Çfarë ka ndryshuar në kontekstin e dialogut?

Nuk e dimë se çka po shkëmbejnë apo tregtojnë dy negociatorët presidencial, as çka po tentojnë të zhbëjnë. Çkado qoftë, ata e nxitën këtë temë, e cila të kujton hapa regresiv. Kosovës iu dha pavarësia si një shtet multietnik evropian, për këtë arsye siguroi edhe njohjet e rëndësishme të cilat i mori, dhe kjo shihej si e ardhmja e saj. Ata mund të mos jenë në gjendje ta zhbëjnë këtë. Këto diskutime nuk janë veç për kufij por edhe për kushtetuta, ambicie politike e personale, stabilitet, ekonomi dhe - ajo që ështe më e rëndësishmja - për jetë njerëzish.

0
259

Shqiptarët nuk po e kuptojnë që situata ka ndryshuar, tha ministri serb i punëve të jashtme, Ivica Dačić, duke folur për dialogun për normalizim. Ashtu si presidenti, Aleksandar Vučić, ai flet për një situatë ku fitojnë të gjithë, ku secila palë fiton e humb diçka.

Atëherë, çfarë ka ndryshuar?

Kah fundi i korrikut, në Uashington, Dačić u takua me Këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë për Siguri Nacionale, John Bolton. Pas takimit, Dačić tha se kishte pasur mbështetje të hapur për një zgjidhje kompromisi në dialog. Vetëm disa ditë më parë, Bolton duket se e kishte konfirmuar vetë këtë sa ishte në Ukrainë (vend ogurzi për të përmendur korrigjime territoriale), ku tha se politika e SHBA-së e pranonte se nëse palët mund të punonin me njëra-tjetrën dhe të arrinin marrëveshje, SHBA nuk do ta përjashtonte korrigjimet territoriale. “Vërtetë nuk na përket neve ta themi.”

Ambasadori aktual amerikan në Kosovë, Greg Delawie, në një intervistë për një TV kosovar rreth një javë para vizitës së Dačić-it në SHBA, ka lënë të nënkuptohet se mund të ketë ndryshime në anën e SHBA-së, përfshirë një lloj fleksibiliteti për kufirin. Kandidati që do ta zëvendësojë zotin Delawie në rolin e ambasadorit të SHBA-së, Philip Kosnett, u raportua se, gjatë prezantimit të tij para Komisionit të Senatit të SHBA-së për Marrëdhënie me Jashtë, ka thënë se është e rëndësishme që të dyja palët të dalin me zgjidhje kreative “por se ky formulim nuk përfshin shkëmbim territoresh”. Ai pranoi se nuk kishte dëgjuar për komentet e Boltonit.

BE-ja më në fund foli. Gjatë fundjavës në Austri, Johannes Hahn, komisioneri i BE-së përgjegjës për Ballkanin, tha se asgjë nuk duhet të përjashtohet në këtë fazë, por i tha presidentit serb dhe atij kosovar, që ishin ulur afër tij, të siguronin një marrëveshje që nuk do ta destabilizonte rajonin e gjerë.

Federica Mogherini dhe ekipi i saj, që i prijnë lehtësimit të dialogut për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë, kanë qenë veçanërisht të heshtur për këtë temë. Shtetet tjera anëtare të BE-së, veçanarisht Angela Merkel në Gjermani, dhe krijuesit kryesorë të opinionit në BE e kanë deklaruar fuqishëm kundërshtimin e tyre ndaj çfardo ndryshimi të kufijve.

As Shqipëria, bazuar në atë që ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, ka thënë, nuk duket se e mbështet konceptin e shkëmbimit të territoreve. Ai e theksoi nevojën që Serbia t’i respektojë të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

Respektimi i të drejtave të njeriut është pikë kyçe. Pas Luftës së Dytë Botërore, në Evropë dhe më gjerë u pranua se respektimi i të drejtave themelore kishte rëndësi kyçe pas një konflikti global që pandërprerë kishte dëshmuar shkatërrimin e shkaktuar nga ndarja dhe nacionalizmi. Sikur qytetarëve të Kosovës dhe të Serbisë t’u respektoheshin në mënyrë korrekte të drejtat e tyre njerëzore dhe qytetare, sikur të dyja këto vende të respektonin më shumë sundimin e ligjit, me gjasë do të ishte e panevojshme të shkruhen këto mendime. Këto diskutime do të ishin të parëndësishme. 

