurës në komunën e Pejës e më gjerë.

Gzim Murati i Marimangave të Pejës flet po ashtu për bashkëpunimin që megjithatë nuk është shumë i madh. 

“Bashkëpunimet janë prezente, jo në numër të madh por kemi mysafirë nga Tutini, Novi Pazari, Polonia si dhe nga disa qytete tē Malit të zi, sikur Plava dhe Gusia, që kohë pas kohe na vizitojnë dhe i shkëmbejmë idetë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin”, thotë Murati.

I pyetur nëse ka pjesëmarrje të komuniteteve të tjera në aktivitetet e shoqatës, Murati shton:

“Ka pjesëmarrës të etniteteve të ndryshme; kemi edhe mysafirë dhe turistë që vizitojnë Via ferratat tona nga Mali i Zi, Vojvodina dhe nga Serbia.” 

Sa i përket bashkëpunimit midis shqiptarëve dhe serbëve, Dragiša Mijačić i Outdoor In shton se “shumë më thjeshtë është të bashkëpunosh brenda Kosovës qendrore sesa në relacionin mes Kosovës qendrore dhe asaj veriore. Duke pasur parasysh problemet e sigurisë që shfaqen muajt e fundit nëpër Kosovë, të gjitha aspektet e bashkëpunimit po hasin në vështirësi të mëdha.”

This article is made possible by the support of YIHR KS as the implementing partner of the United States Agency for International Development (USAID). The content of this article is the sole responsibility of New Perspektiva and does not necessarily reflect the views of the United States Agency for International Development – USAID, the US Government, or the Youth Initiative for Human Rights Kosovo (YIHR KS).

SHARE