Çfarë mund të presim lidhur me dialogun Kosovë-Serbi pas zgjedhjeve të shkurtit?

Tashmë na është bërë e qartë që procesi i dialogut është shumë i pastrukturuar dhe mbi të gjitha i kushtëzuar nga një sërë faktorësh të cilët edhe në fakt kanë bërë që ky proces të jetë i tejzgjatur. Kjo tendencë e zgjatjes së procesit mund të vazhdojë edhe më tej me ardhjen e projektuar të Vetëvendosjes në pushtet, qasjes së ngurtë të Serbisë dhe faktit që ky proces ndikohet nga dy eksponentë të dallueshëm si SHBA dhe Bashkimi Evropian.

0
77

Derisa shteti i Kosovës është në prag të zgjedhjeve, duket se sa i përket procesit të dialogut po veprojmë në një rreth vicioz dhe pa ndonjë pamje të qartë mbi atë që do të ndodhë. Ndonëse marrëveshja e arritur në Uashington përbën një të arritur relevante, duhet theksuar se të dyja shtetet në një formë mbeten të kushtëzuara nga faktori ndërkombëtar në drejtim të arritjes së një marrëveshjeje finale për njohje reciproke, për normalizim raportesh. Megjithatë, edhe pse këto dinamika do të duhej të ndodhnin, një fitore e mundshme nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje na ofron një lloj hapësire për të besuar që një marrëveshje e tillë mund të vonohet shumë ose të paktën të ndryshohet edhe sa i përket asaj që marrëveshja do realizojë në praktikë. Kjo ndërlidhet në masë të madhe me profilin e LVV-së si parti por edhe me faktorë të tjerë siç mund të jenë rezistenca e Serbisë për të bërë lëshime eventuale por edhe vetë fakti se me cilën formulë dhe nga kush do të duhej të arrihej kjo marrëveshje.

Gjithmonë bazuar në supozimin se Lëvizja Vetëvendosje do të jetë fituese e zgjedhjeve të shkurtit (dhe për këtë ekziston një tendencë e qartë në pothuajse të gjitha sondazhet), mund të konsiderojmë se kjo mund të ketë implikime negative për proces të dialogut. Vetëvendosje shquhet me tendenca të veçanta nacionaliste në krahasim me partitë tjera në Kosovë dhe këto tendenca shprehen në mënyrë te veçantë ndaj Serbisë. Si shembull, në kuadër të premtimeve të Vetëvendosjes është theksuar që nuk do të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe apo edhe lëshime tjera ndaj shtetit të Serbisë. Për më tepër, marrëveshja e Uashingtonit, që u cilësua si sukses ose hap para nga LDK, ishte konsideruar si humbje e madhe për Kosovën nga LVV. Pra, në këtë mënyrë mund të nxjerrim përfundim se qeverisja e Vetëvendosjes ka një potencial të shtuar për mungesë kompromisi dhe kështu mund të vonojë edhe më tepër dakordimet e mundshme me shtetin serb. Përderisa ardhja e LVV-së si parti në pushtet mund të përbëjë një problem shtesë në arritjen e një marrëveshjeje me shtetin serb, si rezultat i një orientimi më të theksuar nacionalist, ne duhet patur parasysh se marrëveshja është një ide bilaterale. Në fakt, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, edhe shteti i Serbisë është dëshmuar si jashtëzakonisht konsistent sa i përket qasjes në procesin e dialogut. Serbia që nga fillimi i bisedimeve ka patur të njëjtin udhëheqës, pra presidentin Aleksandar Vučić, dhe po ashtu është dëshmuar edhe jashtëzakonisht kategorike në tendencën për të mos bërë njohjen e shtetit të Kosovës. Pra, ka një hapësirë të madhe për skepticizëm mbi mënyrën e koncesioneve që do t’i bëjë edhe shteti serb ndaj Kosovës në një proces të tillë e veçanërisht kur para tyre është LVV me një qasje shumë më agresive se pushtetet e kaluara në këtë drejtim. Një element i fundit dhe dukshëm më pak i vendosur, i cili nuk duket që është duke i kontribuar procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, është edhe një tendencë e hapur për të marrë drejtimin e këtij procesi nga faktori ndërkombëtar e më saktë nga SHBA dhe Bashkimi Evropian. Në këtë mënyrë, nuk kemi një ide të qartë mbi atë se nga cili faktor ndërkombëtar pritet që të zgjidhet kjo çështje e aq më pak për mënyrën se si do të mund të arrihej një marrëveshje e tillë. Pra, pa marrë parasysh se si do të vazhdojë procesi i dialogut, është e qartë se të dy shtetet veprojnë në kuadër të një sovraniteti të minuar dhe që zgjidhjet eventuale komplikohen edhe më tepër si rezultat i influencave të kombinuara nga SHBA dhe Bashkimi Evropian.

Tashmë na është bërë e qartë që procesi i dialogut është shumë i pastrukturuar dhe mbi të gjitha i kushtëzuar nga një sërë faktorësh të cilët edhe në fakt kanë bërë që ky proces të jetë i tejzgjatur. Kjo tendencë e zgjatjes së procesit mund të vazhdojë edhe më tej me ardhjen e projektuar të Vetëvendosjes në pushtet, qasjes së ngurtë të Serbisë dhe faktit që ky proces ndikohet nga dy eksponentë të dallueshëm si SHBA dhe Bashkimi Evropian. Ndonëse dialogu ka shumë nevojë për përshpejtim, duket tejet e paqartë se si kjo pritet të realizohet në praktikë.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE