Çfarë thonë media për dialogun dhe normalizimin?

0
530


Nga monitorimi i mediave gjatë gushtit veçojmë tri tema që kanë të bëjnë me dialogun dhe procesin e normalizimit e të cilat tërhoqën vëmendjen më shumë: nisma e presidentit serb Aleksandar Vučić për një dialog të brendshëm serb për Kosovën, çështja e a
nëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe vazhdimi i dialogut në Bruksel.

Dialogu i brendshëm serb i inicuar nga Vučići

Radio Evropa e Lirë në rubrikën e saj të përjavshme “Fokus” i trajtoi “skenarët dhe qëllimet e vërteta të nismës së Vučićit për dialogun e brendshëm në Serbi për Kosovën”. Ajo njoftoi se, sipas të të intervistuarve, Serbia gjendej para dy skenarëve: 1) Pas presionit nga Bashkimi Evropian, Serbia ta heqë nga Kushtetuta e saj Kosovën, për t’i hapur vetes rrugën e integrimit evropian dhe 2) Margjinalizimi përbrenda këtij vendi i çështjes së normalizimit të raporteve me Kosovën, “që nënkupton një skenar që do të prodhojë edhe kërkesën eksplicite tashmë të Serbisë që flet për një lloj demarkacioni ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, si dhe zhbërjen e Republikës së Kosovës dhe që pjesën tjetër të Kosovës, tek Ibri, ta ndajë me Shqipërinë”. Ndërkohë, BIRN publikoi një artikull të Gëzim Krasniqit, kolumnist i rregulltë në këtë medium, i cili sugjeronte se “Kosova vështirë se mund të presë ndonjë gjë pozitive nga nisma e Vučićit. Problemet historike zgjidhen duke adresuar shkaqet në thelb dhe duke marrë përgjegjësinë për çdo keqbërje. Më e rëndësishmja, ato zgjidhen kur të drejtat dhe nevojat e njerëzve, jo fitimi territorial, vendosen mbi gjithçka tjetër”.

Edhe deklaratat e shefit të diplomacisë serbe, Ivica Dačić, ishin në fokus të medieve gjatë tërë muajit. Ato përcollën deklaratën e Dačićit, dhënë së pari agjencisë serbe të lajmeve, Fonet, ku ai deklaronte se “ndarja e Kosovës ishte vetëm një prej ideve”, se qëllimi i dialogut të brendshëm nuk ishte njohja e Kosovës dhe për më tepër garantonte se Kosova nuk do të pranohej në UNESCO. Më pas, mediat raportuan edhe për deklaratën tjetër të tij dhënë gazetës serbe “Novosti”, ku ai vazhdonte ta propozonte idenë e Kosovës së ndarë në “atë që është serbe dhe në atë që është shqiptare, normalizimi i marrëdhënieve, sigurimi i trashëgimisë ortodokse me krijimin e manastireve autonome sipas modelit të Atosit në Greqi, Bashkësia e komunave jugore serbe dhe kompensimi financiar për uzurpimin e pasurisë”.  Pas këtyre njoftimeve, u përcoll edhe reagimi i ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili përmes një postimi në Twitter, i drejtohej Dačićit duke i thënë se “nëse dialogu nuk çon drejt njohjes së Kosovës shtet i pavarur, atëherë ai është i destinuar të dështojë” dhe “nëse Serbia vazhdimisht bën fushata kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, për çfarë normalizimi po flasim?”.

Pati njoftime edhe për kërkesën e Lëvizjes Qytetare “Vatra”, me seli në Gjilan, që “çështja e Kosovës Lindore të dalë në tavolinën e bisedimeve Kosovë-Serbi, duke vlerësuar se si zgjidhje afatgjate është shkëmbimi i territoreve të tri komunave në Mitrovicën e veriut me tri komunat me shumicë shqiptare” e cila u pasua me deklaratën e Kryetarit të Trupit Koordinues në Qeverinë e Serbisë për Luginën e Preshevës, Zoran Stanković, i cili thoshte se “nuk ekziston kurrfarë paraleleje ndërmjet zgjidhjes së problemit të serbëve në Kosovë dhe zgjidhjes së funksionimit të vetëadministrimit lokal në tri komuna në jug të Serbisë”.

Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare

Qeveria e Kosovës në detyrë gjatë gushtit e miratoi nismën për aderimin e Kosovës në INTERPOL. Një zyrtar i Ministrisë së punëve të të Jashtme të Kosovës, kishte thënë për KTV-në se Kosova nuk kishte shumë shpresa për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare dhe se, në anën tjetër, nuk kishte aplikuar për anëtarësim në UNESCO në mungesë të miratimit të dy ligjeve.

Ndërkohë, mediet në Kosovë e transmetuan intervistën e ish-Ministrit të Punëve të Jashtme në Kosovë, Enver Hoxhaj, dhënë të përditshmes austriake “Der Standard”, ku ai deklaronte se “dialogu me Serbinë do të përfundojë me anëtarësim të Kosovës në OKB”. Ndërkohë, kjo intervistë u pasua nga ajo e  Drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Djurić, dhënë gazetës serbe “Jedinstvo”, ku thoshte se “politikanët kosovarë nuk dëshirojnë të anëtarësohen në UNESCO apo INTERPOL nga brenga që kanë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore apo për luftën kundër krimit, por për ta kjo është një pjesë e procesit të forcimit të pavarësisë së shpallur njëanshëm” dhe më pas një intervistë dhënë TV Pink në Serbi, ku Djurić deklaronte se “Serbia do ta bëjë të pamundurën për ta ndaluar anëtarësimin e Kosovës në këto organizata”.

Krahas raportimeve lidhur me acarimin e raporteve mes Serbisë dhe Maqedonisë, u njoftua se Serbia e kishte kërcënuar Maqedoninë rreth votës që ajo mund ta jepte për Kosovën sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Ministri serb i mbrojtjes, Aleksandar Vulin, u raportua të ketë thënë për B92-in se “edhe Maqedonia e çdo vend tjetër duhet ta dijë se për ne çështja e UNESCO-s dhe hyrja e Kosovës në INTERPOL është me rëndësi shumë të madhe dhe ne mendojmë se Kosova nuk mund dhe bën të jetë pjesë e atyre organizatave.

Dialogu në Bruksel

Mediet në Kosovë njoftuan për artikullin e presidentit Thaçi në të përditshmen gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, në të cilin ai e konsideron si rrugëdalje për marrëdhëniet Kosovë-Serbi “nënshkrimin e një Marrëveshjeje mbi Normalizimin dhe Pajtimin ndërmjet dy shteteve”, e cila do të rezultonte në një marrëveshje historike midis Kosovës dhe Serbisë që “do të duhej të përfshijë njohjen e ndërsjellë si rrugë e vetme”. Presidenti Thaçi, e mbyll këtë artikull duke thënë se “duhet të sigurohemi që të mos humbasim trenin e fundit për një paqe të qëndrueshme”.

Mediet bartën edhe një postim të presidentit Thaçi në Facebook, pas takimit të dytë me Vučićin dhe Mogherinin në Bruksel, ku ai kërkonte “formimin e një grupi uniteti për dialog” me qëllim përfundimtar të “përmbylljes përjetësisht të konfliktit njëshekullor me Serbinë dhe për t’i hapur rrugë paqes dhe mirëqenies së qytetarëve”. Ndërkohë, mediat po ashtu e përcollën komunikatën e lëshuar pas takimit nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, ku bëhej e ditur se “Presidentët kishin konfirmuar se marrëveshja për drejtësi do të implementohet plotësisht deri më 17 tetor 2017. Në këtë ditë, gjykatësit, prokurorët dhe stafi gjyqësor do të integrohen plotësisht në Gjyqësorin e Kosovës. Integrimi i personelit gjyqësor do të mundësojë që drejtësia të ndahet në gjithë Kosovën dhe, pjesërisht, në regjionin e Mitrovicës”. U bë e ditur edhe se dialogu pritet të vazhdojë në javët e ardhshme.

SHARE