Nuk e dimë se çka po shkëmbejnë apo tregtojnë dy negociatorët presidencial, as çka po tentojnë të zhbëjnë. Çkado qoftë, ata e nxitën këtë temë, e cila të kujton hapa regresiv. Kosovës iu dha pavarësia si një shtet multietnik evropian, për këtë arsye siguroi edhe njohjet e rëndësishme të cilat i mori, dhe kjo shihej si e ardhmja e saj. Ata mund të mos jenë në gjendje ta zhbëjnë këtë. Këto diskutime nuk janë veç për kufij por edhe për kushtetuta, ambicie politike e personale, stabilitet, ekonomi dhe – ajo që ështe më e rëndësishmja – për jetë njerëzish. 

Evropa ka të bëjë me kufij të hapur dhe integrim të njerëzve të ndryshëm, e jo me ndarje e përçarje. Migrimi dhe gjeopolitika nuk e kanë ndryshuar këtë edhe pse sigurisht e kanë dëmtuar këtë parim. Administrata e SHBA-së tash po bëhet gjithnjë e më izolacioniste dhe e largët. Kjo mund ta ketë modifikuar politikën në Uashington, mund ta ketë reduktuar përkushtimin e tij por linjat bazë mbesin të pandryshuara.

Ajo që nuk ka ndryshuar është arsyeja pse BE e mori detyrën e lehtësimit të këtyre bisedimeve. Kjo rezultoi nga vendimi i vitit 2010 i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Pas kësaj, BE-ja e mori stafetën në procesin e normalizimit. Mbase ia vlen ta rikujtojmë një argument të opinionit këshillues të ekipit britanik të dorëzuar para atij vendimi. Ai konkludonte se shpallja e pavarësisë nuk ishte gjykim i nxituar. Nuk ishte shprehje e “bujarisë” së një klike jopërfaqësuese politike. Ajo erdhi në fund të një kërkimi rraskapitës për alternativa të tjera, të kryer nga bashkëbisedues të matur e ekspertë, të cilët kishin hulumtuar çdo rrugë tjetër që mund të kishte çuar në një rezultat tjetër. Nuk gjetën asnjë tjetër që mund të ishte i qëndrueshëm. Kjo ishte e vetmja mënyrë e mundshme për të ecur përpara.

Kërkimi ishte shterues. Edhe pse jo e përsosur, ajo u pa si e vemja mënyrë e arsyeshme për të ecur përpara në Evropën e shekullit 21 – një Evropë të cilës të dyja vendet aspirojnë t’i bashkohen. Ndryshime të kufijve dhe modele të tjera u studiuan, diskutuan dhe ridiskutuan pa pushim gjatë viteve paraprake.

Dačić dhe Vučić thonë se të dyja palët duhet të jenë fitimtare dhe humbëse. Kjo ishte nënkuptuar edhe gjatë gjithë procesit për statusin final të udhëhequr nga Marti Ahtisaari. Ishin dy çmime të pakontestueshme, të dyja palët fituese.

Së pari, komunitetit të serbëve të Kosovës iu dhanë të drejta speciale në një proces gjithëpërfshirës decentralizimi që krijoi komunat me shumicë serbe ku ata do të kishin vetëqeverisje më të madhe. Atyre iu dhanë të drejta të veçanta për të marrë fonde direkt nga Beogradi dhe veçanërisht në fushën e edukimit dhe shëndetit. Komunitetit serb iu garantuan pozita në qeveri dhe parlament. Këto ishin kompromise të vështira për palën kosovare.

Së dyti, të dyja palëve iu ofrua rruga për anëtarësim në BE, rrugë e lidhur me përmbushjen dhe implementimin e normalizimit. Kjo është arritje, fitore. Kjo është diçka që negociatorët duhet ta mbajnë mend sepse nëse mund t’i kultivojnë vlerat evropiane të cilat i përqafojnë, kufijtë dhe bisedimet për stabilitetin mund të bëhen të parëndësishme.

comments

SHARE